Kush janë gjashtë kinezët që mbijetuan fundosjen e "Titanic"-ut?

  • 22 April 2018 - 16:59
Kush janë gjashtë kinezët që mbijetuan fundosjen e

ME QINDRA UDHËTARË SHPËTUAN ME ANË TË VARKAVE

Jetët e këtyre njerëzve janë temë e një filmi të ri dokumentar

Me rastin e fundosjes së anijes "Titanic", me qindra udhëtarë shpëtuan me anë të varkave. Me qindra të tjerë u mbytën, bashkë me anijen, apo duke u ngrirë në ujin e akullt. Varka e vetme e shpëtimit, e cila u kthye për të parë se a kishte të mbijetuar, hasi në një kinez të ri, ende të gjallë, i cili ishte kapur për një copë druri. Ky njeri do të ishte njëri ndër gjashtë udhëtarët kinezë që mbijetuan nga fundosja e anijes "Titanic", gjë që është një fakt pak i njohur rreth kësaj fatkeqësie historike, për shkak të qëndrimit armiqësor ndaj kinezëve në Perëndim, në fillim të shekullit XX, transmeton "Kosova Sot Online".

Kinezët, me gjasë, ishin njohur edhe para se të hipnin në "Titanic"

Tani, jetët e këtyre njerëzve, si mbijetuan atë natë të kobshme dhe pse atyre ua ndaluan hyrjen në SHBA, janë temë e një filmi të ri dokumentar, me titull "The Six", të bërë nga Arthur Jones dhe Steven Schwankert. "Kishte rreth 700 të mbijetuar nga fundosja e anijes 'Titanic'", thotë Jones, një regjisor nga Shangai. "Gjashtë kinezët që shpëtuan janë të vetmit që kurrë nuk u përmendën. Ata u zhdukën tërësisht. Pse u injoruan ata?" Dy regjisorët kishin hapur një uebsajt "whoarethesix.com", për të mbledhur informata rreth gjashtë kinezëve të shpëtuar të "Titanic"- ut. Më pas u mor vesh se, në anijen "Titanic", kishin qenë tetë shtetas kinezë. Emrat e tyre janë gjetur në listë: Ah Lam, Fang Lang, Len Lam, Cheong Foo, Chang Chip, Ling Hee, Lee Bing dhe Lee Ling. Në bazë të analizave të gjera, regjisorët arritën deri te përfundimi se kinezët, me gjasë, ishin njohur edhe para se të hipnin në "Titanic", me gjasë ishin detarë profesionistë, që kishin punuar në anijet britanike.

Trajtimi i kinezëve ishte tepër armiqësor në shtypin e kohës

Për shkak të një greve në Britani, ata ishin dërguar me punë në Amerikë. Pra, del se shkaku i udhëtimit të tyre me anijen "Titanic", ishte profesional. Ata ishin detarë. Ata ishin vendosur në kabinat më të këqija të anijes, ku përqindja e të mbijetuarve për jo britanikët ishte vetëm 20%. Atyre iu ishte refuzuar hyrja në SHBA në bazë të Aktit ligjor të quajtur "Chinese Exclusion Act", që është ligji i vetëm në historinë e SHBA-së, që përjashtonte një grup vetëm duke u bazuar në përkatësinë e tyre etnike. Ata mendohet të jenë transferuar në Kubë. Regjisorët thonë se trajtimi i kinezëve dhe i pakicave tjera aziatike ishte tepër armiqë- sor, gjë që shihet edhe në shtypin e asaj kohe. 

 

(Kosova Sot)