Partitë fshehin financat e dyshimta kriminale

  • 21 April 2018 - 09:26
Partitë fshehin financat e dyshimta kriminale

RAPORTI I PROGRESIT SËRISH ADRESOI VËREJTJE SERIOZE 

Donatorët e sponsorët përfitojnë në rrugë korruptive nga pushteti

"Edhe pse disa herë është përsëritur, sërish në Raportin e Progresit theksohet kërkesa e Komisionit Evropian për transparencë rreth burimeve dhe shpenzimeve financiare të partive politike në Kosovë. Mirëpo, ky proces po stangon me qëllim, se po u bë zbulimi i këtij financimi, të gjitha partitë dalin të jenë të inkriminuara", potencoi Ragip Guraziu për "Kosova Sot" E dhe në Raportin e Progresit është përsëritur sërish kërkesa e Komisionit Evropian për transparencë rreth burimeve dhe shpenzimeve financiare të partive politike në Kosovë. Kjo, sepse partitë politike kanë vazhduar me avazin e vjetër, që të mos i bëjnë publike raportet e tyre financiare, ashtu siç edhe është paraparë me Ligjin për financimin e subjekteve politike. Partitë politike po i shmangen publikimit të burimeve të tyre të financimit dhe qarkullimit të parave. Sipas analistëve, diçka po fshihet brenda këtyre financave të panjohura të partive politike, ngase po të mos kishte diçka të dyshimtë, spektri politik nuk do të hezitonin që t'i bëjnë publike financat e tyre. Analistët thonë se emëruesi i përbashkët i të gjitha partive politike, është korporata e inkriminuar e klanit "Pronto", pra vëllezërit Devolli, të cilët në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve të ligjshme, ashtu që nga xhepat e tyre morën disa qindra miliona euro për afro 10 vjet dhe realisht e de facto i kanë " blerë" dhe financojnë kriminalisht të gjitha partitë politike në Kosovë. Andaj, nga njohësit e kësaj fushe thuhet se janë financuesit e të gjitha partive politike, pikërisht shoqëritë e inkriminuara dhe kërcënuese për vendin, si në pjesën "me letra", por sidomos edhe në atë "pa letra", ku paratë përfundojnë në xhepat e kontot e shefave të mëdhenj të të gjitha partive,pa asnjë dallim e pa asnjë përjashtim.

Qeverisje kriminale dhe mashtruese

Analisti politik, Arsim Haziri, për " Kosova Sot ", tha se sikur të mos kishte diçka të dyshimtë, sigurisht se raportet financiare të partive politike do të ishin zbuluar. "Mirëpo, përderisa një gjë e tillë nuk është publikuar, nënkuptohet për një agjendë negative që zhvillojnë subjektet politike, në kuptimin e raporteve që i gëzojnë më ndërmarrjet ekonomike", u shpreh ai. "Publikimin e raporteveinanciare e parasheh edhe ligji, dhe në këtë aspekt subjektet politike janë duke bërë shkelje kushtetuese. Ligji për financimin e partive është baza nga e cila marrin fuqi financiare subjektet, njëkohësisht me këtë normë përcaktohet edhe rrjedha e burimeve financiare që i gëzojnë partitë politike. Ndaj, çdo vonesë në këtë dimension nënkupton për fshehtësi eventuale, por a do të duhej të vepronte gjykata, natyrisht se po, por fatkeqë- sisht nuk po veprojnë", shtoi më tutje Haziri. Analisti politik,Ymret Reshiti, për " Kosova Sot", tha se Raporti i Progresit për Kosovën tregon më së miri se Kosova po vendnumëron me mosplotësimin e kushtet për marrjen e liberalizimit të vizave. "Fryma qeverisëse e qeverisjeve të Kosovës në vazhdimësi po tregohen neglizhente dhe të paafta, ngase nuk e kanë të qartë se sa duhet angazhim dhe përkushtim për ta integruar Kosovën në Bashkimin Evropian", theksoi ai. "Qeveritë e Kosovës, sikurse edhe kjo e Haradinajt, po presin si zakonisht " mëshirë " nga BE- ja sa i përket plotësimit të kushteve për integrim. As këtë vit nuk pritet të këtë liberalizim të vizave për Kosovën dhe demarkacioni ka qenë vetëm mashtrim për ta mbuluar tradhtinë e faljes së territorit të Kosovës shtetit malazez", potencoi Reshiti. "Mostransparenca e burimeve të financimit të partive politike mbetet vrimë e zezë për Kosovën. Kjo nuk është rastësi, sepse disa parti politike në Kosovë financohen nga krimi dhe oligarkia kriminale. Sikur të publikohen burimet e financimit të disa partive politike, atëherë do të vërtetoheshin lidhjet kriminale mes financuesve dhe udhëheqjeve të partive politike si dhe do të zbulohen mjetet financiare me të cilat po bëhet blerja e votave të qytetarëve", vijoi më tej ai.

