Zeqa:Aktakuzat e dobëta dhe profesionalisht të paqëndrueshme

  • 19 April 2018 - 15:24
Zeqa:Aktakuzat e dobëta dhe profesionalisht të paqëndrueshme

Sipas analistit Florim Zeqa, edhe kësaj radhe raporti i Komisionit Evropian hodhi kritika të ashpra në adresë të zbatimit të ligjit. Ai thotë se në shumë raste në gjyqësor dhe prokurori po dështohet me qëllim, me skenarë të parapërgatitur. "Aktakuzat e dobëta dhe profesionalisht të paqëndrueshme nga Prokuroria Speciale në njërën anë, si dhe blerja e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga të akuzuarit përmes "sekserëve" që paguajnë para të majme që aktakuzat të zbuten dhe të dobësohen në "mungesë të fakteve" për t'u rrezuar lehtësisht më pas nga gjykatat e korruptuara dhe shantazhuara njëkohësisht. Përderisa në krye të sistemit të drejtësisë të kemi prokurorë dhe gjykatës që blihen me para, sikurse "vezët në treg" nga mafia kriminale dhe nëntoka politike, Kosova përveçse do të vuajë për rend dhe ligj, do të vazhdojë të ketë sistem të stërkequr dhe të kalbur të drejtësisë. E për më keq se kaq do të vazhdojë agonia e pritjes së qytetarëve për liberalizim të vizave. Këtë e bëri të qartë edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian", u shpreh ai. "Përfundimisht, pa ardhjen në shprehje të prokurorëve, hetuesve dhe gjyqtarëve të mirëfilltë, me etikë e integritet profesionalë, të cilët nuk e shesin dhe as trafikojnë drejtësinë dhe që nuk lakohen nga presionet e politikës, që nuk dirigjohen e ndikohen nga shantazhi i mafio-oligarkëve të inkriminuar, Kosova do të mbetet në margjinat e agjendave të BE-së për liberalizim dhe anëtarësim në këtë organizatë. Për aq kohë sa nuk do të ndodhë liberalizimi i vizave, politikanët do të vazhdojnë të mashtrojnë qytetarët me premtime boshe, ashtu siç i mashtruan këto 10 vitet e kaluara", vijoi më tutje Zeqa."Angazhimi i të gjithëve për largimin sa më parë të kësaj klase politike, për më shumë se liberalizim të vizave, do të sillte zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare", tha ai për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)