Thaçi, përmes Tahirit, BLLOKON VETTING-un

  • 20 April 2018 - 07:30
Thaçi, përmes Tahirit, BLLOKON VETTING-un

ANALISTËT AKUZOJNË SE PUSHTETARËT PO I FRIKËSOHEN REFORMËS

Mehmeti: Çdo reformë në drejtësi do të nënkuptojë që Hashimi dhe klani i tij 'Pronto' të futen prapa grilave, aty ku edhe e kanë vendin

Derisa tema e VETTING-utnë drejtësi është bërë çështje debati në shoqërinë civile edhe në Kosovë dhe kërkesë e ekspertëve të fushës së drejtësisë, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri deklaroi të mërkurën në seancën e Kuvendit se VETTING-u është shumë i rëndësishëm, por që tani nuk është një zgjidhje për Kosovën. Tahiri tha se tani për tani, sipas tij, duhet të rrisim numrin e gjyqtarëve. Shpërfaqja e kësaj frike dhe rezistence të ministrit të Drejtësisë në raport me kërkesat për bërjen e ligjit të VETTING-ut,është kritikuar edhe nga deputetë të Kuvendit të Kosovës, por edhe nga analistët e kësaj fushe. Ata theksojnë se këtë zvarritje të ligjit të VETTING-ut Tahiri e bën pasi ai është dora e djathtë e presidentit Hashim Thaçi që nga 2007-ta dhe tani po dëshiron që fillimisht të rrisë numrin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve administrativë, para se të fillojë procesin e përpilimit të ligjit për VETTING-un, sepse vetëm kështu do të shpëtojnë, prokurorët dhe zyrtarët e instaluar aty nga vetë politika, nuk do t'i ndjekin njerëzit e inkriminuar të politikës, prandaj edhe dëshiron të vendosë njerëzit e vet të një "rrethi të ri" të gjyqtarëve, prokurorëve dhe zyrtarëve, të cilët do t'i shpëtonin VETTING-ut, për shkak se ky raund i ri që kyçen në sistemin e drejtësisë para këtij procesi do t'i shpëtojnë VETTING-ut. Duke qenë të rinj, nuk mund të ketë argumente për keqpërdorimet e tyre, dhe ky raund i ri i gjyqtarëve dhe prokurorëve do të mbeten aty edhe pas VETTING-ut dhe të punojnë për interesa ekskluzive të politikanëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale, të cilët edhe do t'i zgjedhin tani si njerëz të dëgjueshëm të politikës aktuale-kriminale.

Momenti i duhur për reforma

Një gjë të tillë e pohon deputeti Ali Lajçi nga VV-ja."Unë nuk mendoj që tani është herët, e nuk është koha për ta filluar këtë procesin e VETTING-ut edhe në Kosovë, madje ky është një proces i vonuar, por tani lufta është se si për ta mbrojtur akoma më gjatë klientelën e shtresuar në institucionet e drejtësisë dhe disa struktura të tjera, përndryshe ligji i VETING-ut është dashur të ndodhë kaherë edhe mungesa e tij po shihet çdo ditë e më shumë, kurse tani e tutje çka të vonohet më shumë do të jetë akoma më keq", u shpreh ai. "Ky ligj duhet të bëhet sa më shpejt, megjithëse duhet pasur parasysh edhe disa predispozita të veçanta që duhet marrë parasysh në rastin e Kosovës. Ata po hezitojnë ta bëjnë tani, sepse i kanë të instaluara të gjitha strukturat dhe klientelizmin nëpër të gjitha institucionet dhe nuk kanë aspak dëshirë as gatishmëri që t'i prekin ato struktura kriminale", tha deputeti Lajçi për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti dhe publicisti, Naim Kelmendi po ashtu pohon se deklarata e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, se Vetting-u nuk është zgjidhje për Kosovën,respektivisht drejtësinë,e demaskon më së miri edhe mendësinë e kësaj Qeverie. "Kur të kihet parasysh edhe Raporti i Progresit i fundit i BE-së për Kosovën, atëherë me këtë gjendje që kemi lirisht mund të thuhet se jemi larg plotësimit edhe të standardit të fundit të kërkuar nga BE--ja për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe kësisoj edhe larg liberalizimit të vizave, dhe kjo faturë i shkon qytetarit të Kosovës", u shpreh ai. "Vetting-u është imperativ i kohës për ta pastruar deri në fund drejtësinë dhe po ashtu edhe administratën nga të korruptuarit e të inkriminuarit, në mënyrë që Kosova të bëjë hapa konkretë dhe të matshëm drejt plotësimit të standardit të fundit në integrimet evropiane", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

MIFTARI: NJË VETTING I NJËMEND DO TA KRASISTE SË PARIT PDK-NË, POR DHE PARTITË E TJERA TË INVOLVUARA NË KRIMIN E ORGANIZUAR

Edhe eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se deklarimi kundër VETTING-ut nga ministri Tahiri vjen pasi ai vepron dhe punon siç e urdhëron shefi apo bosi i tij, Hashim Thaçi."Dhe, prandaj është normal që ministri i PDK-së deklaron se është kundër Vetting-ut, pasi një Vetting i njëmend do ta krasiste së parit PDK-në, por dhe partitë e tjera të involvuara në krimin e organizuar", tha ai për "Kosova Sot". "Tani, edhe qëllimi i shtimit të numrit prokurorëve dhe gjyqtarëve, përveçqë e dëmton buxhetin, vetëm do ta shtojë korrupsionin dhe keqpërdorimet zyrtare, pasi bëhet pyetja nga ku vijnë ata prokurorë të rinj, kush i sjell kush i pranon në ato vende të punës, pasi jam shumë i sigurt se këta prokurorë të rinj do vijnë të korruptuar dhe me misione politike dhe klanore. Që do të thotë se janë të korruptuar akoma pa filluar punën si prokurorë ose gjykatës. Prandaj, them që vetëm tani një VETTING i fuqishëm i përkrahur nga SHBA-ja dhe BE-ja do të pastrojë drejtësinë dhe shtetin", theksoi Miftari për "Kosova Sot".