Shkelje e ligjevedhe Kushtetutës

Analisti Dardan Grapci, tha për "Kosova Sot", se kërkesa e KE-së, për transparencë rreth shpenzimeve dhe burimeve financiare tek partitë politike në Kosovë është me vend, sepse askush nuk e di se nga po financohen këto parti, kush po qëndron prapa kësaj etj. "Partitë politike po bëjnë gabim që nuk dalin haptas për të treguar se nga kush po financohen, ngase sa e dimë asnjë parti politike në Kosovë nuk ka mbijetuar e vetme pa pasur financa apo donatorë nga brenda apo nga jashtë", u shpreh ai. Sipas Grapcit, partitë politike ose po kanë frikë të tregojnë emrin e kompanive apo personave se kush është financues, ose diçka e madhe po fshihet prapa krejt kësaj, ku ndoshta mund të ketë të ardhura që nuk dëshirojnë që publiku vendor t'i mësojë. " Partitë Politike janë ato që kanë dhënë betimin, por edhe që janë betuar në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, se nuk do t'i shkelin, andaj si ka mundësi që tani këto parti politike vetë t'i shkelin këto ligje. Së këndejmi, shtrohet pyetja se përse policia e Kosovës, e cila në fakt duhet të jetë institucion i ndarë nga politika, merr urdhra nga këta politikanë që t'i lënë rehat duke e shkelur ligjin me të dyja këmbët dhe nuk e pësojnë fare", vijoi më tutje Grapci. Ndërsa analisti Ragip Guraziu, për "Kosova Sot", tha se emërues i përbashkët i të gjitha partive politike është se ato janë korporata të inkriminuara të klanit " Pronto", dhe të vëllezërve Devolli,duke qenë pjesë e krimit të organizuar dhe kjo është arsyeja përse ato subjekte politike po i shmangen publikimit të burimeve financiare. "Edhe pse disa herë është përsëritur, sërish në Raportin e Progresit theksohet kërkesa e Komisionit Evropian për transparencë rreth burimeve dhe shpenzimeve financiare të partive politike në Kosovë. Mirëpo, ky proces po stangon me qëllim, se po u bë zbulimi i këtij financimi, të gjitha partitë dalin të jenë të inkriminuara",potencoi ai.

Sipas tij, ky edhe është qëllimi, se përse partitë politike kanë vazhduar të mos i bëjnë publike raportet e tyre financiare, ashtu siç edhe është paraparë me Ligjin për financimin e subjekteve politike. " Kjo, sepse prapa tyre qëndron pikërisht nëntoka kriminale dhe mafio-oligarkët e inkriminuar, që rehatshëm qëndrojnë në jahtet dhe aeroplanët e tyre privatë të mafio-oligarkëve të klanit 'Pronto' dhe 'Coca Cola Zero', duke ua "lagur fytin" me para të pista", ka shtuar më tutje Guraziu.

Qytetarët kritikojnë ashpër partitë

Ndërkaq, qytetarët tanë e vlerësojnë shumë real Raportin e Progresit që flet për Kosovën dhe me këtë rast ata kërkojnë transparencë shumë më të madhe financiare nga i tërë spektri politik i Kosovës. Qytetari Naim Berisha, aktor kosovar në Teatrin Kombëtar, për " Kosova Sot", tha se spektri politik vendor duhet të jenë transparentë në raportim dhe publikimin e shpenzimeve që kanë bërë gjatë fushatave. "Kjo nuk bëhet qëllimisht nga ana e partive politike për t'i fshehur disa shpenzime shtesë apo disa donatorë të caktuar të mëdhenj që në momente të caktuara, pasi përfundojnë zgjedhjet, edhe mund të marrin ndonjë tender si kompensimi i ndihmesës së tyre financiare gjatë këtyre fushatave zgjedhore, andaj këto edhe po bëhen nga shumë biznese private", theksoi ai. Ndërsa, qytetari Mirsad Krasniqi, për " Kosova Sot",tha se mostransparenca financiare e partive politike po bëhet për t'i fshehur gjurmët e tyre nga ata sponsorë dhe donatorë që i financojnë partitë politike. "Kurse më vonë, kur këto parti politike të vijnë në pushtet, ata do t'i kompensojnë donatorët e fushatave të tyre përmes dhënies së tenderëve që do të ju kthehen shumëfish me para", ka theksuar ai. S.Blaku

(Kosova Sot)