Shpërthen skandali, ja si u shkel protokolli në vizitën e kryeministrit të Bullgarisë

  • 20 April 2018 - 07:40
Shpërthen skandali, ja si u shkel protokolli në vizitën e kryeministrit të Bullgarisë

QEVERIA BULLGARE KËRKON SHPJEGIME NË AMBASADËN KOSOVARE NË SOFJE

Gaxherri: Shkuarja e z. Pacolli në Kukës, mu në ditën kur në Kosovë erdhi kryeministri bullgar, është një fyerje për mysafirin e lartë që erdhi në Kosovë, është një fyerje për Kosovën

Drejtues të institucioneve më të larta shtetërore dhe të Qeverisë së Kosovës edhe një herë kanë vazhduar me skandalet e tyre kur është në pyetje mikpritja e zyrtarëve më të lartë ndërkombëtarë. Mësohet se kësaj here skandali i radhës ndodhi me rastin e vizitës së kryeministrit bullgar, Boyko Borissov, i cili në fillim të kësaj jave qëndroi në një vizitë njëditore në Kosovë. Si dihet Bullgaria e ka udhëheqjen 6-mujore të radhës me BE-në. Gazeta ka mësuar se në pritjen që iu bë kryeministrit bullgar në ANP-në "Adem Jashari", u shkel protokolli i shtetit, sepse në pritjen e kryeministrit bullgar do të duhej që të ishte një nivel tjetër shtetëror, ndërkohë që ai është pritur nga ana e këshilltarit të kryeministri Haradinaj, Gazmend Abrashi. Sipas rregullave të protokollit shtetëror, kryeministri i një shteti të huaj mund të pritet nga një nivel më i lartë, duke përfshirë të paktën zv.ministrin e Jashtëm, kryetarin e Komisionit të jashtëm të Kuvendit, këshilltarin diplomatik të presidentit ose shefin e kabinetit të kryeministrit. Burimet e sigurta të gazetës thonë se Qeveria bullgare ka reaguar në Ambasadën e Kosovës në Sofje për këtë skandal diplomatik, duke kërkuar sqarime për lëshimin e protokollit të shtetit. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në adresë të Gazmend Abrashit gazeta nuk ka marrë përgjigje.

Nivel tepër i dobët qeveritar

Analisti politik, Arsim Haziri, për "Kosova Sot" tha se për ta parë injorancën dhe paaftësinë mjafton ta vështrojmë qeverisjen aktuale, respektivisht figurën qendrore të këtij pushteti, Ramush Haradinaj. "Ky përpos që është një pasqyrë e dobët në nivelin ndërkombëtar, ngase po shkakton skandale të rënda, ai të njëjtën logjikë e ka në zbatim edhe brenda Kosovës", u shpreh ai."Edhe rasti i vizitës së kryeministrit bullgar (vendi i të cilit udhëheq BE-në) përbën skandal të madh shtetëror, kjo natyrisht tregon edhe për nivelin e dobët të këshillimit që është vendosur brenda kabinetit qeveritar. Kjo anomali fatkeqësisht ka kohë që është vendosur masivisht në institucionet e larta publike dhe nga mënyra siç funksionojnë kanë neglizhuar rënd funksionalitetin shtetëror", vijoi më tutje ai."Kosova këtu ku është nuk është rastësisht, por ajo është falë liderëve, të cilët në emër të qeverisjes së dinjitetshme kanë uzurpuar e rrudhur pasuritë publike", theksoi Haziri. Ndërsa, eksperti i fushës së integrimeve evropiane, Jeton Kelmendi, për "Kosova Sot" tha se mospritja në nivelin e duhur së paku nga ministri i jashtëm apo vetë kryeministri apo zëvendëskryeministri, është skandaloze. "Ka qenë dashur që të pritet kryeministri bullgar në vizitën që i ka bërë Kosovës, sepse ashtu e jep rregulli në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe natyrisht edhe për respektin e sidomos kur kësaj radhe si dihet Bullgaria është edhe kryesuese e Bashkimit Evropian këta 6 muaj dhe kryeministri bullgar nuk është vetëm i atij shteti, por edhe kryesues 6-mujor i politikës së BE-së dhe i njëjti, ndërkaq është pritur nga një këshilltar i Ligës së Tretë", theksoi ai. "Kjo në radhë të parë është një papërgjegjësi totale e institucioneve tona, por edhe një analfabetizëm politik i sojit, Haradinaj, Limaj, Pacolli, Hoxha, sepse të gjithë këta treguan se sa janë të papërgjegjshëm duke treguar se ata nuk dinë se si duhet pritur një burrështetas, sepse në mentalitetin e tyre është e ngulitur se më e rëndë- sishme është shkuarja e tyre për të marrë një çmim fshati diku atje në Kukës sesa për ta pritur një burrështetas", potencoi Kelmendi.

