Zjarrvënësit të pandëshkuar, drejtësia kosovare e dështuar!

  • 23 March 2018 - 08:10
Zjarrvënësit të pandëshkuar, drejtësia kosovare e dështuar!

GATI DY DEKADA NGA DËNIMI DHE DJEGIA E GAZETËS "KOSOVA SOT"

Institucionet tona të drejtësisë, të nënshtruara ndaj Serbisë gjenocidale 

"Me këto veprime sheshazi u dëshmua se KGJK-ja dhe Gjyqësori i Kosovës ende janë një gjyqësor i instaluar i ish-regjimit serb gjenocidal, përmes 'duarve të zgjatura serbe' këtu në Kosovë, nga njerëz me ndikim të ish-UDB-së, të BIA-s serbe, e të nënshtruara nga Vuçiqi, Daçiqi e të tjerë", thotë analisti Bislim Aliu

Para 19 vjetësh, më 11 mars 1999, regjimi serb përmes vendimit të Gjykatës serbe të Prishtinës, të instaluar ne kryeqytet, me urdhër të ish-ministrit të Informacionit Aleksandër Vuçiq, dhe pa ftesë e pa mbajtur as edhe një séancë gjyqësore e dënoi pa ligj gazetën "KOSOVA SOT" me dënim prej mbi 300,000 DM, për shkak të politikës editoriale të gazetës, që përkrahte luftën çlirimtare. Ky dënim ishte vetëm një paralajmërim për qëllimin final dhe projektin që kishte hartuar regjimi serb kundër kësaj gazete. Ishte pikërisht mbulimi i aktiviteteve të luftëtarëve të UÇK-së, mbulimi i ofensivave nga vendi i ngjarjes dhe politika editoriale kundër regjimit të Milosheviqit ato që gazeta "KOSOVA SOT" të bëhet halë në sytë e këtij regjimi vrastar e flakëvënës. Vetëm 7 ditë më vonë, më 18 mars 1999, regjimi serb i hodhi në aksion policinë dhe e ndaloi botimin e gazetës më të madhe në vend "KOSOVA SOT". Pra, gazeta u konfiskua në të gjitha pikat e shitjes në tërë Kosovën dhe rrjetit të shitjes iu konfiskuan gazetat edhe nëpër veturat shpërndarëse! Por, lufta e regjimit të Milosheviqit kundër gazetës më të madhe në vend "KOSOVA SOT" nuk përfundon këtu. Gjashtë ditë më pas, më saktësisht më 24 mars 1999, në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, vetëm dy orë pasi filluan bombardimet, përgjigjja e regjimit të Milosheviqit vjen duke filluar me flakëvënien e djegien, shkatërrimin e mbi 3000 metrave katrorë të hapësirave të shtypshkronjës së gazetës "KOSOVA SOT", me pajisjet më të avancuara në rajon, ku përveç gazetës shtypeshin shumica e librave shkollorë dhe materialeve shkollore në gjuhën shqipe. Pra, më 24 mars 1999 regjimi i Milosheviqit zgjodhi pikërisht gazetën dhe shtypshkronjën e gazetës "KOSOVA SOT" si të parën për t`u hakmarrë kundër bombardimeve të NATO-s, pasi roli dhe ndikimi i gazetës "KOSOVA SOT" ishte një goditje shumë e madhe kundër regjimit. Dëmi i djegies ishte mbi 5 milionë euro. Edhe pse tanimë po bëhen 19 vjet, dhe përkundër që në gjykatë është dorëzuar padia kundër Serbisë për dëme të luftës, e njëjta as që është marrë parasysh dhe as nuk është shqyrtuar nga Gjyqësori i instaluar, me arsyetimin se nuk janë kompetentë, duke udhëzuar që padia të dërgohet në gjykatat e Serbisë në Beograd, ose siç i thonë që: "Cjapi të shkojë te kasapi", edhe pse vendi i krimit është bërë në Prishtine (Kosovë)!!! Duke parë një sjellje të tillë, analistët politikë e shohin këtë veprim jo vetëm si injorim të kontributit, por edhe mohim të drejtësisë legjitime të gazetës, që sipas tyre të bën të dyshosh se kjo dëshmon që me këso vendimesh Gjyqësori i Kosovës është një Gjyqësor i instaluar i regjimit serb përmes "duarve të zgjatura serbe" në Kosovë nga njerëz të ish -UDB-së, të BIA-s së sotme dhe të nënshtruar edhe sot të Vuçiqit, Daçiqit.

