Drejtësia në pazar, ligjin e dirigjon mafia politike

  • 22 March 2018 - 07:34
Drejtësia në pazar, ligjin e dirigjon mafia politike

SPASTRIMI I INSTITUCIONEVE, SFIDË E PATEJKALUESHME

Analistët politikë vazhdojnë të jenë akoma shumë kritikë sa i takon funksionimit të sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës, duke theksuar se ky sistem po degradon çdo ditë e më shumë dhe po tregohet i brishtë dhe jofunksional. Krejt këtë gjendje të mosefikasitetit analistët dhe ekspertët e ndërlidhin me vazhdimin e ndikimit të fuqishëm të politikës në drejtësi për interesat e mbulimit të krimit e korrupsionit galopant. Prandaj, është një vlerësim se me këtë lloj drejtësie në shtetin tonë akoma nuk mund të pritet drejtësi e pavarur, derisa akoma prokurorët shantazhohen, dirigjohen e frikohen, kërcënohen dhe bien pre e ndikimeve të caktuara kriminale, kurse KGJK-ja dhe KPK-ja, sipas opinionistëve, po hezitojnë të bëjnë një pastrim të parë të gjyqësorit dhe prokurorisë nga shkelësit e shumtë të ligjit. Për ta pastruar përfundimisht, njëherë e mirë këtë sistem, në të gjitha segmentet e tij, analistët kërkojnë zbatimin e Ligjit për VETTING-un edhe në drejtësi, për të pastruar drejtësinë nga të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e pamerituar që aktualisht kanë zënë pozita dhe nga ata që nuk kanë etikë, integritet dhe profesionalizëm, që nuk kanë pasur performancë dhe po iu shërbejnë politikës dhe nëntokës kriminale. VETTING-un si fshesë të pastrimit të sistemit të drejtësisë e sheh zgjidhje të vetme eksperti i së drejtës, Blerim Burjani."Gjasat për një drejtësi të pavarur janë zero përderisa kjo klasë politike është në pushtet, klasë politike e cila e ka kapur drejtësinë përfundimisht. Për pasojë kemi një drejtësi ku nuk ka liri dhe pavarësi të gjyqësorit nga ndikimet politike", vlerësoi ai për "Kosova Sot". 

MIFTARI: SISTEMIN E DREJTËSISË E KANË DEGRADUAR DERI NË MAKSIMUM

Edhe analisti dhe njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, ka pohuar se sistemin e drejtësisë e kanë degraduar deri në maksimum dhe është i pamundur sanimi i pjesshëm për drejtësi, duhet intervenim maksimal me një VETTING të përgjithshëm, ku nuk do të falej askush nëse e kanë thyer ligjin dhe kanë pasuri të pajustifikueshme, ku përveç dënimit duhet edhe konfiskimi i pasurive të dyshimta, si individuale edhe familjare, pasi shumica e pasurive të politikanëve tanë fshihet jashtë vendit."Prandaj edhe ata fshihen prapa familjarëve dhe shokëve, po ashtu prapa firmave fiktivë, ku dikush tjetër figuron si pronar, por pronarët e vërtetë janë politikanët e korruptuar që fshihen prapa tyre", u shpreh ai."Unë mendoj se kur është fjala te pastrimi i drejtësisë, te reformimi i thellë i saj, KGJK-ja dhe KPK-ja duhet të gjenden të parat nën llupën e VETTING-ut, pasi këto institucione janë vetë të korruptuara dhe të dirigjuara nga pushtetarët e korruptuar, prandaj edhe sistemin gjyqësor e kemi në nivelin kritik, ku korrupsioni dhe krimi i organizuar janë punë e tyre e përditshme. Për ta bërë dhe realizuar VETTING-un, do të ishte mirë që të angazhohen më shumë ambasadorët e shteteve mike, shumë më mirë sesa po humbin kohë e sa vrapojnë pas çështjes së kufirit me Malin e Zi, sepse dihet që me mungesën e sundimit të ligjit nuk ka shtet ligjor as shtet të mirëfilltë. Nga mosfunksionimi i ligjit nuk ka drejtësi ligjore dhe nëse vazhdohet kështu këtë shtet e ka marrë lumi, prandaj njëra ndër betejat më të domosdoshme duhet të jetë sundimi i ligjit", tha Naim Miftari për "Kosova Sot".

