RAPORTI I DASH-IT, NJË TJETËR SHUPLAKË PËR DREJTËSINË NË KOSOVË

  • 21 April 2018 - 15:12
RAPORTI I DASH-IT, NJË TJETËR SHUPLAKË PËR DREJTËSINË NË KOSOVË

Pas raportit të Komisionit Evropian, edhe raporti I Departamentit Amerikan të Shtetit I ka dhënë notë negative sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Raporti përshkruan edhe gjendjen e burgjeve dhe qendrave të paraburgimit që sipas tij përmbushin disa standarde, por vazhdojnë problemet, në veçanti, mungesa e programeve rehabilituese, dhuna ndërmjet të burgosurve, korrupsioni, ekspozimi ndaj pikëpamjeve radikale fetare apo politike dhe kujdesi jo i duhur mjekësor.

Ndonëse kushtetuta ofron një drejtësi të pavarur, thuhet në raport, sipas Komisionit Evropian, Organizatave Joqeveritare dhe Avokatit të Popullit, administrata e drejtësisë ishte ngadalshme dhe nuk kishte mundësi për të kërkuar llogari nga zyrtarët gjyqësorë. Strukturat e drejtësisë ishin subjekt i ndërhyrjeve politike me emërime të diskutueshme dhe mandate të paqarta. Gjykatat janë të ngarkuara me lëndë të pazgjidhura. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit, gjykatat zgjidhën 170 mijë raste dhe morën 130 mijë raste të reja.

Raporti cek se sSipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, 358 mijë e 135 raste civile dhe penale administrative dhe komerciale ishte në pritje deri në korrik. Përveç kësaj, 154 mijë e 596 vepra të vogla ishin në pritje të gjykimit.

Raporti vëren se një mekanizëm për procedurat disiplinore kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve është në fuqi, por ishte joefektiv. Sipas raportit, autoritetet nganjëherë nuk arritën të zbatonin urdhrat e gjykatës, duke përfshirë edhe ato të Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht vendimet që ishin në favor të pakicave.

Raporti përmend edhe zbatimin e marrëveshjes për sistemin e drejtësisë në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ku nga tetori ka filluar integrimi i gjykatave në sistemin juridik të Kosovës.

Ndërsa Raporti i Komisionit Evropian i publikuar ditë më parë ka konstatuar se sistemi gjyqësor i Kosovës është në një fazë të hershme dhe disa përparime janë arritur në zbatimin e ligjeve të vitit 2015. Sipas raportit të KE-së, integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të Kosovës dhe i stafit të tyre mbështetës në sistemin gjyqësor të Kosovës ishte një arritje e madhe e vitit 2017.

Raporti vëren se gjyqësori është ende i prekur nga ndikimet e panevojshme politike dhe institucionet e sundimit të ligjit kërkojnë përpjekje të vazhdueshme për të ndërtuar kapacitetet e tyre. Administrimi i drejtësisë mbetet i ngadalshëm dhe joefikas.

Sipas raportit, korrupsioni është i përhapur dhe mbetet një çështje shqetësuese, derisa thuhet se nevojiten përpjekje të përbashkëta për të trajtuar këtë problem në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe strategjike.

Kosova është në një fazë të hershme në luftën kundër krimit të organizuar. Janë bërë disa përparime në lidhje me korrupsionin e nivelit të lartë dhe rastet e krimit të organizuar. Derisa ka pasur konfiskime paraprake të pasurive, ende nuk ka dënime përfundimtare, hetime financiare dhe konfiskime përfundimtare të pasurive.

(Kosova Sot)