Haskuka e mbyll 100-ditëshin me lavdërime, qytetarët dalin me ankesa

  • 22 April 2018 - 16:28
Haskuka e mbyll 100-ditëshin me lavdërime, qytetarët dalin me ankesa

PAK PROJEKTE TË REALIZUARA JANË PARË NË PRIZREN NËN DREJTIMIN E VV-SË

Anulimi i projektit të teleferikun nga komuna nuk është parë me sy të mirë nga qytetarët

Kryetari i komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka raportuar për 100-ditëshin qeverisjes, duke lexuar mbi 50 faqe, kurse qytetarët janë shprehur të pakënaqur me punën e tij gjatë kësaj periudhe. Haskuka foli për katër premtimet e tij për një komunë të hapur, për më shumë gjelbërim, Komunë më efikase dhe komunë për punësim, zhvillim e prosperitet. Ai ka thënë se brenda kësaj kohe ka pasur 2313 vizita. Lidhur me hapësirat e gjelbëruara tha se deri më tani në këtë drejtim kemi punuar shumë duke mbëltuar 550 fidanë dhe do të vazhdojnë në pastrimin e qytetit përmes aksionit "Pastro përtej pragut". Ai ka shtuar se ka eliminuar njërën nga pikat me të mëdha të deponisë së egër atë në "Varosh". Haskuka tha se punëtorët e administratës janë në shërbim të qytetarëve, duke eliminuar pushimin e orës 12:00 dhe janë duke menduar që të punohet edhe të shtunave. 

 

Premtohet hapja e parkut të biznesit

Haskuka ka thënë se për t'u shërbyer qytetarëve janë duke menduar që dy E-kioska t'i sjellim paranë komunës. Ai ka shtuar se 6 shkolla që nga viti i ri shkollor në Prizren do të fillojnë me procesin tërëditor të punës, janë duke punuar që shenjëzimet t'i bëjmë me drita reflektuese, kurse angazhimet po i bëjnë që të fillojmë sa më parë hapjen e parkut të biznesit. Ai ka folur edhe për disa nevoja urgjente që do të shohin mundësitë më të mira për rritjen e turizmit në Prizren, largimin e lypsarëve si dhe ka treguar se kanë vizituar mbi 80 për qind të thertoreve dhe fabrikave të përpunimit të mishit e ku tha se është parë se Prizreni ka mish të shëndetshëm dhe të garantuar sipas standardeve. Ai ka thënë se niveli lokal do të vazhdojë investimet për kompletimin e infrastrukturës në zonën ekonomike, në Lubizhdë dhe në "Boka-boka", ani pse ende nuk janë përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara me legjislacionin në fuqi. Haskuka ka bërë të ditur se aktualisht janë të plotësuar vetëm 6 kritere nga 16 sa janë të nevojshme për shpalljen e zonës së lirë ekonomike. Sipas tij, në këtë zonë as transferi i pronës, përkatësisht dhënia në shfrytëzim të Komunës së Prizrenit nuk është realizuar. 

 

Problem i madh largimi i lypsarëve

Kryetari i shoqatave të afaristëve të Prizrenit, Refet Bushati, është shprehur për gazetën "Kosova Sot" se "Shadërvani" është mbushur me fëmijë lypsarë dhe me "trabuka" që po i japin këtij qyteti imazhin më të ndytë e të keq. Lidhur me këtë Haskuka ka thënë se e kanë ngritur këtë shqetësim me policinë, por pa u miratuar ligji për fëmijët nuk kanë si i heqin nga rruga këta fëmijë. Rruga në "Jeni Mëhallë" tashmë është bërë problematike, kurse shumë qytetarë janë ankuar se trotuaret e asaj rruge janë të ngushta, pasi që ajo rrugë e lidh gjysmën e qytetit me pjesën tjetër, Lagjen "Ortakoll" dhe qendrën. Por, Haskuka pohoi se ajo rrugë u ka marrë shumë kohë dhe ka probleme të shumta. Sipas tij, në fillim është kërkuar që të ketë trotuare më të zgjeruara, por qytetarët janë ankuar, kështu që është e vendosur që trotuaret të zvogëlohen. Por nxënësit Anita Gashi, Besa Bytyqi dhe shumë të tjerë thonë se ky trotuar që nuk është as gjysmë metri është një tmerr për ata. Edhe qytetarë të shumtë si Islam Thaçi, Abit Syla, Agim Berisha ankohen se trotuari i anës së djathë është tepër jofunksional dhe i ngushtë. 

Problemet me lejet e ndërtimit

Anulimi i projektit të teleferikut nga komuna si nevojë e domosdoshme, sidomos për turistë, por edhe për të moshuarit nuk është pritur mirë nga prizrenasit. Shumë prizrenas nuk e kanë pritur këtë neglizhencë komunale, ngase ka kaluar 100-ditëshi pa ndonjë plan konkrete për të realizuar këtë projekt. Shaip Berisha thotë se nuk e kanë parë këtë si praktikë të mirë. Ka qytetarë edhe me ankesa tjera, sidomos ato për leje ndërtimi, e shtojnë se kanë marrë premtim se së shpejti do të kenë mundësi të marrin ato leje. Prizreni, nga një qytet që është konsideruar si më i miri e më i zhvilluari në këtë tremujor nuk ka pasur projekte konkrete të realizuara.

 

(Kosova Sot)