Haziri: Zgjedhjet në dorën e PDK-së, LDK-ja gjithnjë ka bërë thirrje për rrëzimin e kësaj Qeverie

  • 24 March 2018 - 17:12
Haziri: Zgjedhjet në dorën e PDK-së, LDK-ja gjithnjë ka bërë thirrje për rrëzimin e kësaj Qeverie

Analisti Arsim Haziri, për gazetën " Kosova Sot ", tha se për krijimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë kërkohet mjaftueshëm masë parlamentare, po ashtu edhe një koordinim i ngushtë mes subjekteve opozitare. "E, në këtë çështje nuk e di sesa ekziston një klimë pozitive brenda subjekteve opozitare ( LVV dhe LDK ).

LDK-ja gjithnjë ka bërë thirrje për rrëzimin e kësaj Qeverie. Sipas saj, Qeveria akoma nuk ka arritur të realizojë as minimalisht programin e saj dhe kësisoj nuk meriton të udhëheqë me vendin më tutje", u shpreh ai. "Në këtë linjë Lëvizja 'Vetëvendosje' një kohë ka heshtur, meqë ishte duke u përballur me përçarjet e brendshme dhe realisht nga subjekti më i madh parlamentar kaloi në vendin e tretë. Tashmë edhe nga ky subjekt kemi përqafim të retorikës së LDK-së, për shkuarje të vendit drejt zgjedhjeve nacionale, çka sipas tyre vendi mund të pësojë ndryshime në të tria pushtetet", vlerësoi Haziri.

" Në këtë linjë konsideroj se shkuarja e vendit në zgjedhje varet nga niveli opozitar po ashtu edhe nga partneri qeverisës (PDK), që me shumë gjasë do të jetë faktori relevant në këtë çështje, duke i njohur edhe ambiciet e Veselit",thotë analisti Haziri. Sipas tij, edhe Pacolli akoma vazhdon të ketë pushtet të konsiderueshëm, pavarësisht përqindjes zgjedhore që ka marrë.

(Kosova Sot)