Beqiri:Republika jonë e 'shkretë' në çdo Raport të Progresit ka raport negativ

  • 22 April 2018 - 12:28
Beqiri:Republika jonë e 'shkretë' në çdo Raport të Progresit ka raport negativ

Analisti Lulzim Beqiri, për " Kosova Sot", tha se kuvendarët e Republikës së Kosovës asnjëherë të vetme nuk qenë unikë në krijimin e komisioneve hetimore për moszhvillim ekonomik, përderisa Kosova i ka të gjitha parametrat që të jetë një shtet i zhvilluar. "Janë miliarda euro që janë investuar në Kosovë nga fonde të ndryshme nga mbarë bota, dhe ne ende kemi 15 për qind të popullit në asistencë sociale, janë mbi 45 për qind e rinisë pa punë, çka janë duke vepruar këta deputetë, kur është në pyetje privilegji i tyre, krejt bëhen bashkë për t'ia rritur vetes privilegjet, a për zhvillimin ekonomik as që kanë prioritet", u shpreh ai. "Republika jonë e "shkretë" në çdo Raport të Progresit ka raport negativ lidhur me kriteret ekonomike, nepotizmi, konkurrenca jolojale, krimi i organizuar, politizimi i administratës, kurdisja e konkurseve, e deri te shitja e certifikatave të veteranëve, pra edhe Raporti i vitit 2018 ka specifikuar qartë politizimin e skajshëm të administratës, kur është në pyetje ekonomia, të gjithë në heshtje. Çfarë na intereson neve për problemet rajonale e globale, përderisa bukë nuk kemi në tryezat tona, ngremë lloj- lloj komisionesh me interes e pa interes të shtetit tonë, e arterien kryesore të funksionimit të shtetit e kemi lënë ne duart e biznesmenëve politikanë", vijoi më tutje Beqiri. "Shumica e politikanëve kosovarë janë të paktën milionerë, si ka mundësi gjithë ky sukses i tyre, a mos vallë janë aq ekspertë për ta nuhatur suksesin? Pra, një ligj, i cili konfiskon pasurinë e fituar pa meritë do të ishte ideal për kohën aktuale. Kuvendi ka në përbërjen e vet ekspertë të mirë të ekonomisë, po pse janë në gjumë këtë nuk mundem ta kuptoj", theksoi ai.

(Kosova Sot)