Supremja konstaton shkelje në vendimet e Themelores dhe të Apelit për hudhjen e aktakuzës ndaj Dalibor Jevtiq

  • 19 April 2018 - 12:51
Supremja konstaton shkelje në vendimet e Themelores dhe të Apelit për hudhjen e aktakuzës ndaj Dalibor Jevtiq

Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar si të bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga ana e Prokurorisë së Shtetit, në rastin e ministrit për Komunitete dhe Kthim dhe zëvendëskryeministrit, Dalibor Jevtiq dhe dy të tjerëve, që akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Megjithëse, subjekti politik, Lista Serbe, pjesë e së cilit është Jevtiqi, është deklaruar se është tërhequr nga koalicioni qeverisës, një gjë e tillë ende nuk është bërë zyrtare.

Sidoqoftë, aktakuzën ndaj tij dhe dy të tjerëve, Nenad Stojqetoviq dhe Mihajlo Pelinqeviq, e kishte hudhur poshtë Gjykata Themelore në Prishtinë në korrik të vitit të kaluar, kurse vendimin e Themelores e kishte vërtetuar edhe Gjykata e Apelit, në tetor të vitit të kaluar.

Kundër këtyre aktvendimeve, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme ka paraqitur prokurori i shtetit, me pretendimet për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së Ligjit penal në dobi të të pandehurve, me propozim që kërkesa të aprovohet dhe këto shkelje  të konstatohen.

Në kërkesën e prokurorit, pretendohet se në aktvendimet e shkallës së parë dhe të dytët, nuk janë dhënë arsye lidhur me faktet vendimtare sepse fare nuk i janë  referuar Udhëzimit Administrativ nr.03/2008 për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës ku shprehimisht theksohet se automjetet zyrtare nënkuptohen automjetet që janë në pronësi apo në përdorim të Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu, në kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë së prokurorit, thuhet se kërkesën për përdorim të përkohshëm të këtyre automjeteve  mund ta ushtroj vetëm nëpunësi civil, e në rastin konkret kërkesën e ka parashtruar një kompani private si dhe faktin se vetëm Qeveria e Kosovës  vendos që automjeti që i përket Qeverisë të shitet apo ti jepet  në përdorim një institucioni tjetër.

Përgjigje në kërkesën e prokurorit të shtetit ka dhënë Dragan Vekoviq, mbrojtës i Dalibor Jevtiq.

Vekoviq, në përgjigjen e tij ka thënë se prokurori në kërkesën e tij, askund nuk ka përcaktuar shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale mirëpo vetëm ka bërë parafrazim të nenit 384 të Kodit të Procedurës Penale.

Po ashtu në përgjigje, mbrojtësi konsideron se kërkesa më shumë i referohet  gjendjes faktike duke konsideruar se në Gjykatën Supreme nuk mund ushtrohet kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë sa i përket vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike

Më tutje, në përgjigje, mbrojtësi konsideron se në veprimet e të pandehurit duhet të  ekzistoj qëllimi që vetit t’i siguroj përfitim material apo t’i shkaktoj dëm tjetrit me qëllim që të përmbushen elementet e veprës penale, e në rastin konkret deri te kjo nuk ka ardhur meqenëse automjeti që është objekt i aktakuzës, i vënë në përdorim të përkohshëm disa muaj, është kthyer në gjendje të rregullt, me çka edhe nuk është shkaktuar as një dëm dhe nuk është bërë përfitim material.

Nga të gjitha këto, mbrojtësi i kishte propozuar Supremes që të refuzohet kërkesa e prokurorit të shtetit.

Supremja kështu ka konstatuar se në aktvendimet për hudhje të aktakuzës të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe asaj të Apelit, ka pas shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Kërkesën e prokurorit të shtetit, kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të bazuar.

