Departamenti amerikan i Shtetit, shuplakë të fortë drejtësisë së korruptuar

  • 23 April 2018 - 19:28
Departamenti amerikan i Shtetit, shuplakë të fortë drejtësisë së korruptuar

Miftari: Në Kosovë sundojnë parasistemet politike, e në fakt janë shërbime sekrete politike klanore, që i shërbejnë një grupi të vogël njerëzish kriminalë në partitë politike

"E gjithë administrata gjyqësore vepron si një grup interesi, si një grup financiar fitimprurës, ku si biznes ka manipulimin dhe trafikimin e drejtësisë si mall pazari. Në këtë sistem nuk ka as llogaridhënie dhe as disiplinë ligjore. Kjo administratë u jep llogari vetëm politikës dhe parasë e korrupsionit, pra krimit të saj. Kjo ndodh kështu pasi gjyqësori është subjekt i ndërhyrjeve të politikës, të krimit e korrupsionit të lartë institucional", është shprehur analisti Skënder Kapiti për gazetën "Kosova Sot"

Zeqa: Pushtetarët keqinterpretojnë raportet për llogaritë e tyre Sipas analistit Florim Zeqa, është një shuplakë e rëndë për drejtësinë kosovare që tani, edhe pas raportit të Komisionit Evropian, Kosova e merr goditjen e dytë të radhës nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, sepse sikurse raporti i parë nga KE-ja, edhe raporti i DASH-it, hodhën kritika të ashpra në adresë të zbatimit të ligjit, duke dhënë vërejtjet e tyre serioze në drejtim të sistemit të drejtësisë, ku u evidentuan ndikimet e fuqishme të politikës në drejtësi, mungesën e theksuar në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në institucionet më të larta të shtetit."Në veçanti Departamentit Amerikan të Shtetit, kritikoi ashpër sistemin e drejtësisë dhe pushtetarët e korruptuar, gjegjësisht ndërhyrjen e politikës në drejtësi, përkatësisht në emërimet e njerëzve të dëgjueshëm në KGJK dhe KPK. Raporti i DASH-it thekson se Qeveria nuk ka zbatuar me efikasitet ligjin që mundëson përndjekjen e zyrtarëve të përfshitë në korrupsion dhe kjo dukuri mbetet problem tepër serioz në zbatimin e ligjit dhe çuarjen përpara të proceseve demokratike. Dy raportet e fundit janë të sakta dhe të argumentuara, me nota të arsyeshme negative për zbatimin e ligjit, të cilat në fakt janë dy shuplaka të nxehta për drejtësinë kosovare, për drejtësinë e shtrirë për tokë nga politikanët e tej inkriminuar. Nuk mund të ketë sundim të ligjit në një vend, ku politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminalebëjnë regrutimet dhe punësimet e gradimet në sistemin e drejtësisë, sepse po nuk pate lidhje me politikën dhe nuk u shërben vetëm atyre dhe jo ligjit, nuk është e mundur të bëhesh as një nëpunës i thjeshtë, e të mos flasim për prokurorë e gjyqtarë! Ky fakt, është bërë shqetësim serioz i KEsë dhe DASH-it, por jo edhe i pushtetarëve, të cilët i keqinterpretojnë raportet e sipërpërmendura për llogaritë e tyre ditore, duke u munduar të fshehin të gjeturat e shumta negative në sistemin e drejtësisë dhe keqqeverisjes në përgjithësi. Përbërja aktuale e gjyqësorit dhe prokurorisë me këtë klasë politike në pushtet, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, të cilët të gjithë së bashku janë në duart e nëntokës kriminale dhe mafio-oligarkëve të tej inkriminuar, nuk ka shanse për reforma të mirëfillta në drejtësi, e as luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra nuk bëhet fjalë për barazi ligjore, por vetëm selektive,...ku rastet e korrupsionit me direktivat e politikës neglizhohen dhe stërzgjaten deri në "vjetrimin" e lëndëve pa i trajtuar fare! Nga raportet e KE-së dhe DASH-it, as që pritet ndërgjegjësim i klasës së inkriminuar politike, e aq më pak përmirësim të sistemit të drejtësisë së kapur dhe shantazhuar nga politika,...por pritet që të ndodhë ndërgjegjësimi dhe mobilizimi i qytetarëve të getoizuar, për largimin sa më parë nga skena e politikanëve të korruptuar dhe inkriminuar deri në fyt. Pa arrestimin e bosëve të nivelit të lartë nga politika dhe mafio-oligarkia që janë bërë vetë ligji në Kosovë, nuk pritet të kemi vlerësime pozitive as në raportet e radhës të këtyre dy organizatave prestigjioze", theksoi Florim Zeqa në bisedë për gazetën "Kosova Sot".