KAPITI:DREJTËSIA KUSHTON SHUMË SHTRENJTË, SEPSE ËSHTË ASHPËR E KAPUR NGA POLITIKA

Analisti Skënder Kapiti thotë se edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, po shihet që drejtësia kushton shumë shtrenjtë, sepse është ashpër e kapur nga politika."Pra, drejtësia është bërë treg ku ka oferta të mëdha, pasi pothuajse nga padrejtësia e madhe është detyruar që e gjithë popullsia t'u drejtohet gjykatave. Kjo u ka dhënë shansin e artë spekulatorëve dhe matrapazëve të politikës, të pushtetit dhe të drejtësisë që kërkesën dhe nevojën e imponuar qytetarëve nga ana e tyre për drejtësi të shfrytëzojnë si mall tregu ligjin dhe të drejtën, të cilat politika dhe drejtësia i kanë bërë pronë të veta dhe të cilat t'ua shet atyre të cilët paguajnë më shumë", vlerësoi ai."Për drejtësinë si oferta dhe kërkesa janë të mëdha, por çmimi i mallit drejtësi, që e shet drejtësia, është shumë i lartë, gjë e cila ka sjellë rrënimin e atyre që realisht kanë më shumë se kushdo nevojë për drejtësi, por nuk e marrin dhe nuk e fitojnë atë, sepse nuk kanë fuqi monetare për ta blerë! Por për ta blerë cilën...?! Për ta blerë atë që u takon, të drejtën e tyre, atë që është e tyre", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot". Sipas tij, të dobëtit humbasin gjithçka, humbasin të drejtën, pronën, dinjitetin, lirinë, shpresën dhe fitojnë varfërinë, mjerimin e rrënimin dhe pastaj si të tillë edhe prej kësaj gjendjeje marrin eksodin dhe arratinë."Kjo ka mundësuar kështu që të inkriminohen jo vetëm drejtësia dhe politika, por edhe të dobëtit dhe të pafuqishmit që ata të kapitullojnë dhe të pajtohen me realitetin, pasi nuk kanë shansin dhe as mundësinë për ta ndryshuar gjendjen për nga e drejta dhe drejtësia", ka potencuar Kapiti. "Në këtë realitet, kur përmenden ligji, drejtësia, përgjegjësia, politika, profesionalizmi e meritokracia, menjëherë të shkon mendja te frika dhe ankthi se nga çasti në çast mund ta humbasësh pronën, tokën, biznesin, dyqanin, shtëpinë, punën, paranë dhe të sulmohesh, të grabitësh e të rrënohesh nga pushteti, politika dhe gjyqtari e prokurori dhe të kërcënohesh nga padrejtësia e pushtetit dhe e drejtësisë, por edhe nga droga, krimi ordiner dhe nga pasiguria. Kjo ndodh kështu sidomos në Shqipëri", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

Drejtësia e mirëfilltë mungon

Dështim të madh e sheh pamundësinë e krijimit të sistemit efikas dhe të pavarur të drejtësisë në Kosovë, për plot dy dekada, edhe ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni."Fatkeqësisht, Kosova nuk ia arriti kurrë të krijojë një sistem të mirëfilltë të drejtësisë. I gjithë rrugëtimi ishte i pavullnetshëm dhe joprofesional. Të gjitha institucionet legjislative dhe ekzekutive të Kosovës kanë lëvizur me "drejtësinë" aq sa u është kërkuar nga mekanizmat ndërkombëtarë. Është situatë si me një nxënës të dobët e të pavullnetshëm për mësim, i cili klasat i kalon duke mësuar nga pak në fund të vitit, për një notë të mjaftueshme, me pak mësim të detyrueshëm dhe me sjellje të mirë, klasa kalon", u shpreh ai. "Të pavullnetshëm kanë qenë duke filluar nga Kuvendi, i cili rolin e vet legjislativ dhe mbikëqyrës nuk e ka realizuar si duhet, ligje të dobëta, jo të zbatueshme. Kodi Penal ka hyrë në fuqi më 1 janar 2013 dhe ende pa u harmonizuar disa ligje me të, ai veç po ndryshon. Mbikëqyrja asnjëherë nuk ka qenë në nivel. Kryeprokurorin askush nuk e ka parë në Kuvend, asnjë diskutim për raportet vjetore të KGJK-së dhe KPKsë", vijoi më tutje Preteni."Qeveria e vendit strategjinë vjetore të ligjeve nuk e ka bërë asnjëherë sipas kërkesave të kohës, në grupet punuese nuk janë ftuar ata që kanë pasur përvojën në zbatimin e ligjeve. Ka pasur sponsorë të ndryshëm me metoda të ndryshme, me modele të shteteve të ndryshme dhe asnjëherë sipas nevojave reale të Kosovës. Personeli profesional si dhe prokuror dhe gjyqtarë të rekrutuar dhe të pranuar pa seleksionim të mirëfilltë. E gjitha kjo duhet të ndryshohet me themel", tha Preteni për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)