Me Thaçin në krye, Kosova sërish humbëse në dialog (Video)

  • 22 April 2018 - 08:59
Me Thaçin në krye, Kosova sërish humbëse në dialog (Video)

BISEDIMET ME SERBINË, NË FAZËN FINALE

Presidenti nuk duhet të lejohet t'i udhëheqë negociatat

Qeveria e Kosovës e ka miratuar dy ditë më parë dhe e ka dërguar në Kuvend platformën për vazhdimin e dialogut, për fazën finale me Serbinë, me propozimin që këtij procesi të vazhdon t'i prijë deri në fund presidenti i vendit, Hashim Thaçi. Ky proces i deritanishëm është kritikuar edhe nga opozita, edhe nga shoqëria civile për mungesë transparence dhe nënshkrimin e shumë marrëveshjeve të dëmshme, nga të cilat ka përfituar Serbia dhe kryesisht ka humbur shteti i Kosovës. Tani mbetet një pikëpyetje e madhe se si do të veprojnë deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë diskutimit dhe vendimmarrjes për rimandatim të këtyre bisedimeve. Partitë politike opozitare akoma janë në dilemë se si do të votojnë, ndonëse sipas tyre është momenti kritik kur nevojitet në konsensus nacional për ta finalizuar këtë proces. Mirëpo, frika ekziston se po t'i lejohet edhe më tutje Hashim Thaçit që të udhëheqë bisedimet me Serbinë, duke e ditur se ka bërë koncesione të pafalshme dhe mund të bëjë serish pazare në kurriz të Kosovës për të shpë- tuar lëkurën e vet nga aktakuza e pritshme prej Gjykatës Speciale, atëherë si mundësi shihet edhe gjetja e një formule tjetër të rikompozimit të ekipit për dialog final, duke u përjashtuar presidenti nga ky proces. Sidoqoftë deri në seancën e diskutimit të këtij dokumenti nuk ka ndonjë qëndrim të prerë.

Opozita nuk sheh përparim në platformë

Ismet Beqiri nga LDKja thotë se për aq sa ka arritur të informohet platforma e Qeverisë nuk paraqet ndonjë lloj risie të veçantë nga e kaluara, përveç propozimit që presidentit t'i vazhdohet mandati në bisedime, të cilat pa mandat Kuvendi i ka udhëhequr deri më tani."Është një lloj përsëritje, njëfarë retorike, nuk ka diçka të veçantë përpos asaj që mendohet sipas tyre që këto bisedime me i udhëheq presidentët, në këtë rast nga ana jonë presidenti i vendit, kjo është një çështje që duhet të bisedohet se a është në rregull dhe a është kërkesë e BE-së dhe SHBA-së. Nëse këto dy palë janë që mendojnë se këto bisedime duhet të ngrihen në nivel presidentësh, duke kuptuar që gjithmonë ata duhet t'i japin llogari Kuvendit të Kosovës, atëherë është një çështje tjetër, por për këtë, pasi të qartësohen këto gjëra sigurisht edhe LDK-ja do ta thotë qëndrimin e saj", tha Ismet Beqiri për "Kosova Sot". Kundër kësaj metode të imponimit të çështjes paraprakisht është edhe deputeti Adem Mikullovci nga 'VETËVENDOSE'. "Megjithëse si subjekt politik akoma nuk kemi marrë qëndrim, nuk kemi diskutuar, ne si deputetë nuk kemi mbajtur mbledhje për të marrë një vendim të përgjithshëm, por besoj që të gjithë kanë për ta kundërshtuar", tha Mikullovci për "Kosova Sot". Ai tha se pavarësisht asaj do të propozojë që në bisedimet e radhës delegacioni i Kosovës t'i kundërvihet emërtimit që serbët i bëjnë shtetit tonë, si Kosovë e Metohi, duke iu referuar Serbisë si Serbia-Vojvodina dhe Sanxhaku, sepse këtë fjali dhe këtë emërtim tha që e ka përdorë edhe në ishKuvendin e Kosovës të viteve të 90- ta, kur aso kohe e patën kundërshtuar keq dhe patën reaguar deputetë serbë, me të cilët gati kishte filluar edhe qërimi fizik i hesapeve. 

