Kërkohet debat në Kuvendin e Kosovës për mishin e prishur

  • 22 March 2018 - 22:43
Kërkohet debat në Kuvendin e Kosovës për mishin e prishur

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Grupit të Pavarur të Deputetëve, Salih Salihu, ka bërë të ditur se, si grup, nesër do nisin një iniciativë për të kërkuar nga Kuvendi që të organizojë një debat në lidhje me cilësinë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë.

“Të dashur qytetarë të Kosovës, bashkë me deputetin Driton Çaushi, në emër të Grupi Parlamentar të Deputetëve të Pavarur nesër në mëngjes do të nisim një iniciativë me të cilën do të kërkojmë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të organizojë një debat të veçantë në lidhje me cilësinë dhe sigurinë e ushqimit në Kosovë", ka shkruar Salihu në Facebook.

"Aktualisht Kosova importon sasi të larta të ushqimit për të cilat besohet se nuk i përmbushin kriteret minimale për cilësi dhe siguri, pra janë jashtë çdo norme të cilësisë. Në këtë kuptim, mallrat e ardhura në Kosovë besohet se prodhohen në linja të veçanta të dedikuara për tregun tonë”, ka thënë ai.

Salihu ka shtuar se këtë iniciativë do ta nisin për shkak të, siç ka thënë ai, mosfunksionimit të institucioneve të vendit, duke theksuar Agjencionin e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe doganave të Kosovës.

Ai ka thënë se vendi ynë është bëre poligon i futjes së mallrave më cilësi dhe siguri ushqimore të ulët të ushqimit nga vendet fqinjë dhe më gjerë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik te qytetarëve tanë.

“Në mungesë të funksionimit të institucioneve të vendit, sidomos Agjencionit te Ushqimit dhe Veterinarisë si dhe doganave të Kosovës, vendi ynë Kosova është bërë poligon i futjes së mallrave më cilësi dhe siguri ushqimore të ulët të ushqimit nga vendet fqinjë dhe më gjerë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin publik te qytetarëve tanë. Ajo çka po ndodh me cilësinë e mishit të importuar nga Belgjika në Kosovë është shqetësuese. Kuvendi i Kosovës duhet të mblidhet, të diskutojë dhe të ndërmerr masa të veçanta për këtë çështje”, ka shkruar ai.

(Kosova Sot)