Kelmendi: Kushti i parë u plotësua, por i dyti akoma jo!

  • 24 March 2018 - 18:47
Kelmendi: Kushti i parë u plotësua, por i dyti akoma jo!

Edhe profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, tha për "Kosova Sot" se tash me vite dihet se për liberalizimin e vizave kanë qenë dy kushte dhe ka mbetur edhe një kusht për t'u përmbushur që të fillojë procedura për liberalizimin e vizave.

"Kushti i demarkacionit kaloi, por ky kusht nuk ishte kryesori dhe më i domosdoshmi për liberalizim. Më shumë kjo çështje është futur në kushtet e liberalizimit të vizave si rezultat e konflikteve të brendshme midis partive politike, gjendjes së krijuar dhe qëllimit të klanit "PRONTO" për të bërë problem me këtë, në mënyrë që të vonohet dhe kështu të amnistohen shumë nga kërkesat dhe veprimet e faktorit të jashtëm ndaj tyre, sidomos klikës që tash e mbi një decenie është në pushtet. Dhe, kjo pjekuri kriminale korri sukses. U vazhdua me konflikte të mëdha, të cilat e bënë jetën e klanit "PRONTO" shumë të qetë dhe tejet të suksesshme", theksoi ai. "Kushti i dytë, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, ishte kusht shumë më themelor dhe çdokush që merr vesh nga politika e BE-së e ka ditur gjendjen e tillë.

Ambasadori gjerman nuk bëri gjë tjetër veçqë solli edhe një herë në vetëdijen e qytetarëve faktin se liberalizim pa sukses në fushën e krimit dhe të korrupsionit, të mafisë oligarkike, kuptohet të nivelit të lartë, nuk bëhet liberalizimi. Me deklaratën e ambasadorit gjerman, z. Christian Held, u pa qartë se nuk ishte demarkacioni kushti themelor, krahas krimit dhe korrupsionit. Ndërsa tani dihet se me forcat e tashmë në pushtet, me gjendjen në polici, në prokurori dhe në gjykata, thjesht është shumë larg Kosova që të korrë suksese në luftën e tillë", tha profesori Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)