Pushtet i skandaleve

Ndërsa, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga tabori opozitar, Besa Gaxherri (LDK), tha për "Kosova Sot" se kjo qeveri që nga dita e konstituimit të saj ka bërë vetëm skandale."Edhe po deshëm nuk mund të identifikojmë se ka një sukses apo ndonjë veprim që identifikohet me interesat e këtij populli dhe qytetarëve. Neve si asnjëherë më parë në rrugëtimin tonë kemi nevojë për miq e mos të flasim për njerëz që kryesojnë qeveritë e vendeve të ndryshme si ka qenë kryeministri bullgar", u shpreh ajo."Sjellja e qeverisë së vendit tonë në këtë mënyrë duke e thyer protokollin e saj shtetëror na tregon mosrespekt të thellë, duke dëshmuar edhe një herë se kjo qeveri është arrogante e padijshme dhe se dita ditës ajo po dëshmohet gjithnjë e më shumë se është shumë e dëmshme për vendin tone", vlerësoi Gaxherri. "Shkuarja e z. Pacolli në Kukës, mu në ditën kur në Kosovë erdhi kryeministri bullgar, është një fyerje për mysafirin e lartë që erdhi në Kosovë, pra është një fyerje për Kosovën, sepse fundi i fundit ky vend është pavarësuar falë atributeve njerëzore që i ka pasur ky vend e popull me në krye ish-presidentin Ibrahim Rugova që na përfaqësoi denjësisht atëherë kur në botë nuk e dinte askush se ku është Kosova. Dhe ka qenë pikërisht sjellja e z. Rugova respektin, konsideratën dhe virtytet që i ka ky komb e ka kthyer botën dhe sytë e saj nga Kosova. Kurse ne sot me dy-tre apo dhjetë kapadainj që kanë ardhur në krye të këtij vendi e përfaqësojnë një popull e një vend krejt ndryshe sesa që është realiteti në Kosovë", potencoi ai.

Përgjegjësia bie mbi kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm

Ndërsa, deputeti tjetër i Kuvendit të Kosovës nga tabori i opozitës, Salih Salihu (i pavarur) për gazetën "Kosova Sot", tha se aspak nuk duhet që të habitemi se përse Qeveria e Kosovës po vazhdon që të bëjë skandale në pritjen e zyrtarëve të lartë ndërkombëtar, sepse ky skandal protokollar nuk është i pari që po e bëjnë qeveritë tona të pasluftës. Opozitari Salihu thotë se edhe një herë jemi duke dëshmuar para botës se nuk jemi të denjë që të sillemi si duhet me miqtë tanë ndërkombëtarë. "Skandali i radhës i pushtetarëve tanë është ndër më të rëndët, sepse në këtë rast bëhet fjalë për një skandal protokollar që ndodhi me rastin e vizitës së kryeministrit bullgar vendi, i të cilit e ka udhëheqjen 6 mujore të BE-së dhe veç saj bëhet fjalë për një lider të një shteti që tradicionalisht dhe historikisht kanë qenë miqtë tanë", potencoi ai."Shkelja e protokollit shtetëror në pritjen që ju mikut tonë nga Bullgaria nuk ka qenë me fajin e z. Gazmend Abrashi, këshilltar ekonomik i kryeministrit Haradinajt. Kjo sepse fundja Abrashi vetëm e ka respektuar dhe e ka kryer me përpikëri një vendim të Qeverisë së Kosovës. Ndërkaq e tërë barra e përgjegjësisë bie mbi kryeministrin Haradinaj dhe ministrin e Jashtëm, Pacolli, që ka qenë dashur të jenë në Aeroportin e Prishtinës për ta pritur mysafirin e lartë ndërkombëtar", vlerësoi Salihu.

(Kosova Sot)