Mbretëresha e Britanisë cakton të birin në krye të Komonveltit

  • 20 April 2018 - 18:38
Mbretëresha e Britanisë cakton të birin në krye të Komonveltit

KRERË TË SHTETEVE DHE DINJITARË, PJESËMARRËS NË CEREMONINË E PALLATIT BAKINGAM

Mbretëresha Elizabeth ka qenë simboli i Komonveltit që nga viti 1952 

Mbretëresha iu dha dinjitarëve të huaj se, 'dëshirë e saj e sinqertë' është që ata ta zgjidhnin princin Charles në postin e liderit të Komonveltit, nesër kur ata do të mblidhen që zyrtarisht ta caktojnë pasardhësin e saj. Lartmadhëria e saj dhe trashëgimtari i fronit mirëpritën krerët e shteteve në Pallatin Bakingam, për hapjen formale të takimit dyditor të krerëve të qeverive të Komonveltit. Me një veprim jo të rëndomtë, mbretëresha, e cila të shtunën mbush 92 vjet, bëri të qarta mendimet e saj rreth trashëgimisë dhe tha se, shpreson që i biri do të jetë në gjendje që ta vazhdojë punën e rëndësishme, të filluar 'nga im at, në vitin 1949'. Ky post nuk trashëgohet, por princi Charles, i cili është po ashtu trashëgimtar i froneve të 16 shteteve të Komonveltit, pritet që ta marrë postin, përkundër kundërshtimit nga disa republikanë, transmeton "Kosova Sot Online".

Princit nuk do t'i mungojë mbështetja

Vendimi se a do ta trashëgojë Charles të ëmën, si krye i Komonveltit, pasi që të bëhet mbret, pritet që të merret të premten nga liderët e vendeve, ku raportet bëjnë me dije se princit nuk do t'i mungojë mbështetja. Spektakli i së enjtes, me pompozitet dhe madhështi, solli disa nga liderët nga e mbarë bota, të cilët u mirëpritën nga garda e nderit, me flamujt e 53 vendeve anëtare të Komonveltit. Në masa të ashpra të sigurisë, ku u bllokuan rrugët rreth Pallatit Bakingam, autokolonat sillnin mysafirët. Pjesëtarët e familjes mbretërore ishin aty, me rastin e ceremonisë hapëse, ku mbretëreshës dhe princit Charles iu ishin bashkuar dukesha e Kornuollit, duka i Kembrixhit, princi Harry, duka i Jorkut, princesha mbretërore (Princess Royal), kontesha e Ueseksit dhe duka i Kentit, princi dhe princesha Michael nga Kenti, si dhe princesha Alexandra.

Himnin kombëtar e këndoi këngëtarja Emeli Sande

Mbretëresha Elizabeth, e cila ka qenë simboli i Komonveltit që nga viti 1952, në fillim të fjalimit të saj hyrës, foli rreth 'udhëtimit të jashtëzakonshëm' të saj si kryesuese e Komonveltit, i cili u krijua nga i ati i saj, mbreti George VI, me anë të Deklaratës së Londrës, të vitit 1949. Mbretëresha vazhdoi duke thënë: 'Kur i takoj liderët e ri të këtij shekulli, unë takoj përkushtimin tim afatgjatë të bërë në Afrikë, në vitin 1947, kur kisha vetëm 21 vjet. Derisa po afrohet një ditëlindje tjetër këtë javë, në mendje kam udhëtimin e jashtëzakonshëm të cilin e kam bërë dhe të gjitha ato të mira që janë arritur. Mbetet kënaqësi dhe nder i madh që t'iu shërbej si kryesuese e Komonveltit dhe të shikoj me krenari dhe kënaqësi këtë rrjet duke lulëzuar. Dëshiroj sinqerisht që Komonvelti të vazhdojë të ofrojë stabilitet dhe vazhdimësi për gjeneratat në vijim dhe të vendosë që, një ditë, Princi i Uellsit ta marrë detyrën e rëndë- sishme, të filluar nga im at, në vitin 1949". Princin Charles në këtë drejtim e mbështeti edhe kryeministri i Maltës, Dr Joseph Muscat. Himnin kombëtar e këndoi këngë- tarja Emeli Sande, i ati i së cilës vjen nga shteti i Komonveltit - Zambi, derisa e ëma e saj është nga Britania. Gjatë ceremonisë hyrëse, kryeministrja britanike Theresa May falënderoi mbretëreshën për përkushtimin e saj jetësor ndaj Komonveltit, i cili shpesh quhet edhe familje e kombeve. Kryeministrja iu drejtua delegatëve, duke thënë: 'Kjo është një arsye për të festuar, me krenari të përtërirë, në nder të familjes sonë të jashtëzakonshme të Komonveltit'. Moderatore e mbrëmjes ishte prezantuesja e BBC-së, Reeta Chakrabarti, e cila prezantoi një grup këngëtarësh nga vendet e Komonveltit, të cilët performuan këngën e Natasha Bedingfield-it, "Unwritten". MNë anën e tij, princi Charles tha se, shpreson që të mos vijë vetëm deri te rivitalizimi i lidhjeve midis 'shteteve tona', por që edhe Komonvelti të marrë një rëndësi të përtërirë për të gjithë qytetarët. Princi Charles deklaroi se, kjo familje e 53 shteteve ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës së tij, duke filluar që nga vizita e tij e parë në Maltë, kur kishte vetëm pesë vjet. E krijuar nga ish Perandoria Britanike, kjo organizatë e vullnetshme, që përfshin një të tretën e popullsisë botërore, rëndom përqendrohet te zhvillimi dhe demokracia, por një vëmendje të shtuar ia përkushton edhe stimulimit të tregtisë. 

(Kosova Sot)