Thaçi s’e përmend kushtin e korrupsionit për liberalizim, kërkon që BE të nisë procedurat për heqjen e vizave

  • 23 March 2018 - 10:05
Thaçi s’e përmend kushtin e korrupsionit për liberalizim, kërkon që BE të nisë procedurat për heqjen e vizave

Kryetari i Kosovës Hashim Thaçi po qëndron në Bruksel. Atje, sipas njoftimit që ai ka bërë në Facebook, është takuar me zyrtarin e BE-së Johannes Hahn.

Gjatë takimit, sipas asaj që ka shkruar Thaçi, ka folur vetëm presidenti i vendit sipas të cilit Kosova, pas ratifikimit të demarkacionit, ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizmin e vizave. I pari i vendit s’e ka përmendur fare luftën kundër korrupsionit që është një kusht i kahershëm i BE-së për liberalizim të vizave.

Thaçi ka shkruar:

Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim. Sapo përfundova takimin me Komisionerin Hahn në Bruksel. Ishte një takim shumë produktiv. Institucionet e Kosovës, pas ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi, i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim të vizave. Tani është radha që Bashkimi Evropian t’i përfundojë procedurat që lëvizja e lirë e qytetarëve të ndodhë sa më shpejt që është e mundur. Kosova do të vazhdojë përkushtimin edhe më të lartë për rend dhe ligj dhe reforma të gjithëmbarshme. Komisioneri Hahn u zotua se do të përmbushin procedurat e nevojshme në kuadër të institucioneve të BE-së. Ishte konstatim i përbashkët se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi ishte jo vetëm përmbushje e kushtit për liberalizim të vizave, por edhe një hap i rëndësishëm strategjik për fuqizimin e paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mirë në rajon.

 

(Kosova Sot)