Në verë vendoset nëse ka aktakuzë për mega-aferën PTK-'Z-Mobile'

  • 22 March 2018 - 07:26
Në verë vendoset nëse ka aktakuzë për mega-aferën PTK-'Z-Mobile'

ZVARRITJA E PAARSYESHME E HETIMEVE PËR KONTRATËN E DËMSHME

Prokurorët që po merren me ndriçimin e njërës nga aferat më të mëdha në Kosovë nuk kanë treguar se deri ku kanë arritur hetimet në Prokurorinë Speciale për rastin e Blerim Devollit me kompaninë e tij "ZMobile" dhe PTK-së. Prokurori i çështjes Abdyrrahim Islami, nuk ka treguar se deri ku është arritur që të zbardhet skema e dyshuar si kriminale e krijimit të " Z-Mobile" e deri tek dhënia e 100 mijë numrave shtesë. Ndërkaq, analistët e kanë shtruar pyetjen se si do të mund të konfiskohej pasuria e fituar me ndihmën e krimit të organizuar në rastin e Blerim Devollit, kur ai pothuajse çdo pasuri dhe çdo kompani tanimë e ka bartur jashtë vendit, në shoqëritë e veta në Perëndim dhe gjithandej nëpër botë. Kompania "DardafonNet" -" Z-Mobile", që zhvati me arbitrazhin "e dizajnuar kriminalisht" nga ai vetë dhe ortakët e tij në Qeverinë e Kosovës, mbi 30 milionë euro, me pronarë fillimisht vëllezërit Devollit, ka bartur shumicën e pronë- sisë së kompanisë në fjalë në kompanitë jashtë vendit, e që janë: "Devolli GmbH", e regjistruar në Vjenë (Austri) me adresë: "Jordangasse" 7/12 , 1010 Vienna, ku është regjistruar më 2 dhjetor 2016 me drejtor menaxhues Blerim Devollin, pastaj me pronarë të regjistruar si kompani " off- shore" ,me emër "K-Com Group LLC", e regjistruar me 14 janar 2009 në Delaware, në SHBA, ku lejohen regjistrimet e kompanive të tipit "off -shore" dhe ku nuk tregohet emri i pronarit, por vetëm agjenti, i cili në këtë rast është: Delaware Intercorp, INC. Newark, Delaware. Prandaj, analistët pyesin se si do të mund t'i konfiskohej pasuria e fituar përmes krimit Blerim Devollit, nga Prokuroria e Shtetit, kur ai tërë pasurinë e ka dërguar tanimë jashtë Kosovës, ndërkaq që ," Z-Mobile" nuk ka as edhe një investim të vetin, por punon në infrastrukturë të shtetit të Vala-s?! Edhe përkundër pyetjeve të dërguara për Blerim Devollin si dhe "ZMOBILE", ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Prokuroria nuk përmend "pengesa" në hetime

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Abdyrrahim Islami, në një prononcim përmes celularit, për gazetën" Kosova Sot", tha se janë duke punuar në ndriçimin e plotë të këtij rasti. "Aktualisht, si Prokurori jemi në bashkëpunim me disa organe të shtetit prej të cilave po marrim informata për këto të dhëna rreth kësaj kontrate", potencoi ai. Sipas Islamit, e tërë puna e Prokurorisë për ndriçimin e këtij rasti nuk varet krejt prej tij. "Prandaj, edhe presim bashkëpunimin edhe të institucioneve të tjera të shtetit, si edhe dy kompanive që janë në kontest. Andaj, besoj se vendimi për këtë lëndë do të sillet në fillim të verës", vlerësoi më tutje Islami. Ai nuk ka dhënë përgjigje se kush po e pengon dhe bllokon që të përfundojë hetimi dhe të ngritët aktakuza për veprat e konsumuara kriminale, duke i cilësuar këto vlerësime se janë spekulim. Ndonëse gazeta ka tentuar për të mësuar se çka thonë në Prokurorinë Speciale, përkatësisht të Kryeprokurorit të Speciales, Reshat Millaku , dhe çka thotë vetë Blerim Devolli, se a është marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale për këtë rast të tmerrshëm për Kosovën, nuk kemi marrë përgjigje.

Shteti i kapur bllokon biznesin

Deputeti i opozitës, Salih Salihu për gazetën " Kosova Sot ", tha se në asnjë mënyrë nuk duhet të çuditemi me mospunën e Prokurorisë së Shtetit, sepse kemi të bëjmë me një shtet të kapur prapa të cilëve qëndrojnë oligarkët e biznesit që mbështetet prej politikës. "Të gjitha organet e shtetit, edhe Gjyqësia edhe Prokuroria, edhe politika në Kosovë është kapur nga mafio-bizneset, edhe Doganat e ATK-ja, të gjitha këto institucione janë në kontroll të tyre", u shpreh ai. "Pa shkapjen e shtetit nuk do të ketë drejtësi, e as zhvillim ekonomik, ngase do të jetë një problem i madh që të bësh biznes të sjellësh iniciativa të reja, përveç atyre që kanë monopole dhe që janë të mbështetur në pushtet. Andaj, duhet që të aprovohen urgjentisht Ligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe Ligjin Antimafia se nuk do të ketë zhvillim të këtij vendi pa u ndalur menjëherë këto punë të pista", potencoi Salihu. Ndërsa deputeti i koalicionit qeverisës, Enver Hoti(Nisma) tha për " Kosova Sot", se pa asnjë dyshim se pika më e dobët e të gjitha qeverive të pasluftës dhe shoqërisë sonë është sistemi i drejtësisë që deri më tash është i kapur nga grupet e mafiozëve të biznesit dhe parapolitika. "Andaj, nuk duhet të na befasojë edhe neglizhenca dhe puna e Prokurorisë me hapa breshke për ndriçimin e kësaj kontrate në mes të PTK-së dhe " Z - Mobile"", ka theksuar ai. 

