Kelmendi:Nën udhëheqjen e z. Thaçi u krijua Veriu i vendit

  • 22 April 2018 - 16:17
Kelmendi:Nën udhëheqjen e z. Thaçi u krijua Veriu i vendit

Profesor Muhamet Kelmendi thotë se vetë kryeministri Haradinaj do të duhej që t'i propozonte Kuvendit të Kosovës ndryshimin rrënjësor të mandatit të bisedimeve, duke mos lejuar që ato t'i drejtojë presidenti Thaçi, por në krye të tyre të prijë Qeveria me një grup uniteti të përbërjes gjithëpërfshirëse politike, me platformë dhe konsensus të qartë nacional. Kelmendi jep disa argumente pse presidenti Thaçi nuk duhet të jetë më në krye të këtyre bisedimeve, qofshin ato edhe si fazë finale e përmbylljes mes dy vendeve dhe ia sheh për të madhe kryeministrit pse e ka dhënë një propozim që presidenti të vazhdojë tutje. "1. Z. Hashim Thaçi është ai që e shkatërroi LPK-në, 2. Me nënshkrimin e z. Thaçi u likuidua UÇK-ja në vitin 1999, 3. Z. Hashim Thaçi krijoi me bashkëpunëtorë të vet komunat jofunksionale serbe në Kosovë, 4. Nën udhëheqjen e z. Thaçi u krijua Veriu i vendit, 5. Z. Thaçi i armatosi dhe i veshi kriminelët serbë të veriut me uniformë të Policisë së Kosovës dhe tash veprojnë nën diktatin e shtetit serb, 6. Është Thaçi që bëri dy demarkacione dhe ua fali tokën e Kosovës shteteve fqinje, 7. Është z. Thaçi që e futi Republikën në thonjëza, 8. Z. Hashim Thaçi nënshkroi Marrëveshjen për Asociacion, 9. Z. Thaçi bëri shkelje të mëdha edhe të Kushtetutës, si dhe të kompetencave, mbi të cilat funksionon shteti dhe 10. Z. Thaçi i vendosi njerëzit më të dyshimtë në pushtet, si në polici, në prokurori dhe në organet tjera të shtetit", tha Kelmendi për "Kosova Sot". Ai thekson se mjaftojnë të gjitha këto argumente të sakta që të flasin mjaftueshëm pse nuk duhet vazhduar dhe besuar tutje Thaçi të jetë në krye të këtyre bisedimeve dhe jo vetëm në këto, por nuk duhet të jetë askund ku diskutohet e vendoset për fatin e Kosovës. 

 

(Kosova Sot)