Dëmi, mbi 5 milionë euro Analisti politik dhe publicisti

Florim Zeqa thotë se në përvjetorin e19-të të sulmit, vlen për të theksuar se roli dhe kontributi i gazetës "Kosova Sot" në kohët më të vështira për vendin është i madh. "Përveç përhapjes të së vërtetës në rrethanat e pushtimit klasik, ishte bërë zë i fuqishëm i luftës çlirimtare dhe armë e fuqishme kundër regjimit kriminel të Milosheviqit. Jo vetëm kaq, në shtypshkronjën moderne të gazetës, asokohe shtypeshin edhe librat shkollorë në gjuhën shqipe dhe materialet e tjera shkollore me logo të Republikës së Kosovës. Pikërisht, këto ishin shkaqet që motivuan regjimin barbar serb të Milosheviqit, që më 24 mars 1999, në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, vetëm dy orë pasi filluan bombardimet, të zgjedhë gazetën numër 1 në Kosovë dhe shtypshkronjën më moderne të kohës si cak të sulmit piroman me flakëvënien, djegien e shkatërrimin e mbi 3000 metrave katrorë të hapësirave të shtypshkronjës së gazetës "Kosova Sot", me pajisjet më të avancuara në rajon, në vlerë mbi 5 milionë euro", u shpreh ai.

""Kosova Sot", në këtë 10 vjetshin e fundit, për çdo ditë bënë publike para qytetarëve veprimet kriminale të Gjyqësorit kosovar, e që në fakt është një Gjyqësor i instaluar i regjimit serb përmes "duarve të zgjatura serbe" në Kosovë nga njerëz të ish -UDB-së së Milosheviqit, të BIA-s së sotme të regjimit serb të Vuçiqit, Daçiqit, etj.", tha analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot"

"Kjo ishte hakmarrje e tmerrshme e pushtuesve serbë ndaj gazetës"Kosova Sot", pasi roli dhe ndikimi i gazetës "Kosova Sot" ishte një goditje shumë e madhe kundër regjimit kriminel serb të Milosheviqit, përhapja e së vërtetës së luftës çlirimtare nga gazeta ishte bërë pengesë e papërballueshme dhe përgjigje e ashpër ndaj propagandës përçarëse dhe shkatërrimtare të politikës serbe ndaj popullit të Kosovës", tha analisti dhe publicisti Florim Zeqa. Ai vlerëson se "Kosova Sot", sikurse gjatë luftës që ishte bërë zë i luftës çlirimtare, edhe në paqe deri në ditët e sotme është bërë zë i fuqishëm i popullatës kundër pushtetarëve të papërgjegjshëm, këtyre kusarëve politikë që rropën e ç'rropën gjithçka nga pasuria publike e këtij vendi, dhe kjo qasje tanimë i pengon edhe politikës aktuale, pse jo edhe sistemit të drejtësisë, gabimet dhe mospuna e të cilit vazhdimisht është në fokusin kritik të gazetës. "Gazeta "Kosova Sot" është e vetmja gazetë që po ua bënë publike të gjitha aferat korruptive dhe kriminale oligarkëve politikë dhe bizneseve të pista gjithandej vendit, pa dallime partiake apo ideologjike", potencoi ai.

Image

 

Gazetë që i qëndroi afër popullit

Edhe prof. i së drejtës dhe veprimtari Muhamet Kelmendi vlerëson se veprimet kriminale ndaj gazetës "Kosova Sot" , të regjimit serbomadh dhe pushtues, janë të paprecedent dhe shumë të papranueshme. "Vepra të tilla janë kryer ndaj medieve, si gazetës "KOSOVA SOT", ashtu edhe ndaj masave të gjëra popullore, duke vrarë dhe duke masakruar fëmijë dhe pleq, gra dhe të rinj. E tërë kjo me qëllime të frikësimit të forcave të shëndosha dhe demokratike në vend, për të sunduar. Por, as"KOSOVA SOT", as edhe populli ynë i masakruar, i djegur e i dëbuar, nuk është kompensuar. Vendi lëngon për drejtësi dhe shtet ligjor. Në Kosovë kemi mbi 20 mijë femra të dhunuara, mbi 150 mijë objekte të shkatërruara dhe mbi 1 milion njerëz të dëbuar. E tëra kjo është bërë me dhunë dhe me terror, me masa kriminale dhe cioniste, me qëllim të zhdukjes së kombit shqiptar nga Kosova. Dhe, në këtë gjendje, "KOSOVA SOT" ishte pranë popullit dhe me popull e përjetonte dhunën kriminale. Por, kjo gazetë bëri informimin e masave dhe të opinionit botëror. Në këtë kuadër, u thelluan masat dhe dënimet e rënda, duke e djegur shtypshkronjën dhe duke e dënuar gazetën "KOSOVA SOT"", tha Kelmendi. Ai ka pohuar se pikërisht duke u bazuar në këtë anë, kjo gazetë është krenare. "Sepse gazeta "KOSOVA SOT" jeton dhe jetoi me popullin. E keqja është mosrespektimi i saj nga pushteti . Po, në gjendjen që e kemi, me gjykata të kapura dhe me krim e mafi në pushtet nuk pritet ndonjë ndihmë për këtë gazetë. I dëshiroj gazetës "KOSOVA SOT" të vazhdojë rrugën dhe mos të ndalet. Është detyrë e çjerrjes së maskave të krimit e të korrupsionit. Jam i bindur se vetëm kështu mbetet gazetë e popullit, burim informimi dhe natyrisht jo e dashur për pushtetarët ekonomikë dhe politikë", theksoi Muhamet Kelmendi.