Regjistrimet jashtë vendit

Analisti, Florim Zeqa, për " Kosova Sot", tha se pavarësisht faktit se në ç'nivel ka arritur Prokuroria Speciale me rastin e Blerim Devollit, " Z-Mobile" dhe PTK, një gjë tashmë është e qartë. "Kompania 'Dardafone.Net' - 'Z- Mobile', përmes një kontrate të kriminalizuar rezultoi të ketë zhvatë nga buxheti i shtetit përmes arbitrazhit ndërkombëtar mbi 30 milionë euro, me pronarë fillimisht vëllezërit Devolli, të cilët kanë bartur shumicën e pronësisë së kompanisë në fjalë jashtë vendit, e që janë: 'Devolli GmbH', e regjistruar në Vjenë (Austri) me adrese: 'Jordangasse' 7/12 , 1010 Vienna, ku është e regjistruar më 2 dhjetor 2016 me drejtor menaxhues Blerim Devollin, pastaj me pronarë të regjistruar si kompani " off- shore", me emër K-Com Group LLC, e regjistruar me 14 janar 2009 ne Delaware në SHBA, ku lejohen regjistrimet e kompanive të tipit "off -shore" dhe ku nuk tregohet emri i pronarit, por vetëm agjenti ", shpjegoi ai. "Në këtë rast, për të mos thënë e pamundur, do të jetë tepër e vështirë të konfiskohet pasuria e fituar në mënyrë të jashtëligjshme nga 'Devolli Compani' nga Prokuroria Speciale e Shtetit, kur tërë pasurinë e ka dërguar tanimë jashtë Kosovës ", potencoi Zeqa. 

Arbitrazhet, skenarë mafiozë

Analisti Lulzim Beqiri, për gazetën " Kosova Sot", tha se çdo parregullsi duhet hetuar dhe duhet t'i jepet një epilog edhe keqpërdorimeve eventuale që kanë ndodhur me " Z-Mobile". Sipas tij, një mesazh negativ ishte dërgimi i PTK-së në arbitrazh. "Kostoja, është jashtëzakonisht e madhe për shtetin, andaj kushdo që shkel rregullat e shtetit duhet hetuar dhe duhet të marrë dënimin e merituar", tha ai. "Shtetit të Kosovës i kushtoi kontrata me 'Z-Mobile' hiç më pak se 100 mijë numra dhuratë për kompaninë, 'ZMobile'", vijoi më tutje Beqiri. Ndërsa, analisti Mustafë Kadriaj tha për "Kosova Sot", se pa ndërhyrë në organet e drejtësisë për rastin Devolli, por edhe shumë raste të tjera, nuk ka shpresë për biznesin. "Është e pakuptimit që në secilin arbitrazh ekonomik institucionet publike e humbin kontestin gjyqësor, pra kjo të sjell në dy përfundime, së pari institucionet tona janë të paafta që të implementojnë një kontratë me bashkëpunëtorë dhe së dyti, kjo të krijon dyshimin që mbrapa këtyre bizneseve qëndrojnë njerëzit e institucioneve që të keqpërdorin paranë publike përmes arbitrazhit", vlerësoi ai. "Është koha e fundit që drejtësia të thotë fjalën e vet për secilin rast të krimit ekonomik, sepse me këtë nivel të korrupsionit dhe të oligarkisë, Kosova po e humb çdo ditë imazhin,si në rrafshin ekonomik dhe politik, sepse edhe miqtë ndërkombëtarë vazhdimisht u bëjnë thirrje institucioneve në Kosovë për luftim të korrupsionit", thotë analisti Kadriaj.

Krerët e shtetit, avokatë të krimit

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani akuzon për krim të rëndë ekonomik kompaninë "Devolli". "Kjo bandë mafioze Devolli nuk është që vepron nga dje, kjo bande mafioze Devolli vepron kundër buxhetit të shtetit. Këta hajna publikisht vodhën me qindra miliona buxhetin e shtetit, duke i ikur tatimeve fusnin krunde e shisnin miell dhe e jepnin popullatës ushqim qensh e derrash për t'i helmuar dhe për t'i vrarë shqiptarët dhe lëre që të mos burgosen këta hajna dhe mafiozë, por as që merren në pyetje dhe bile zhvillojnë akoma aktivitetin e tyre kriminal. Dhe, më thoni ju se në cilin vend të botës ndodhë kjo?", ka theksuar ai për "Kosova Sot". Sipas tij, mbështetjen krimit po ia japin banditët dhe kryebanditët e organeve të shtetit. Ndërsa, eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci tha për "Kosova Sot", se hetimet ndaj rastit të Blerim Devollit, "Z-Mobile" dhe PTK, varen nga vetë Blerim Devolli dhe avokati i tij. " Prokurorin Islami po e pengon në punë frika dhe mungesa e mbrojtjes ndaj tij nga ana e sigurimit dhe Policisë së Kosovës", theksoi ai. Sipas tij, Prokurori Islami duhet sa më parë ta largojë frikën dhe të merret me këtë çështje që drejtësia të triumfojë.

(Kosova Sot)