Kosova humbi në bisedime

Analisti politik, Reshat Badallaj, mendon se Kuvendi nuk do të duhej lejuar më tutje që presidenti të jetë në krye të këtyre bisedimeve, por që të gjejë zgjidhje tjetër, ngase, sipas tij, deri më tash, nga procesi i dialogut të cilit i ka prirë presidenti, fillimisht nga pozita e kryeministrit, Kosova ka humbur dhe Serbia ka fituar. "Personalisht unë jam plotësisht kundër që Hashim Thaçi të udhëheqë bisedimet me Serbinë fashiste, sepse ka një mori arsyesh, por po i përkujtojmë se ka qenë disa herë shumë i papërgatitur, ka bërë shumë lëshime dhe gafa në dëm të Kosovës, është vërtetuar se është njëri i dyshimtë dhe i shitur. Publikisht dihet se shumë herë ka shtruar dreka e darka me Aleksandar Vuçiqin, nejse ato zyrtare, por e kam fjalën shumë sosh tinëzisht dhe prapa krahëve të popullit, që ka rezultuar shumë të dyshimta dhe kemi humbur shumë. Pastaj, vetëm e vetëm sa për të shpëtuar lëkurën e tij të zëmë me Gjykatën Speciale, që me fajin pikërisht të tij dhe të askujt tjetër u bëmë gazi i botës, pastaj sa dëm të madh na solli dhe na armiqë- soi me Bashkimin Evropian dhe Amerikën," tha Badallaj për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Ali Hertica thotë se është jo parimore nga ana e qeverisë, e cila i ka paraprirë propozimit që presidenti të jetë në krye të bisedimeve, sepse për këtë është dashur të dalin me propozime vetë partitë politike në Kuvend, derisa qeveria ta propozojë vetëm programin në kornizat konkrete. "Platforma e cila është hartuar nga njerëzit e Qeverisë së Kosovës për dialogun me Serbinë është diçka joparimore, sepse këtë duhet ta japë Kuvendi, që aty të debatojë rreth platformës politike dhe njerëzit e thirrur për këto çështje madhore, të cilat presin dhe duhet të vendosen në Kuvend", theksoi Hertica për "Kosova Sot".

Të gjitha argumentet kundër Presidentit

Edhe profesor Muhamet Kelmendi thotë se vetë kryeministri Haradinaj do të duhej që t'i propozonte Kuvendit të Kosovës ndryshimin rrënjësor të mandatit të bisedimeve, duke mos lejuar që ato t'i drejtojë presidenti Thaçi, por në krye të tyre të prijë Qeveria me një grup uniteti të përbërjes gjithëpërfshirëse politike, me platformë dhe konsensus të qartë nacional. Kelmendi jep disa argumente pse presidenti Thaçi nuk duhet të jetë më në krye të këtyre bisedimeve, qofshin ato edhe si fazë finale e përmbylljes mes dy vendeve dhe ia sheh për të madhe kryeministrit pse e ka dhënë një propozim që presidenti të vazhdojë tutje. "1. Z. Hashim Thaçi është ai që e shkatërroi LPK-në, 2. Me nënshkrimin e z. Thaçi u likuidua UÇK-ja në vitin 1999, 3. Z. Hashim Thaçi krijoi me bashkëpunëtorë të vet komunat jofunksionale serbe në Kosovë, 4. Nën udhëheqjen e z. Thaçi u krijua Veriu i vendit, 5. Z. Thaçi i armatosi dhe i veshi kriminelët serbë të veriut me uniformë të Policisë së Kosovës dhe tash veprojnë nën diktatin e shtetit serb, 6. Është Thaçi që bëri dy demarkacione dhe ua fali tokën e Kosovës shteteve fqinje, 7. Është z. Thaçi që e futi Republikën në thonjëza, 8. Z. Hashim Thaçi nënshkroi Marrëveshjen për Asociacion, 9. Z. Thaçi bëri shkelje të mëdha edhe të Kushtetutës, si dhe të kompetencave, mbi të cilat funksionon shteti dhe 10. Z. Thaçi i vendosi njerëzit më të dyshimtë në pushtet, si në polici, në prokurori dhe në organet tjera të shtetit", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Ai thekson se mjaftojnë të gjitha këto argumente të sakta që të flasin mjaftueshëm pse nuk duhet vazhduar dhe besuar tutje Thaçi të jetë në krye të këtyre bisedimeve dhe jo vetëm në këto, por nuk duhet të jetë askund ku diskutohet e vendoset për fatin e Kosovës. 

