Qeveria vlerëson se ka progres të mjaftueshëm në luftim të korrupsionit

  • 23 March 2018 - 08:47
Qeveria vlerëson se ka progres të mjaftueshëm në luftim të korrupsionit

Autoritetet kosovare synojnë ta bindin Bashkimin Evropian se kanë përmbushur edhe kriterin e fundit për liberalizim të vizave, përmes një regjistri për luftën kundër krimeve serioze që flet për 7 vendime të formës së prerë, 39 raste të shënjuara, 30 aktakuza të ngritura dhe 23 raste që gjenden në shkallë të ndryshme të shqyrtimit gjyqësor. Për këto raste që po përmenden si numër, institucionet nuk kanë paraqitur në publik informata konkrete as për personat e përfshirë dhe as për veprat penale.

Derisa qeveritarë të Kosovës janë deklaruar optimistë se liberalizimi do të ndodhë brenda këtij viti, zyrtarë të BE-së dhe vendeve anëtare kanë thënë se Kosova duhet të ofrojë dëshmi të mjaftueshme se ka përmbushur kriterin e fundit. Një ditë pas ratifikimit të demarkacionit, Qeveria dhe organet gjyqësore janë mobilizuar për t’i koordinuar veprimet rreth luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Por jo gjithçka do të varet nga Kosova, pasi vendimmarrja e institucioneve për dhënien e dritës së gjelbër nga Bashkimi Evropian mund të marrë kohë.

Bazuar në rastet e mëparshme të vendeve të tjera, ministrja e Integrimit, Dhurata Hoxha, ka thënë se presin që të gjitha procedurat të mos marrin më shumë se 6 muaj kohë. Tek ajo nuk ka mbretëruar entuziazmi një ditë pas ratifikimit të demarkacionit, as nuk janë hapur shampanja, siç kishte bërë paraardhësi i Hoxhës, ish-ministri Bekim Çollaku me stafin e tij edhe pse nuk ishin përmbushur dy kushtet e fundit. Hoxha ka thënë se do të festojnë pasi të përfundojë i gjithë procesi.

(Kosova Sot)