Republika e komandantëve MERR GODITJE NGA BE-ja

  • 19 April 2018 - 08:06
Republika e komandantëve MERR GODITJE NGA BE-ja

RAPORTI I PROGRESIT KONSTATOI DËSHTIM NË SUNDIMIN E LIGJIT

Zeqa: Përderisa në krye të sistemit të drejtësisë të kemi prokurorë dhe gjykatës që blihen me para, sikurse "vezët në treg" nga mafia kriminale dhe nëntoka politike, Kosova do të vuajë për rend dhe ligj

Njohësit e fushës së sundimit të ligjit dhe analistët e konsiderojnë si shumë serioze gjendjen në drejtësinë e Kosovës. Sipas tyre, situata është alarmante, edhe nga vërejtjet serioze, të cilat u adresuan serish në raportin e Komisionit Evropian për sistemin e drejtësisë, ku përmenden e evidentohen e kritikohen ndikimet politike në drejtësi, mungesa e theksuar e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nga organet ligj zbatuese. Me këto konstatime lidhen edhe dyshimet në procedimin e rasteve, e ku shumica absolute e aktakuzave të prokurorisë po hidhen poshtë në gjykata. Sipas njohësve të kësaj fushe, veprimet e tilla po bëhen qëllimisht, duke hartuar aktakuza të dobëta dhe profesionalisht të paqëndrueshme edhe nga Prokuroria Speciale, edhe atë për shkak të joprofesionalizmit, por në raste të caktuara edhe për shkak të ndikimit nga "sekserët" që po paguajnë, që aktakuzat të janë qëllimisht të dobë- ta për t'u rrëzuar lehtë në gjykata. Pikërisht për këtë, sipas njohësve të kësaj fushe, akoma po vazhdon të vuajë Kosova për prokurore me etike e profesionistë, për hetues dhe gjyqtarë të mirëfilltë, me etikë e integritet profesional dhe të cilët nuk e shesin dhe as trafikojnë drejtësinë, dhe që nuk dirigjohen e ndikohen nga mafio-politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve të vendit.

ZEQA: BLERJA E PROKURORËVE DHE GJYQTARËVE NGA TË AKUZUARIT PËRMES "SEKSERËVE"

Sipas analistit Florim Zeqa, edhe kësaj radhe raporti i Komisionit Evropian hodhi kritika të ashpra në adresë të zbatimit të ligjit. Ai thotë se në shumë raste në gjyqësor dhe prokurori po dështohet me qëllim, me skenarë të parapërgatitur. "Aktakuzat e dobëta dhe profesionalisht të paqëndrueshme nga Prokuroria Speciale në njërën anë, si dhe blerja e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga të akuzuarit përmes "sekserëve" që paguajnë para të majme që aktakuzat të zbuten dhe të dobësohen në "mungesë të fakteve" për t'u rrezuar lehtësisht më pas nga gjykatat e korruptuara dhe shantazhuara njëkohësisht. Përderisa në krye të sistemit të drejtësisë të kemi prokurorë dhe gjykatës që blihen me para, sikurse "vezët në treg" nga mafia kriminale dhe nëntoka politike, Kosova përveçse do të vuajë për rend dhe ligj, do të vazhdojë të ketë sistem të stërkequr dhe të kalbur të drejtësisë. E për më keq se kaq do të vazhdojë agonia e pritjes së qytetarëve për liberalizim të vizave. Këtë e bëri të qartë edhe raporti i fundit i Komisionit Evropian", u shpreh ai. "Përfundimisht, pa ardhjen në shprehje të prokurorëve, hetuesve dhe gjyqtarëve të mirëfilltë, me etikë e integritet profesionalë, të cilët nuk e shesin dhe as trafikojnë drejtësinë dhe që nuk lakohen nga presionet e politikës, që nuk dirigjohen e ndikohen nga shantazhi i mafio-oligarkëve të inkriminuar, Kosova do të mbetet në margjinat e agjendave të BE-së për liberalizim dhe anëtarësim në këtë organizatë. Për aq kohë sa nuk do të ndodhë liberalizimi i vizave, politikanët do të vazhdojnë të mashtrojnë qytetarët me premtime boshe, ashtu siç i mashtruan këto 10 vitet e kaluara", vijoi më tutje Zeqa."Angazhimi i të gjithëve për largimin sa më parë të kësaj klase politike, për më shumë se liberalizim të vizave, do të sillte zhvillim ekonomik dhe mirëqenie qytetare", tha ai për "Kosova Sot".

PRETENI:KOMANDANTË TË PASHKOLLË, ANALFABETË DHE DËSHTAKË NA E VODHËN PERSPEKTIVËN, NA E OKUPUAN SHKOLLIMIN DHE SHËNDETËSINË!

