Haradinaj: Fituam të drejtën për viza dhe të drejtën për Çakorr

  • 24 March 2018 - 17:01
Haradinaj: Fituam të drejtën për viza dhe të drejtën për Çakorr

Me rastin e 20 vjetorit të Epopesë së Dukagjinit që shënon edhe betejën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të zonës së Dukagjinit me forcat serbe, u tha se 24 marsi i vitit 1998 ishte shpresë e Kosovës për lirinë.

Për të nderuar dhe kujtuar dëshmorët që ranë në këtë betejë u organizua akademi përkujtimore ku morën pjesë personalitete dhe qytetarë të shumtë.

Me rastin e dekadës së dytë së Epopesë së Dukagjinit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se shembulli i familje Jashari nuk i la rrugë asnjë shqiptari pos luftës deri në liri.

Me rastin e 19 vjetorit të bombardimeve të NATO-s drejtë caqeve serbe, Haradinaj tha se NATO-s do i jenë mirënjohës gjithmonë, dhe të mirën që e kanë bërë për popullin shqiptar nuk do ia harrojnë kurrë.

Duke folur për kohën e luftimeve me forcat serbe gjatë betejës në Gllogjan, komandanti i UÇK-së për Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj tha se rrethimi i tyre nga forcat serbe nuk ka qenë i lehtë, por të gjithë luftëtarët kanë treguar një fuqi të madhe për të mos e lëshuar këtë tokë.

“Rrethimi ynë që na ka ndodhur në Gllogjan në atë kohë nuk ka qenë i lehtë por është gjetur një dalje e dalje është gjetur se e kemi dashur jetën, e kemi dashur lirinë, po atë ditë tre djemë tanë kanë rënë për liri…Ajo që kemi parë është një fuqi e madhe e njeriut të kësaj toke me mbet i lidhur me këtë tokë, mos me harruar e mos me lëshuar këtë tokë, këtë e kemi edhe pas qershorit të vitit 1999, si është kthyer populli”, tha ai.

Ai po ashtu para të pranishme foli edhe për marrëveshjen e demarkacionit, duke thënë se Kosova për tri vite ka qenë e rrethuar dhe e privuar nga e drejta për të lëvizur lirshëm, por sipas tij, askush me këtë marrëveshje nuk është mashtruar, vetëm se janë ndarë drejtimet euroatlantike.

Sipas tij, edhe Kosova do jetë pjesë e NATO-s dhe askush më nuk do mund që ta robërojë Kosovën dhe popullin e saj.

“I kemi rënë të gjitha rrugët, kemi shkuar deri tek miqtë, kemi fol mes vete si vëllezër që jemi të këtij vendi që edhe me çlirua njeriun tënd, pra me e fitua të drejtën me lëvizë lirshëm por edhe me ruajt të drejtën tokën tonë, me e ruajt të drejtën për Çakorr, për Kullë ashtu siç ishte më herët. Nuk është bërë kjo duke e mashtruar askënd as të vendit, as të jashtmit. Edhe Mali i Zi, edhe ne i kemi ndarë drejtimet tonë euroatlantike, duam të hyjmë në Evropë, duam të hyjmë në NATO…Po edhe ne po shkojmë kah NATO, kemi me hy në NATO, kemi me u bë NATO…Sot kur është vështirë e kur është rëndë ka plotë që hjekun dorë e ka tjerë që vijnë për kryeshnosh, nuk jemi për kryeshnosh, as Kosova, as shqiptarët mos ta harro kërkush këtë, a ka fillua mijëvjeçari ynë i shqiptarëve, jemi në shekullin e parë, jemi në nisje, jemi duke u takuar, duke iu bashkuar me familjet tonë të popujve të lirë….Kurrë ma kush nuk ka me mujtë me i robnua shqiptarët”, tha ai.

Kurse, zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj tha se 24 marsi tregoi se kushtrimi i komandantit legjendar Adem Jashari, jo që nuk do të shuhej por do të fuqizohet dhe Serbia do të merr goditjet përfundimtare.

Sipas tij, betejat e 24 marsit 1998, ishin beteja të fitores, shpresës se Kosova ishte drejtë lirisë, dhe se kjo datë është fillimin i zgjerimit të kushtrimit të madh për liri.

“24 marsi është fillimin i zgjerimit të kushtrimit të madh të djemve dhe të vajzave tona për të quar deri në fund amanetin e stërgjyshëve tanë, e baballarëve tanë, bashkëluftëtarëve tanë dhe komandantit tonë legjenda. Sot me krenari shënojmë 20 vjetorin e kësaj beteje, betejë e fitoreve, betejë e shpresës, betejë e sigurt që do të qonte Kosovën drejtë lirisë“, tha ai.

Sipas Limajt pa 24 marsin e vitit 1998 nuk do mund të gëzonim 24 marsin e vitit 1999.

I pari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, tha se 24 marsin e vitit 1998 e ka shpjeguar në dy dimensione historike dhe përcaktuese për të kaluarën dhe të ardhmen e Kosovës.

“Në këtë ditë lindi dhe u brumos shpresa jonë si komb që liria tashmë për ne kishe ardhur pavarësisht çmimit të madh që paguam. Dimensioni i dytë i 24 marsit është hyjnor fal Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, djemve dhe vajzave të gatshme për vetmohim, për herë të parë në historinë tonë shekullore shtetet e botës së civilizuar si Amerika Evropa, u gjendën në krahun tonë, 24 marsi i vitit 1998 mban vulën e Haradinajve, 24 marsi i vitit 1999 mban vulën e drejtësisë e të drejtës për të qenë i lirë“, tha ai.

Ramosaj tha se është obligim i të gjithë neve që të punojmë dhe të ndihemi të përgjegjshëm për të kaluarën dhe të ardhmen e shtetit tonë.

Sipas tij, kur Kosova udhëhiqet nga luftëtarët do merr perspektivën e shumë pritur.

E për të shënuar Epopenë e Dukagjinit kishte ardhur edhe Rifat Jashari nga familja Jashari, i cili tha se sot janë bashkuar në Gllogjan për t’i kujtuar bijtë dhe bijat të kësaj ane të cilët morën guximin që t’iu kundërvihen ushtrisë serbe.

“Ne të gjallët e kemi obligim moral edhe të domosdoshëm që të ulemi të punojmë bashkarishtë që ta dërgojmë çështjen e Kosovës përpara, ta ruajmë luftën, ta ruajmë gjakun, nëse e bëjmë këtë atëherë sado pak u kemi dal haku atyre që janë vrarë për liri të cilën po e gëzojmë ne sot”, tha ai.

Kjo akademi përkujtimore për nder të 20 vjetorit të Epopesë së Dukagjinit ka vazhduar më tej edhe me një program artistik, ku interpretuan Ilir Shaqiri, Arif Vladi, Viloletë Kukaj etj.

Ndryshe, gjatë ditës në Gllogjan qytetarë të shumtë, bashkëluftëtarë, emra të njohur nga politika vendore, kryetarë të komunave të Kosovës kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve.

(Kosova Sot)