Supremja në aktgjykimin e saj thekson se gjykata e shkallës së parë ka bërë shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par.1 pika 1.12 të KPPK-së sepse arsyetimi i aktvendimit të kontestuar, sipas Supremes, është në kundërshtim me shkresat e çështjes dhe nuk përmban arsyetim të duhur dhe konkret lidhur me faktet vendimtare të kësaj çështjeje juridike.

Aq më tepër, sipas Supremes, arsyetimi i shkallës së parë nuk ka mbështetje në provat të cilat gjenden në shkresa të çështjes dhe nuk është në pajtim me nenin 370 par.7 të KPPK-së.

“Në shkresat e çështjes gjendet edhe Udhëzimi Administrativ i Qeverisë nr.03/2008 për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës dhe se në nenin 16.3 të po këtij Udhëzimi, Qeveria është ajo e cila vendosë lidhur me faktin se një automjet i Qeverisë të shitet apo t’i jepet në përdorim ndonjë institucioni tjetër. Po ashtu, me të njëjtin Udhëzim – nenin 6 kërkesën për përdorim të përkohshëm të automjetit mund ta ushtrojë vetëm nëpunësi civil e jo një kompani private siç është në rastin konkret.”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Tutje, sipas vlerësimit të Gjykatës së Supreme, gjykata e shkallës së parë në aktvendimin për hudhje të aktakuzës nuk ka jep fare arsyetim se si i pandehuri Jevtiq, ka nxjerr vendim me të cilin i ndahet në shfrytëzim të përhershëm automjeti, pronë e kësaj ministrie, kompanisë “Radio KIM” me qendër në Çagllavicë, edhe pse sipas këtij udhëzimi këtë të drejtë e ka vetëm Qeveria.

Gabimet e bëra nga shkalla e parë, sipas Supremes, i ka përsëritur edhe Gjykata e Apelit kur kishte vendosur që të refuzon ankesën PSRK-së dhe të vërteton vendimin e Themelores.

Aktgjykimi i Supremes përfundon duke thënë se nga të gjitha këto rrethana të cekura, është vërtetuar se më vendimet e Themelores dhe Apelit janë shkelur dispozitat e procedurës penale në favor të të pandehurve, andaj, Gjykata Supreme i ka konstatuar këto shkelje, mirëpo duke mos prekur në vendimin e formës së prerë në raport me këta të pandehur.

Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Dalibor Jevtiq, në cilësinë e ministrit të MKK-së, Nenad Stojqetoviq në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MKK dhe Mihajlo Pelinqeviq, si drejtor i Departamentit të Administratës dhe Financave në këtë ministri, më 11 shkurt 2014, akuzoheshin se së bashku si persona zyrtarë i kanë tejkaluar kompetencat dhe autorizimet e tyre. Këtë pretendohet se e kanë bërë me qëllim që të përfitojnë për vete apo personin tjetër, dhe njëkohësisht t’i shkaktojnë dëm MKK-së.

Në aktakuzë thuhej se me 11 shkurt 2014, i pandehuri Dalibor Jevtiç, në kundërshtim me nenin 16 të Udhëzimit Administrativ nr.03/2008 për përdorimin e automjeteve të Qeverisë së Kosovës, ka nxjerrë vendim, me të cilin veturën që ishte pronë e MKK-së ia ka dhënë për shfrytëzim të përhershëm kompanisë private “Radio KIM- TV Centar”, me seli në Çagllavicë.

Ndërsa, Nenad Stojçetoviq, si person përgjegjës për menaxhimin e pasurisë të kësaj ministre, duke e ditur që një vendim i tillë është i kundërligjshëm e ka urdhëruar zyrën ligjore të ministrisë që të përpilojë kontratë.

Kurse, Mihajlo Pelinçeviq, si person përgjegjës në Departamentin e Administratës dhe Financave në MKK, e ka nënshkruar kontratën për dhënien e veturës për shfrytëzim të përhershëm, mes MKK-së dhe “Radio KIM TV Centar”.

(Kosova Sot)