Fundi politik i kryenegociatorit

Njohësi i afërt i këtij procesi të deritanishëm të dialogut, Blerim Burjani, thotë se sado që është i padëshirueshëm dhe i papërshtatshëm Hashim Thaçi që të vazhdojë këtë proces, është shumë e sigurt që edhe Kuvendi do të marrë vendim që ai akoma të jetë në krye të kësaj detyre, pavarësisht të kaluarës dhe dëmeve që janë shkaktuar deri më tani, ngase është edhe një kërkesë ndërkombëtare që procesi të vazhdojë nga dy aktorët e deritanishëm në mandatin e kaluar, Thaçi e Vuçiq."Ka shumë arsye pse Hashimi duhet edhe për një kohë me mbetet këtu ku është, edhe pse po shkon ka fundi politik. E vërteta është se ai fare nuk e di se mund të jetë i akuzuar prej Gjykatës Speciale, ideja ndërkombëtare është që të hiqen njerëzit e konfliktit të viteve 90 nga politika ballkanike, kjo ka ndodhur edhe me Serbinë, nuk janë të gjitha fytyrat e shumta që dilnin dikur e ndillnin luftë në Ballkan, tash ky numër i tyre në politikë është reduktuar dukshëm, kanë mbetur në Serbi ende dy apo tri figura politike të konfliktit dhe dhunës që duhet të hiqen nga politika", theksoi ai."Perëndimi dhe BE-ja e duan një klasë të pastër, jokonfliktuoze, në pushtet, por nëse regresioni vazhdon dhe mbeten në pushtet këta njerëz mendoj se nuk do të ketë më tutje përkrahje për këto shtete", shtoi më tutje Burjani për "Kosova Sot".

Qytetarët duan ekip të ri negociator

Qytetar të anketuar rreth kësaj çështje shprehin mendime të ndryshme. Dominon mendimi që presidentit t'i pamundësohet vazhdimi i bisedimeve, pasi që në të kaluarën marrëveshjet nuk kanë qenë në favorin e shtetit të Kosovës, por ka edhe mendim tjetër, sipas të cilit, nëse faktori ndërkombëtar i kërkon presidentit që t'i prijë procesit, ekipi të jetë gjithëpërfshirës dhe ta kontrollojnë atë që të mos i lehjet të bëjë gabime apo pazare në dëm të interesit nacional. Qerim Ferizi, avokat nga Deçani, thotë se nuk është në favor të asaj që në proces të bisedimeve të vazhdojë as presidenti Thaçi dhe askush nga përbërja e kaluar, as Edita Tahiri, sepse ishte një proces krejtë- sisht i dështuar dhe në dëm të Kosovës."Mua ma merr mendja se rezultate të deritashme, sa u përket bisedimeve me shtetin serb, nuk ka pasur, nuk janë vërejtur fare rezultat e bisedimeve të deritanishme. Unë mendoj që nuk duhet që delegacionin e Kosovës ta udhëheqë presidenti Thaçi, meqenëse e thashë që nuk ka pasur efekte, e më ajo Edita Tahiri hiq se hiq. Unë ndoshta do të bëhem subjektiv, mirëpo i ati im që nga data 14 prill të vitit 1999 është i zhdukur dhe deri tash fare nuk kam dijeni për të. Po e lëmë ndjenjën e subjektivitetit, por po them që pikë së pari me ditë pikën kryesore, të kërkohet se ku gjenden prindit dhe të afërmit tanë, e vetëm më pastaj të vazhdojnë bisedimet e mëtejme", tha Qamil Ferizi. I këtij mendimi është edhe Halil Canolli, i cili po ashtu mendon që presidenti nuk duhet të përfaqësojë Kosovën në këtë dialog, por të formohet krejtësisht përbërje e re e ekipit të unitetit me një konsensus nacional në Kuvend. "Ekipi i bisedimeve me Serbinë deri më tash ka qenë ashtu siç është më së ligshti. Rezultatet e atyre bisedimeve, ditaditës veç po dëshmohen me fakte të gjalla, politika evropiane ajo e vjetra është edhe sot, por mos të flas edhe për politikën ruso-sllave dhe serbe, që është dhe e dimë, sepse budallenj nuk jemi. E dimë çka mendojnë dhe çka janë duke bërë. Kosova është duke shkuar kështu drejt ndarjes së territoreve ende, mirëpo edhe Kuvendi i Kosovës, sipas mendimit tim, deri tash asgjë nuk ka bërë në këtë drejtim", tha Canolli për "Kosova Sot". Ruzhdi Mejzinolli, historian në pension, thotë që tash më shumë se kurrë Kosovës i duhet ekip uniteti, në përbërje të gjerë politike, në bisedimet me Serbinë dhe nuk duhet që individët të shihen me inate, prandaj nuk do të kishte gjë të keqe që nëse këtij procesi vazhdon t'i prijë ai që e ka filluar, Hashim Thaçi, por duke i pasur me vete në ekip përfaqësuesit e të gjitha partive politike nën platformën nacionale të miratuar në Kuvend. "Unë konsideroj që i gjithë spektri politik duhet të bashkohet, që të mos i mbetet faji askujt nga subjektet politike, por ai që ia ka filluar edhe le ta mbarojë", theksoi ai. Sipas tij, në fund megjithatë varet nga SHBA-ja fundi i këtij procesi.

(Kosova Sot)