Kosova merr kryesimin e radhës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore

  • 23 April 2018 - 18:50
Kosova merr kryesimin e radhës të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore

Sot, në Bërdo të Slovenisë, filloi punimet Samiti i vendeve të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, iniciativë rajonale që ka filluar të funksionojë prej 22 vjetësh dhe ku Kosova bën pjesë prej vitit 2014.

"I paraprirë nga takimi i drejtorëve rajonal dhe politik të 13 vendeve të Procesit (ku bëjnë pjesë veç 6 shteteve të rajonit edhe 7 vende të tjera, anëtarë të BE-së dhe të tjerë, fqinjë me rajonin tonë), etapa e dytë, takimi i ministrave të jashtëm, bëri me dije dy lajme të rëndësishme: Bosnjë Hercegovina dhe Kosova do të marrin në periudhën 2018-2020 kryesimin e radhës së Procesit, me të njëjtin status dhe përcaktime shtetërore", bën të ditur një njoftim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

Pas fjalës së nikoqirit, ministrit të jashtëm të Sllovenisë dhe numrit dy të qeverisë sllovene, Karl Erljavec, e mori fjalën i pari në emër të Kosovës, ministri i jashtëm dhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli.

Pacolli vlerësoi zhvillimet pozitive në rajon, në periudhën e fundit, duke veçuar ftesën e Komisionit për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë dhe Strategjinë e Zgjerimit, që parasheh anëtarësim të sigurt të Kosovës si shtet me atribute të plota, thekson njoftimi.

Ai, falënderoi vendet e Procesit, që u morën vesh për t’i kaluar stafetën e kryesimit Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës, duke u zotuar se Kosova do ta kryejë presidencën e vet njëjtë si paraardhësit, madje dhe më mirë se ato.

Pacolli përgëzoi dy kryesuesit e Qendrës së Bashkëpunimit Rajonal, që në 6 vjetët e ardhshëm do të jenë Majlinda Bregu e Shqipërisë dhe Igor Luksiç i Malit të Zi.

Pacolli garantoi homologët e tij se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit rajonal, normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë sipas përkufizimeve të njohura.

Gjatë fjalimit të tij, ai u fokusua edhe tek koncepti i Ndërlidhjes Digjitale, si i një rëndësie themelore për vendet tona dhe mbarë rajonin, për të mundësuar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, zhvillim social, qeverisje të mirë, për të përparuar arsimin dhe shkencën dhe shumë sektorë të tjerë, bën të ditur njoftimi.

Duke mbetur në këtë temë, Pacolli tha se Kosova ka zhvilluar dhe po punon akoma në përparimin e mëtejshëm të politikave dhe infrastrukturës për Informacionin dhe Teknologjinë, dhe tashmë ka një trend shumë të mirë në këtë fushë.

Samiti vazhdon me takime të tjera në nivele ministrash, duke u përmbyllur me takimin e kryeministrave të vendeve të SEECP.

(Kosova Sot)