Kelmendi: Tani po del që rrena i ka këmbët e shkurta

  • 24 March 2018 - 16:24
Kelmendi: Tani po del që rrena i ka këmbët e shkurta

 Analisti politik Naim Kelmendi figurativisht thotë se tani po del që rrena i ka këmbët e shkurta dhe këtë më së miri po e zbulojnë reagimet e ambasadorëve dhe zyrtarëve të BE-së, të cilët tani e kanë drejtuar kërkesën e tyre serioze në një pikë të vetme, në sundim të ligjit dhe luftim të krimit të organizuar.

"Edhe pse u propagandua me pompozitet nga kjo klasë politike në pushtet për kalimin e Demarkacionit me retorikën e vazhdueshme "votim i Demarkacionit, ose izolim i Kosovës" dhe kështu u arrit që me 80 votat e turpit të përjetshëm të votohet Demarkacioni, në të vërtetë Marrëveshja e 26 gushtit 2015, që de fakto ia fal 8300 hektarë tokë të Rugovës, respektivisht të Kosovës, Malit të Zi, pa u bërë as plot 24 orë nga votimi i Demarkacionit me 80 votat e turpit dhe kundërkushtetuese, filluan deklarimet e para nga përfaqë- suesit e BE-së në Kosove dhe sikur e tha edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, se kushti tjetër i fundit për liberalizimin e vizave është krimi i organizuar dhe korrupsioni", u shpreh ai.

"Pra, po del se deklarimet e qeveritarëve që Kosova mund të ketë liberalizim vizash deri në fund të këtij viti është vetëm farsë dhe asgjë tjetër. Në Kosovë nuk ka sundim të ligjit dhe të rendit, nuk funksionojnë shteti i së drejtës dhe as drejtësia, të cilën e ka kapur mafio-politika dhe pushteti i inkriminuar, i cili kontrollon çdo sferë të jetës në këtë vend, e gjithashtu korrupsioni galopant vazhdon të arrijë majat e shtetit, si në pushtetin qendror ashtu edhe në atë lokal.

Në këtë vend vazhdojnë të jenë të mbrojtura kokat e krimit bashkë me mafio-oligarkët e korruptuar e të kriminalizuar dhe ato defakto e de-jure qëndrojnë mbi ligjin dhe qeverisin apo kontrollojnë shtetin duke ia vrarë ardhmërinë qytetarit të këtij vendi", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)