Kumbarët e Vuçiqit janë në pushtet

Duke parë injorimin e së drejtës për kompensim të dëmit nga institucionet e drejtësisë në Kosovë për gazetën "Kosova Sot", analisti Reshat Badallaj nxjerr konstatimin që në Kosovë akoma janë në pushtet kryebanditët dhe banditët, kumbarët e Vuçiqit, ata që hanë darka e dreka nëpër hotelet më luksoze të botës, pra njerëz të shitur, sipas tij. "Është shumë e vërtetë se gazeta e pakonkurrencë dhe numër 1, që në kohën e luftës e deri më sot, që quhet "Kosova Sot", ishte vënë në shërbim të popullit, ushtrisë së lavdishme të UÇK-së dhe kombit. Mu për këtë, gazeta me ndihmën e tellallëve te UDB-së famëkeqe u vu në nishan dhe në syrin vëzhgues të kriminelëve dhe gjakësorëve serbo- çetnikë dhe u dënua dhe iu vu flaka duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm material me miliona, dhe se tërë shqiptarët ,duke i lënë në terrin informativ", tha Badallaj për "Kosova Sot". Ai shton se është një padrejtësi e madhe që i bëhet gazetës tani, duke injoruar të drejtën legjitime që i takon. "Është e pafalshme dhe nuk do të kalojnë pa u lagur ky sistem i kalbur fund e krye, Gjyqësor që nuk zbaton betimin që kanë dhëne për të mbrojtur Kushtetutën e vendit dhe interesat e qytetarëve të saj, por këta janë të lidhur ngushtë me njerëz të Vuçiqit, që hanë dreka dhe darka pandërprerë nëpër hotelet më luksoze të botës. Ky pushtet banditësh me Vuçiqin bëjnë pazare në dëm të vendit për interesa të tyre personale, pra dua të them se gjasat për të paditur Serbinë fashiste, njëkohësisht për dëmet në Kosovë, sidomos për dëmet disa milionëshe për "Kosova Sot", janë minimale dhe kurrë nuk do ta bëjnë këtë, sepse këta janë njerëz të shitur, janë kumbarë të Vuçiqit, që i kanë gishtat të përzier në sistemin e kalbur gjyqësor, që janë puthadorë, sahanlëpirës dhe memec", tha Reshat Badallaj.

Regjimi vrastar e kishte halë në sy gazetën "Kosova Sot"

Analisti Ragip Guraziu vlerëson se gazeta kombëtare ditore NR.1 , '' Kosova Sot'' ka hyrë në historinë kombëtare-shqiptare, sa i përket informimit dhe aty do të mbetet përgjithmonë, sepse provimin më të madh e ka dhënë në ditët e vështira të luftës, kurse misionin në interesin e qytetarit po e vazhdon edhe në liri. "Mbulimi i aktiviteteve të luftëtarëve të UÇK-së, mbulimi i ofensivave nga vendi i ngjarjes dhe politika editoriale kundër regjimit të Milosheviqit bënë që gazeta "KOSOVA SOT" të bëhet halë në sytë e këtij regjimi vrastar e piroman e flakëvënës. Dihet që më 11 mars 1999 regjimi serb përmes vendimit të Gjykatës së Prishtinës të instaluar në Prishtinë, me urdhër të ish-ministrit të Informacionit Aleksandar Vuçiq, e dënoi gazetën "KOSOVA SOT" me dënim prej mbi 300,000 DM për shkak të politikës editoriale të gazetës që përkrahte luftën çlirimtare.

"Tani, kjo po dëshmon me këso vendimesh se Gjyqësori i Kosovës është një Gjyqësor i instaluar i regjimit serb, përmes 'duarve të zgjatura serbe' në Kosovë nga njerëz të ish -UDB-së, të BIA-s së sotme dhe të nënshtruar edhe sot ndaj Vuçiqit, Daçiqit, e zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit serb", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot" 

Mirëpo, ndjekja nuk ka pushuar me aq, sepse pikërisht më 18 mars 1999, regjimi serb e ndaloi botimin e gazetës më të madhe në vend "KOSOVA SOT". Pra, përvjetori i dënimit dhe shkatërrimit të gazetës "Kosova Sot" do mbahet mend përgjithmonë, sepse kulmi arriti më 24 mars 1999, në ditën e parë të bombardimeve të NATO-s, kur vetëm dy ore pasi filluan bombardimet, përgjigjja e regjimit të Milosheviqit vjen duke filluar me sulmin shkatërrimtar, djegien e mbi 3000 metrave katrorë të hapësirave të shtypshkronjës së gazetës "KOSOVA SOT", me pajisjet me të avancuara në rajon", tha Ragip Guraziu. 