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se shikuar realisht Raporti i Progresit është shumë më pozitiv sesa që e meritojnë institucionet e vendit. "Janë miqtë ndërkombëtarë që po tentojnë të na nxjerrin nga baltosja e "çlirimtarëve" tanë. Isha komandant i njësitit më kontribuues në Luftën e UÇK-së në zonën e Shalës, 13 dëshmorë dhe më shumë se 20 invalidë, pa asnjë problem ndërnjerëzor, asnjë pasuri e tjetërsuar. Listat e veteranëve dhe dëshmorëve e njëjtë si në vitin 1999 ashtu edhe në 2015, asnjë ndryshim. Isha krenar, i vetmi epror i lindur në qytet, me dy përgatitje universitare, ballëhapur para qytetarit. Por si u menaxhua tutje liria, komandantë fals, të pangopur, të papërjetuar, të etshëm për para dhe pasuri. E shkelën amanetin, e gllabëritën vendin, ia morën qytetarit perspektivën. Bisedon me qytetarë dhe ata e kërkojnë robërinë vetëm të mos i shohin "çlirimtarët". Kosova kështu po rrëshqet në mjerim, komandantë të pa shkollë, analfabetë dhe dështakë që na e vodhën perspektivën, na e okupuan shkollimin dhe shëndetësinë", theksoi ai. "Shtiren se humbëm territor nga jashtë, kurse të gjithë pasurinë shtetërore të brendshme e përvetësuan vetë, 300 hektarë tokë blihen me 70,000 euro! Nuk kam nostalgji aspak për sistemin e kaluar, por e gjithë pasuria e ish-udhëheqësve komunistë për 40 vjet është më e vogël se pasuria e vetëm një komandanti të pasluftës. Nuk kemi shkollim, nuk kemi shëndetësi, nuk kemi ekonomi të lirë, nuk kemi veteranë të mirëfilltë, nuk kemi inteligjencë të mirëfilltë. I kemi vetëm komandantët që na zaptuan lirinë dhe perspektivën, prandaj Raporti i Progresit të gjitha shtetet në regjion i vlerësoj më mirë, pasi në ato shtete komandantët nuk janë në pushtet", vlerësoi Hasan Preteni për "Kosova Sot".

Të korruptuarit po amnistohen

Analisti politik dhe publicisti Naim Kelmendi thotë se të gjeturat e Raportit të Progresit, për të gjitha nivelet e institucioneve ku hasen dobësi, është i saktë edhe kur flet për të gjeturat dhe dështimin e sistemit të drejtësisë. "Fatkeqësisht prokurorët po i mbrojnë politikanët e korruptuar dhe të inkriminuar në krim të organizuar dhe korrupsion së bashku me mafiooligarkët, e që këta mafio- oligarkë janë shefa në hije të të gjitha institucioneve në Kosovë, qoftë në nivelin qendror apo qoftë në nivelin lokal. Mbase edhe duke qenë e kundërligjshme si veprim, ndodh që prokurorët e lidhur me këto rrjete në Kosovë, në shumicën e rasteve të kallëzimeve penale i hartojnë dobët dhe më pastaj ato i hedhin poshtë gjykatat, ose zvarriten dhe hidhen poshtë pas heshtjes së gjatë e mosndërmarrjes së veprimeve ligjore. Madje ka raste kur edhe pa asnjë argument të arsyeshëm këto lëndë lihen të parashkruhen nëpër sirtarët e gjykatave apo prokurorive të vendit", u shpreh ai."Në fakt kjo neglizhencë e qëllimshme profesionale atakon drejtpërdrejt funksionin e drejtësisë dhe në anën tjetër nxjerr në pah faktin se drejtësia në Kosovë ka nevojë imanente për reformim substancial dhe për pasurim me prokurorë dhe gjyqtarë të mirëfilltë e me etikë, me integritet që nuk e shesin dhe nuk e trafikojnë drejtësinë", theksoi Naim Kelmendi. Të arsyeshme dhe me plot përmbajte i sheh të gjeturat për dobësi në sistemin e drejtësisë edhe njohësi i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti."Nuk është për t'u habitur nga të gjeturat e Raportit të Komisionit Evropian, pasi që çdo qytetar së paku ka përjetuar një përvojë të hidhur në institucionet e drejtësisë, joprofesionalizmin, neglizhencë, korrupsion e joefikasitet në shërbime administrative. Mendoj se kemi prokurorë e gjykatës profesionistë e me integritet të lartë moral, por zinxhiri menaxhues është i kapur nga politika dhe kjo reflekton në performancën e dobët të institucioneve të drejtësisë", theksoi ai."KGJK-ja dhe KPK-ja janë thellë ta kapura nga pushtetet në vazhdimësi dhe pikërisht mbikëqyrja, kontrolli e me një fjalë dirigjimi bëhet nga këto dy institucione, ku edhe e përzgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve bëhet nën urdhrat e këtyre dy institucioneve partiake", vijoi më tej Ahmeti për "Kosova Sot". Sipas tij, duhet shtuar presioni për reforma në drejtësi. 

Gazeta ka dërguar pyetje, madje ka provuar të kontaktojë edhe fizikisht me të gjithë përfaqësuesit e institucioneve të thirrura të drejtësisë që atakohen nga këto shqetësime të ngritura në opinionin publik, KGJK-së, KPK-së, Kryeprokurorisë Speciale, kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit, por nuk kanë kthyer përgjigje dhe as nuk kanë pranuar që të kontaktohen për të biseduar sy më sy lidhur me këto çështje.

(Kosova Sot)