Scott: Nuk i bëjmë presion Serbisë ta njohë Kosovën, por kjo do të na pëlqente

  • 23 March 2018 - 13:16
Scott: Nuk i bëjmë presion Serbisë ta njohë Kosovën, por kjo do të na pëlqente

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë që të arrihet marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe që ajo marrëveshje të jetë e përhershme, ka deklaruar sot ambasadori amerikan në Beograd Kyle Scott.

Ai i ka hedhur poshtë pohimet se SHBA bëjnë presion që Serbia ta njohë Kosovën, edhe pse një gjë e tillë, siç tha, do të ishte “e mirëseardhur”.

Serbia duhet ta gjejë marrëveshjen e vet për statusin e Kosovës, tha Scott para gazetarëve në Beograd,

“Serbia duhet të vendosë për rrugën e vet. Ne, qeveria ime e ka njohur Kosovën, bashkë me mbi 100 vende tjera të botës, e se si do të merren vesh dy palët, kjo varet nga ato dy palë. Ne do të kishim thënë se njohja e Kosovës do të ishte e mirëseardhur, por ne nuk shohim kurrfarë presioni ndaj Serbisë për të bërë diçka”, tha Scott.

Ai ka theksuar se SHBA-të janë këtu për të ndihmuar, porse dialogun e udhëheq Bashkimi Evropian.

Në pyetjen se a po angazhohet Perëndimi për zgjidhje kompromise, diplomati amerikan tha se, në fund të fundit, çdo marrëveshje është kompromis.

“E di vetëm se nëse Serbia dëshiron të ecë drejt BE-së, duhet të gjejë zgjidhje për statusin e Kosovës dhe për marrëdhënet e Serbisë me Kosovën, sepse ata nuk duan të importojnë problem në Union”, tha ambasadori Scott.

(Kosova Sot)