ZEQA: SHTIMI I NUMRIT TË PROKURORËVE DHE GJYQTARËVE, SIPAS PREFERENCAVE TË KLASËS POLITIKE TË KORRUPTUAR, E BASTARDON AKOMA MË TEPËR DREJTËSINË!

Analisti Florim Zeqa thotë se deklarata e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, në seancën e Kuvendit se Vetting-u nuk është zgjidhje për Republikën e Kosovës shpërfaq në mënyrën më të pasinqertë tendencën për mbrojtjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivelet e larta të institucioneve të shtetit. "Mirëpo, kjo nuk paraqet befasi kur dihet e kaluara dhe tashmja e tij (dorë e djathtë e presidentit Hashim Thaçi që nga 2007-ta e deri në ditët e sotme). Shtimi i numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve, sipas preferencave të klasës politike të korruptuar në pushtet, jo vetëm që nuk e ndihmon luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit endemik, e bastardon akoma më tepër institucionin e drejtësisë në vendin tonë. Më mirë një prokuror apo gjykatës i pastër sesa 100 sish të korruptuar dhe nënshtruar përballë krimit të organizuar", u shpreh ai. "Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, si dorë e zgjatur e Hashim Thaçit me kompani, duke qenë i bindur se VETTING-u, si një proces i pashmangshëm nga i cili nuk do të shpëtojnë gjyqtarët dhe prokurorët e inkriminuar, ka vendosur për krijimin e një rrethi prej prokurorëve dhe gjyqtarëve të rinj, i cili për qëllim ka mbetjen e tyre në krye të KGJK-së dhe KPK-së, edhe pas VETTING-ut që të punojnë për interesa ekskluzive të politikanëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale, të cilët edhe do t'i zgjedhin tani si njerëz të dëgjueshëm të politikës aktuale-kriminale", vijoi më tutje ai për "Kosova Sot". "Bazuar në deklaratën e Tahirit, shihet qartë se politika nuk është e interesuar fare për ta luftuar krimin e korrupsionin, e sidomos atë tek krerët e pushtetit dhe vartësve të tyre të instaluar në sistemin e drejtësisë", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

MEHMETI: SHKAPJA E SHTETIT NGA GJYQTARËT DHE PROKURORËT E KORRUPTUAR ËSHTË VETËM NJËRA NDËR HALLKAT E ZINXHIRIT QË PO E SHTRËNGON VENDIN!

Edhe analisti Faton Mehmeti vlerëson se deklarata e ministrit të Drejtësisë është skandaloze dhe e ndikuar nga frika se shefi i tij, mbase edhe vetë ai përfundojnë në burg. "Në rast se Vetting-u do të implementohej në vendin tonë, besoj se Kosova do të mund të çlirohej nga kjo klasë politike, e cila e ka degraduar vendin në masë të madhe. Andaj, reforma në drejtësi përmes Vetting-ut është i domosdoshëm, pasi përmes saj vendin merr frymë më lirshëm. Shkapja e shtetit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar është vetëm njëra ndër hallkat e zinxhirit që po e shtrëngon vendin, duke mbytur në masë të madhe shpresën e qytetareve për drejtësi", theksoi ai. "Ministri Tahiri është servil i Hashimit, dhe si i tillë nuk ka si mos t'u shërbejë interesave të tij, që ka të bëjë me mungesën e reformës në drejtësi", vijoi më tej Mehmeti. "Çdo reformë në drejtësi do të nënkuptojë që Hashimi dhe klani i tij 'Pronto' të futen prapa grilave, aty ku edhe e kanë vendin. Prandaj, për t'u bërë Vetting-u së pari duhet të largohet Hashimi nga pushteti, pasi me Hashimin dhe klanin e tij asnjëherë s'do të ketë drejtësi", tha Faton Mehmeti për "Kosova Sot".

Ahmeti: Deklarata e zotit Tahiri është skandal i llojit të vet

Ashpër ka reaguar kundër zvarritjes së VETTING-ut edhe analisti Hidajet Ahmeti."Deklarata e zotit Tahiri është skandal i llojit të vet dhe nuk mund të arsyetohet në asnjë mënyrë një deklaratë e llojit të tillë. Nga kjo deklaratë kontroverse në raport realitetin faktik në sistemin e drejtësisë, na bënë të kuptojmë se zoti Tahiri është i instrumentalizuar nga politika e nëntokës dhe njerëzit e fuqishëm të PDK-së", theksoi ai. Sipas tij, kjo lidhje kriminale e njerëzve të pushtetshëm ka krijuar një anarki totale në institucionet kyçe të shtetit.

(Kosova Sot)