Edhe analisti Ali Hertica ka thënë se gazeta "Kosova Sot", e cila i ka trajtuar me profesionalizëm dhe pa asnjë hezitim ngjarjet e luftës, të njëjtën qasje e ka ruajtur edhe në liri, duke qenë zë dhe sy kritikë ndaj abuzimeve të politikës me ligjin dhe pushtetin. Ai shton se është një injorim i madh që nga kjo kastë politike u bëhet dëmeve të luftës, trajtimit të tyre në gjykatat tona, e në mesin e atyre bën pjesë edhe dëmi milionësh që i është bërë gazetës "Kosova Sot" nga kriminelët serb.

" Dëmi që i ka kushtuar gazetës "Kosova Sot", bashkë me shtypshkronjën dhe shkatërrimet e tjera të kësaj natyre, është dashur të trajtohet në bazë të ligjit, nga Prokuroria dhe Hetuesia të mblidhen fakte e materiale për të dëshmuar se çfarë ka bërë Serbia kundër shqiptarëve etnikë", tha Ali Hertica për "Kosova Sot" 

"Gjatë këtyre qasjeve kanë dalë në pah shumë mangësi dhe anomali në Gjyqësorin e Kosovës, i cili po sikur të ishte më i shkathët dhe profesionalist më i përgatitur është dashur që moti ta zgjidhë nyjën e Kosovës, por duke qenë neglizhent iu ka krijuar mundësia që Serbia të bëhet viktimë, ndërsa Kosova të akuzohet sikur të ishte kriminale, prandaj për këtë gjendje kaq të mjerë të Gjyqësorit është dashur të marrë dikush përgjegjësi", u shpreh ai. "Nëse Gjyqësori në Kosovë nuk ka përgatitur dosje të tëra kundër Serbisë, për të dëshmuar krimin mbi qenien njerë- zore, pastaj nuk ka përgatitur dosje të tjera për dëmet dhe shkatërrimet e pasurisë private dhe të asaj shoqërore, është për keqardhje dhe duhet gjykuar", vijoi më tej Hertica.

Gjyqësori skandaloz

Po aq kritik është edhe Bislim Aliu. "Edhe pse tanimë po bëhen 19 vjet dhe përkundër padisë në Gjykatën e Prishtinës kundër Serbisë për dëme të luftës, e njëjta Gjykatë as që është marrë parasysh dhe as që është shqyrtuar fare nga Gjyqësori, me arsyetimin se nuk janë kompetentë dhe duke e udhëzuar që padia të bëhet në gjykatën e Serbisë në Beograd, edhe pse vendi i krimit është bërë në Prishtinë!!! Me këto veprime sheshazi u dëshmua se Gjyqësori i Kosovës ende është Gjyqësor i instaluar i regjimit serb përmes 'duarve të zgjatura serbe" në Kosovë, nga njerëz të ish- UDB-së, të BIA-s serbe, të nënshtruara nga Vuçiqi, Daçiqi e të tjerë", tha analisti Bislim Aliu. 

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti theksoi se gazeta " Kosova Sot" është rropatur nëpër etapa të ndryshme të historisë së popullit të Kosovës, duke stigmatizuar idenë e të qenit informator i drejtë i ngjarjeve në vend. Në këtë rrjedhojë armiku bëri çdo gjë që të dëmtojë këtë gazetë, duke e dënuar e pastaj edhe duke e djegur fare. Megjithatë, asnjëherë nuk arriti të ndalojë në punën e saj të informimit të drejtë për dhunën që ushtronte pushteti i Serbisë. "Do të duhej që drejtësia jonë, respektivisht Gjyqësori të padiste Serbinë për dëmet që i ka shkaktuar gazetës " Kosova Sot", si dhe dëmet e tjera që i ka shkaktuar. Por, fatkeqësisht ende në institucionet gjyqësore janë pinjollët e sistemit të dikurshëm, e të cilët ruajnë ende nostalgji për sistemin e dikurshëm. Kjo ndikon që këto akte kriminale mos të marrin asnjëherë drejtimin e duhur të vënies së drejtësisë në vend", u shpreh ai. Sipas Mehmetit, gazeta " Kosova Sot" duhet të çmohet për punën e saj të palodhshme, e cila ndau fatin e popullit shqiptar me veten e saj duke qenë zëri i të vërtetës.

Image

 

(Kosova Sot)