Oligarkët e politikës kosovare, ortakë të mafisë

  • 22 March 2018 - 07:39
Oligarkët e politikës kosovare, ortakë të mafisë

SHTETI, I ZHYTUR DERI NË FYT

Pushteti, i lidhur me trafiqet e drogës dhe krimin e organizuar

Njohës të situatës politike në vend janë të mendimit se edhe skena politike kosovare është e lidhur me trafiqet kriminale miliardëshe të drogës si po ndodh në Shqipëri. Plot afera që kanë ndodhur e dëshmojnë këtë lidhje kriminale mes pushtetit dhe trafikantëve të drogës. Analistët e shtrojnë në diskutim çështjen se si dhe pse është harruar vjedhja e drogës dhe e arit nga zyrat e Policisë së Kosovës që ndodhi vite më parë, kur dyshohej se përgjegjës ishin vetë krerë të shtetit, të cilët dirigjojnë të gjithë zyrtarët e emëruar edhe në strukturat e organeve të policisë e drejtësisë. Analistët pyesin se përse edhe në Kosovë nuk ka prokurorë e as gjyqtarë që do të denjonin të merren me hetime për të zbardhur se kush janë "bosët" aktual të rrjeteve kriminale në Kosovë, dhe kush janë politikanët e inkriminuar në këtë "biznes" kriminal, sikur dhe mafio-oligarkët e përfshirë në këtë krim të organizuar, përfshirë rrjetin e drogës, kontrabandën dhe evazionin e madh e të pandalshëm, korrupsionin endemik dhe krimin e organizuar që po shkatërrojnë vendin. Analistët thonë se Kosova është bërë një vend tepër i frikshëm për të jetuar, sepse nuk ka siguri për asgjë. Ata potencojnë se në Kosovë askush nuk i jep llogari askujt, ndërsa ata që kanë instaluar krimin dhe dirigjojnë skemat mafio-kriminale, që në fakt qarkullojnë dhe zhvatin jashtëligjshëm miliardat, nuk lejojnë t'u preket biznesi i tyre i pistë, i kundërligjshëm dhe kriminal. 

Nuk ka liberalizim vizash, pa e luftuar krimin dhe korrupsionin

Analisti Skënder Mulliqi, për gazetën "Kosova Sot", tha se jemi dëshmitarë se krimi dhe korrupsioni nuk po luftohen sa duhet. "Shembulli më i mirë i kësaj janë edhe moszbardhja e rasteve të vjedhjeve që u bënë para shumë vjetësh në dhomat e dëshmive në Prishtinë dhe në Pejë, që është precedent i llojit të vet", theksoi ai. "Aty ku vërshojnë dukuritë negative nuk ka as siguri të nevojshme , mungojnë edhe liritë elementare njerëzore. Përfitimet personale kanë bërë që Kosova të varfërohet, kanë bërë që rinia ta braktisë atdheun, kanë bërë që mos të kemi zhvillim ekonomik të duhur të ecurive ekonomike, natyrisht duke mos i përjashtuar këtu krizat e vazhdueshme politike dhe krizat institucionale", ka vlerësuar më tutje Mulliqi. "Mosluftimi i korrupsionit ka bërë që Kosova të izolohet, që Evropa e bashkuar si synim i shqiptarëve të jetë gjithnjë e më larg. Pa u ulur në suaza të normalitetit krimi, e veçmas korrupsioni, nuk do të kemi mirëqenie dhe zhvillim dhe as nuk do të kemi liberalizim të vizave, siç po proklamojnë kjo klasë politike, se nëse bëhet ratifikimi i demarkimit të vijës kufitare me Mal të Zi, do të udhëtojmë pa viza në Evropë. Ky është më shumë mashtrim optik që po i bëhet qytetarit tonë", potencoi ai. Sipas Mulliqit, kushti kryesor nga BE-ja është luftimi i krimit dhe korrupsionit .

Inkriminimi i shtetit e izoloi Kosovën

Ndërsa analisti Arsim Haziri tha për " Kosova Sot", se arsyeja bazike pse vendi ballafaqohet me krim të vazhdueshëm sistematik, është pasi zanafilla e tij është te politika( pushteti ). "Kur dukuritë negative zhvillohen lirshëm pa u ndjekur nga organet ligjore, atëherë e vetmja përgjigje kësaj problematike rreth asaj pyetje është se ato kanë direktive nga niveli i lartë institucional. Kjo është arsyeja pse Kosova është nën vlugun e krimit, mostransparencës dhe mosllogaridhënies", vlerësoi ai. "Pa ndëshkimin, konkretisht penalizimin e nivelit të lartë institucional, vendi nuk mund të gëzojë orientim drejt një shteti ligjor", theksoi analisti Haziri. "Mosluftimi i korrupsionit ka bërë që Kosova të izolohet, që Evropa e bashkuar si synim i shqiptarëve të jetë gjithnjë e më larg. Jemi larg të bërit shtet ligjor, shtet funksional dhe demokratik. Duhet bërë një rifreskim të kësaj skene politike të dobët", ka thënë më tutje Arsim Haziri. 

Lidhjet mafioze, forca e pushtetit

Analisti politik dhe specialisti i Integrimeve Evropiane, Jeton Kelmendi tha për " Kosova Sot" se partitë politike dhe liderët e tyre janë sigurisht njerëz të inkriminuar në krime dhe pikërisht lidhjet e tyre jo vetëm me mafinë vendore, por edhe me mafinë ndërkombëtare i mbajnë ata në pushtet. "Duke qenë i lidhur me krimin do të kesh para dhe të kesh para do të thotë ti blen votues dhe blen organet drejtësisë ose i zgjedh ti dhe ata të tuajt dhe dikton dhe kësisoj dikton pushtetin dhe duke mbajtur pushtetin nuk të ndjek kush dhe duke qenë në pushtet ti e kontrollon çdo resor dhe çdo anë profitabile të shtetit. Pra, politikanët kosovarë nuk përjashtohen nga ata të Shqipërisë në lidhjet e tyre me krimin ndërkombëtare", shpjegoi ai. "Kosova është bërë shumë e pajetueshme dhe përditë e më shumë po e humb shpresën dhe është në një krizë jashtëzakonisht të thellë, në një krizë morale të identitetit njerëzor ", potencoi më tutje Kelmendi. "Në atë vend ku nuk funksionon mirë rendi dhe ligji, kur organet e drejtësisë nuk janë në nivelin e dëshiruar të detyrës, sigurisht se lulëzojnë edhe shumë dukuri negative . Këto edhe janë bërë pengesat kryesore të stagnimit të proceseve demokratike dhe stagnimit të proceseve zhvillimore në Kosovë", ka theksuar analisti Jeton Kelmendi.

(Kosova Sot)