Apostolova: Tani plotësojeni kushtin e fundit për vizat:KORRUPSIONIN EKLATANT

  • 22 March 2018 - 11:43
Apostolova: Tani plotësojeni kushtin e fundit për vizat:KORRUPSIONIN EKLATANT

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e udhëhequr nga Natalia Apostolova, ka përshëndetur ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, duke e quajtur moment të rëndësishëm për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Në deklaratën e Zyrës së BE-së në Kosovë thuhet se ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi është shembull konkret i përkushtimit të Kosovës ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe gjithashtu një nga dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave për Kosovën është përmbushur.

“Dëshirojmë të shprehim urimet tona të përzemërta për ligjvënësit e Kosovës që e bënë të mundur këtë gjë. Procesi ishte i gjatë dhe me raste i mundimshëm, por në fund u arrit rezultati i duhur për popullin e Kosovës. Sidoqoftë, me keqardhje pamë që diskutimi në Kuvend u pengua nga përpjekje të vazhdueshme për t’i ndërprerë procedurat duke lëshuar gaz lotsjellës. Ne, i dënojmë me forcë të gjitha aktet e dhunës kundër ligjvënësve të Kosovës; praktika të tilla nuk kanë vend në diskursin politik”, thuhet në komunikatë.

Por, sipas komunikatës thuhet se duhet rezultate në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si kriter i dytë për heqjen e vizave.

“Shpresojmë dhe presim që bashkëpunimi ndërpartiak për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit të jetë shenjë e lëvizjeve të ardhshme në çështjet me rëndësi të madhe për Kosovën. Tash, vëmendja duhet të përqendrohet në forcimin e rezultateve të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presim që të gjitha palët të vazhdojnë punën e madhe dhe përpjekjet për përmbushjen e kriterit të mbetur për liberalizimin e vizave dhe për avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës”, thuhet më tej në komunikatë.

(Kosova Sot)