I priten 'krahët' Shpend Ahmetit, NDAHEN ASAMBLISTËT E VV-së

  • 23 March 2018 - 17:51
I priten 'krahët' Shpend Ahmetit, NDAHEN ASAMBLISTËT E VV-së

MBLEDHJA E KOMUNËS SË PRISHTINËS U ZHVILLUA ME POLEMIKA TË ASHPRA

Havolli akuzon Dardan Sejdiun për kërcënim ndaj asamblistëve për mosvotim të raportit

Lëvizja 'Vetëvendosje' nga dje është ndarë edhe zyrtarisht në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Janë 7 asamblistë që kanë dalë nga VV-ja, kurse 9 të tjerë që kanë mbetur në Grupin Parlamentar të VV-së dhe një asamblist ka zgjedhur të mbetet si e pavarur. Shpend Ahmeti, kreu i komunës së Prishtinës, do ta ketë fare të vështirë, pasi tani Grupi më i madh Parlamentar në KK të Prishtinës është LDK-ja, që ka 15 asamblistë. Në mbledhjen e tetë e radhës të Kuvendit Komunal të Prishtinës për këtë vit, që u mbajt të enjten nën drejtimin e kryesuesit Agim Kuleta, kanë qenë pikat e parapara të rendit të ditës për këmbim pronash komunale me ato të qytetarëve që kanë shkaktuar një debat të ashpër. Ndryshe në rend të ditës ishin pikat 3, 4 e 5, që sipas drejtuesit të mbledhjes u tha se janë disa qytetarë që kishin kërkuar këmbim të pronave të tyre me prona komunale dhe pikërisht këto pika edhe kanë shkaktuar një debat të nxehtë. I gjithë debati ka nisur kur asamblisti Leutrim Ratkoceri ( Partia e Drejtësisë) doli me propozimin që këto pika të rendit të ditës të shtyhen për ndonjë mbledhje tjetër. Por ky propozim i Ratkocerit nuk kaloi, pasi kundër tij votuan 34 asamblistë, shtatë ishin për, dy abstenuan, e tetë nuk votuan fare. Asamblisti i LDKsë, Shefki Gashi, tërhoqi vërejtjen që edhe në qeverisjet e kaluara të Prishtinës, por edhe në të tashmen të njëjtët njerëz po kërkojnë këmbim të pronave të tyre me ato komunale. Me këtë rast Gashi tha se vërtet është interesant që gjërat po përsëriten."Kthehuni në arkiva që këta persona të njëjtë edhe në qeverinë e LDK-së dhe në qeverinë tuaj njerëzit e njëjtë këmbejnë toka. Qysh, tek, mendoni. Mos t'i heqim nga agjenda, mirëpo mos t'u bëjmë diskriminime tjerëve, qoftë me para, qoftë me këmbim, qoftë me prona, gjithnjë sipas ligjit", është shprehur ai.

Parcelat private, pengesë për ndërtim

Edhe asamblisti Eman Rrahmani i "Vetëvendosjes" u shpreh ngjashëm. Rrahmani tha se nuk janë për bllokim, por janë që të gjithë të jenë të barabartë. Kurse në arsyetimin e tij, Dren Kukaj, drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, doli se qytetarët po kërkojnë të shkëmbejnë pronën e tyre me komunën për të mundësuar ndërtimin. "Janë disa forma të kompensimit që ne i kemi trashëguar para Shpendit në kohën e Isa Mustafës. Aty meqë janë 10 parcela private ajo është një pengesë të bëhet ndërtimi. Ne e shkëmbejmë atë pronë që është aty me një tjetër. Ne këmbime kemi bërë në raste të tjera. Jemi të vetëdijshëm që humbim", tha drejtori Kukaj. Ndërsa këshilltari Nol Nushi nga grupi i pavarur tha se një rrip toke i komunës do të këmbehet për të ndërtuar një objekt. Sipas Nushit, ka një javë që këto pika u kanë si asamblistë. "Këto raste na kanë ardhur dhe aty aksidentalisht është një rrip i tokës së komunës dhe ne duhet ta këmbejmë për të ndërtuar një objekt me standarde", është shprehur ai. 

Ismaili kërkon transparencë rreth këmbimit të pronave

Ndërsa asamblisti i PDK-së, që njëherësh është edhe ministri i Shëndetësisë, këshilltari Uran Ismaili, kërkoi transparencë rreth këmbimeve të pronave. Ismajli tha se nuk është bardhezi, voto ose shtyje."Ne po kërkojmë transparencë për një politikë që ti po dëshiron me e zbatu dhe që ti po thua z. drejtori Dren Kukaj, ndoshta është e mirë, ndoshta jo. Hajde të fillojmë me reformë", u shpreh ai. Nushi nga grupi i pavarur kërkoi edhe një herë që të votohet për këmbim të këtyre pronave e pastaj të bëhet reformë. Mirëpo, propozimi Nushit nuk u mor për bazë nga kryesuesi. Ndërsa asamblisti i opozitës, Sokol Havolli (LDK), anëtar i Kuvendit Komunal të Prishtinës, ka thënë se po kërcënohen nga Dardan Sejdiu se pse nuk e kanë votuar Raportin Financiar të komunës. Havolli ka shtuar se raporti financiar ka qenë shumë i dobët dhe se Dardan Sejdiu po i kërcënon nëpër korridore pse nuk është votuar raporti. "Po ju pyes se cilat janë masat që do të merren për sigurinë ndaj kërcënimeve që po na bëhen", është shprehur Havolli. Kurse këshilltari Eman Rrahmani nga Lëvizja 'Vetëvendosje' lidhur me pohimet e Havollit për kërcënim tha se Dardan Sejdiu nuk e ka kërcënuar askënd për mosvotim të raportit, por për ngecje të projekteve. "Kërcënimi nga Sejdiu nuk po vjen pse s'ka kaluar Raporti Financiar, por pse nuk po ecin projektet e propozuara". Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Agim Kuleta, ka kërkuar që debati për këtë temë të mbyllet me arsyetimin se për kërcënime eventuale t'i drejtohen policisë. 

(Kosova Sot)