Mjaft kanë pritur kosovarët, BE t’ua mundësojë lëvizjen e lirë

  • 24 March 2018 - 19:42
Mjaft kanë pritur kosovarët, BE t’ua mundësojë lëvizjen e lirë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, po qëndron në Mynih të Gjermanisë, ku ka marrë pjesë në konferencën e organizuar për nder të 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, së bashku me ish-raportuesen për Kosovën, Ulrike Lunacek si dhe eurodeputetin Bernd Posselt.

Në fjalën e tij, Hoxhaj theksoi rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke thënë se qytetarët e Kosovës kanë pritur për kohë të gjatë që të lëvizin lirshëm, dhe që është koha që Bashkimi Evropian t’ia mundësojë lëvizjen.

Ai tha se mbështetja e Gjermanisë dhe Austrisë në këtë process është e rëndësisë së jashtëzakonshme.

“Po qëndroj në Munich të Gjermanisë, ku kam pasur një diskutim në panel me miqtë e Kosovës, ish-raportuesen për Kosovë në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek dhe eurodeputetin Bernd Posselt. Diskutuam për dhjetë vitet e shtetësisë së Kosovës, sfidat, të arriturat dhe përspektivën euro-atlantike të vendit tonë. Theks të veçantë i dhamë liberalizimit të vizave për Kosovën, ku mbështetja e Gjermanisë dhe Austrisë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Qytetarët e Kosovës kanë pritur mjaft dhe është koha që Bashkimi Evropian t’ua mundësojë lëvizjen e lirë tashmë”, ka thënë Hoxhaj në njoftimin e publikuar në Facebook.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj ka pasur edhe takime me diasporën kosovare në Munich, të cilët i ka inkurajuar të inkuadrohen në politikë në vendet ku jetojnë.

“Gjatë qëndrimit tim në Munich, pata rastin të takoja shumë bashkatdhetarë që jetojnë në Gjermani me vite të tëra. Theksova se kudo në Evropë, diaspora jonë duhet të bëhet pjesë aktive e ekonomisë dhe shoqërisë së atij vendi, por mbi të gjitha e politikës. I inkurajova të bëhen pjesë të partive politike, pa marrë parasysh cilave, dhe të garojnë në zgjedhje, sepse kështu i ndihmojnë vetes, shtetit ku jetojnë dhe Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.

(Kosova Sot)