Policia e Kosovës arreston dhjetë persona

  • 20 April 2018 - 16:19
Policia e Kosovës arreston dhjetë persona

Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona të dyshuar për veprat penale “cenim i të drejtave autoriale” dhe “tregti e ndaluar”

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit gjegjësisht Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike, pas një hetimi disa mujorë, në bashkëpunim me Njësitë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike si dhe të asistuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike, nën dyshim për kryerjen e veprave penale ''cenim i të drejtave autoriale'' dhe ''tregti e ndaluar'', dje me datën 19 prill 2018 ka ndërmarrë një operacion kontrolli në pesë rajone të Kosovës: Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjilan dhe Gjakovë.

Gjatë realizimit të këtij operacioni me urdhëresë të gjykatës kompetente janë kontrolluar 10 (dhjetë) lokale-biznese, 2 (dy) shtëpi-banesa, janë arrestuar 10 (dhjetë) persona si dhe janë sekuestruar dëshmitë në vijim:

·         shtëpiza kompjuterike 5 (pesë) copë
·         kompjuterë llap-top 4 (katër) copë
·         telefona mobilë 2 (dy) copë
·         Android Box 33 (tridhjetë e tre) copë
·         TV 1 (një) copë
·         USB 4 (katër) copë
·         fletore pune 2 (dy)
·         paragon-bllok-fatura 2 (dy) copë
 

 Për të njejtit, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit me veprimet e tyre kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme duke shitur platforma të kanaleve televizive të njohura si IPTV pa leje dhe pa autorizim paraprak dhe njëkohësisht duke shkelur të drejtën autoriale të subjekteve të cilët kanë autorizimin dhe të drejtën ekskluzive për emetimin e kanaleve televizive. Me këto veprime të dyshuarit e lartshënuar kanë dëmtuar kompanitë legale të cilët kryejnë veprimtari të rregullt të kësaj fushe sipas ligjeve në fuqi.

Me këto veprime të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale ''cenim i të drejtave autoriale'' nga neni 296 i KPK-së dhe ''tregti e ndaluar'' nga neni 305 i KPK-së.

(Kosova Sot)