Kosova rrezikon të shkyçet nga sistemi interkonektiv evropian

  • 23 March 2018 - 23:15
Kosova rrezikon të shkyçet nga sistemi interkonektiv evropian

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) përmes një deklarate për media kanë bërë më dije se janë të shqetësuar me situatën e krijuar energjetike në Kosovës.

KOSTT ka treguar se Kosova rrezikon të shkyçet nga sistemi interkonektiv evropian në rast të mosbalancimit të Sistemit Elektroenergjetik.

Komunikatën e plotë e gjeni më poshtë:

KOSTT sh.a është shumë e shqetësuar me situatën e krijuar energjetike në Kosovë. Bazuar në kërkesën e sotme të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, KOSTT sh.a i ka dhënë instruksione Qendrës Nacionale Dispeçerike që të mos lëshojë instruksione të mëtejme për reduktime të energjisë elektrike në Kosovë.
KOSTT sh.a njofton opinionin e gjerë dhe të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike se instruksionet e dhëna në ditët e fundit për reduktimet e konsumit të energjisë elektrike janë bërë si pasojë e mungesës se energjisë elektrike të brendshme (kryesisht për shkak të rënies së njësive gjeneruese të KEK-ut për shkaqe teknike, si dhe energjisë së pamjaftueshme siguruar nga furnizuesi KESCO). Me këtë rast KOSTT për te balancuar sistemin elektroenergjetik, konform përgjegjësive të veta, i ka dhënë instruksione KESCO për shkyçje të konsumit si masë e fundit e veprimit (blerje te energjisë për balancim nga konsumatori, me çmim 100 EURU)
Këto instruksione për shkyçje të konsumit janë dhënë duke u bazuar në Metodologjinë për Kalkulimin e Çmimit të Imbalanceve dhe Çmimit të Kompensimit (aprovuar nga ZRRE, datë 14.10.2016), përkatësisht Neni 3.6.3 sipas të cilit “Furnizuesi Publik është përgjegjës për të implementuar instruksionet e Operatorit të Sistemit të KOSTT-it për shkyçjen e konsumit, si mundësi e fundit për balancim të sistemit elektroenergjetik.
KOSTT asnjëherë nuk ka dhënë instruksione për reduktime në Kosovë, për shkak te mbulimit me energji të konsumit në veri të Kosovës. Siç jeni në dijeni konsumi i pjesës veriore të Kosovës, furnizohet përmes blerjes se energjisë nga buxheti i siguruar nga Qeveria e Republikës se Kosovës dhe këtë deri me 31.03.2018, në mënyrë që mos të devijohet më tutje nga sistemi interkonektiv evropian.
KOSTT sh.a, përmes një shkrese të dërguar ZRrE-së gjithashtu njofton që Rrjeti Evropian i Operatorëve të Sistemit të Transmisionit (ENTSO-E) ka kërkuar në mënyrë strike nga KOSTT që të ndërpret devijimet nga rrjeti interkonektiv evropian, në të kundërtën nëse vazhdohet me këtë sjellje të devijimeve ndaj interkoneksionit evropian, atëherë ENTSO-E do të shkyç KOSTT-in nga Zona Sinkrone e Evropës Kontinentale, çka nënkupton izolimin e tërë sistemit elektroenergjetik të Kosovës, pamundësimin e importit të energjisë elektrike nga regjioni, sistemi elektroenergjetik i Kosovës nuk do të mund të operonte i izoluar për shkak të parametrave teknike të njësive gjeneruese ekzistuese si dhe të gjithë konsumatorët e Kosovës do të mbeteshin pa furnizim me energji elektrike, ku do të cenohej funksionimi i vendit dhe funksioneve vitale publike.
KOSTT, siç u tha më lartë, do të veprojë konfrom shkresës zyrtare/kërkesës së ZRRE për reduktimet dhe në qoftë se vjen deri të shkyçja e Kosovës/KOSTT nga rrjeti interkonektiv evropian, si pasojë e mosbalancimit të sistemit elektroenergjetik (gjegjësisht mosbalancimit të sistemit përmes reduktimeve të konsumit si masë e fundit, që nuk ndërlidhen kurrsesi me furnizimin e konsumit të pjesës veriore të Kosovës), KOSTT nuk mban asnjë përgjegjësi për pasojat e mundshme të lartshënuara!

(Kosova Sot)