KAPITI: SISTEMI I DREJTËSISË NË KOSOVË ËSHTË I FALIMENTUAR

Analisti Skënder Kapiti, duke analizuar kritikat ndaj institucioneve të drejtësisë në të dyja këto raporte, thotë se nëse shikohet seriozisht dhe realisht sistemi i drejtësisë në Kosovës, mund të thuhet shumë lirshëm se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i falimentuar. "E gjithë administrata gjyqësore vepron si një grup interesi, si një grup financiar fitimprurës ku si biznes ka manipulimin dhe trafikimin e drejtësisë si mall pazari. Në këtë sistem nuk ka as llogaridhënie dhe as disiplinë ligjore. Kjo administrate u jep llogari vetëm politikës dhe parasë e korrupsionit, pra krimit të saj. Kjo ndodh kështu pasi gjyqësori është subjekt i ndërhyrjeve të politikës, të krimit e korrupsionit të lartë institucional. Si e tillë kjo administratë i trajton ato lëndë të cilat ajo i seleksionon dhe i përzgjedh ndërsa të tjerat i arkivon dhe i lë në harresë nëpër raftet e zyrave. Ky sistem gjyqësor keq funksionon dhe keq menaxhon ligjin dhe drejtësinë. Ai jo vetëm se nuk ndëshkon peshqit e mëdhenj të korrupsionit dhe të krimit,por as nuk guxon të bëjë hetimin financiar dhe konfiskimin e pasurive të tyre të paligjshme. Ky realitet po i kushton shumë shtrenjtë Kosovës duke i dhënë asaj imazh ndërkombëtar shumë negativ. Lufta dhe efikasiteti i saj kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit është kushti themelor për liberalizimin e vizave", theksoi Kapiti për "Kosova Sot".

MIFTARI: ANA E ERRËT E KËTIJ SISTEMI ËSHTË EDHE ZVARRITJA E LËNDËVE MBI 8 VJET

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, theksoi se raporti negativ i Bashkimi Evropian- KE-së, por edhe raporti tjetër negativ i Departamentit Amerikan të Shtetit për Kosovën, ku përmenden korrupsioni i lartë dhe keqfunksionimi i drejtësisë, por dhe animet dhe ndikimet tek emërimet politike në organet e sundimit të ligjit, janë dy raporte shumë reale dhe nuk mund të kontestohen për analizat e bëra. "Pa marrë parasysh dëshirat tona, raportet e BE-së dhe i DASH-it janë reale pasi në Kosovë gjendja është edhe më e keqe sesa tregojnë këto raporte të balancuara, pasi sundimi i ligjit dhe funksionimi i organeve të drejtësisë janë në nivel tepër të ulët, ku shpeshherë drejtësia bëhet në mënyrë shumë selektive dhe njëanshme, ku qëllimisht dështojnë ose fshihen rastet e korrupsionit dhe keqpërdorimeve të nivelit të lartë zyrtar dhe politik. Nuk është e rrallë dukuria edhe kur organet hetuese dhe gjyqësori përdoren edhe për qërim hesapesh nga pushteti me opozitën, ose këtë e keqpërdorin disa individë politikë, kundër atyre që ua trazojnë rehatin pushtetarëve të fuqishëm, kurdo që ata marrin guxim dhe provojnë për ta ngritur zërin kundër dukurive negative", theksoi Miftari për "Kosova Sot". "Ana e errët e këtij sistemi, e konstatuar në të dyja raportet, është edhe zvarritja e lëndëve mbi 8 vjet, ose edhe humbja apo fshehja e dosjeve penale të politikanëve, siç ishte rasti i keqpërdorimeve në aferën 'Pronto', ku në vend se të akuzohen aktorët kryesorë, siç janë kryetari i shtetit, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, i cili nuk kishte kurrfarë detyrë shtetërore apo politike, por prapë i raportonte Adem Grabovci, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, tregon qartë se në Kosovë sundojnë parasistemet politike e në fakt janë shërbime sekrete politike klanore që nuk i shërbejnë as elektoratit as partisë politike, por i shërbejnë dhe e mbrojnë interesin e një grupi të vogël njerëzish kriminalë në partitë politike", është shprehur analisti Naim Miftari për gazetën "Kosova Sot".

Osmani: Është rritur dukshëm presioni ndërkombëtar

Sipas analistit Azem Osmani, që nga paslufta e këtej Kosova gjendet në fazën e zhvillimeve politike më interesante sa i përket fushës së sundimit të ligjit. Ai tha se është përmendur disa herë se kriteri i radhës për liberalizimin e vizave është dëshmia e përpjekjeve serioze të institucioneve ndaj luftës së krimit të organizuar dhe korrupsionit, për dallim nga pushteti, të cilët përmes deklaratave të tyre fokusin e përqendronin vetëm në kriterin e ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin, duke e lënë në margjina kushtin e dytë. "Kjo tani më po kuptohet qartë edhe nga deklaratat e zyrtarëve të lartë të BE-së, nga Raporti i KE-së - Raporti i Progresit, por edhe nga Raporti i DASH-it. Në diskursin tonë politik është krijuar një shabllon i vetëm se Kosova duhet të plotësojë kushte për të ecur tutje në drejtim të integrimeve të BE-së. Vërtet kjo është për keqardhje. Kjo i bie sikurse nxënësi në shkollë të përpiqet për notë vetëm sa për të plotësuar kriteret në regjistrimin e niveleve më të larta shkollore dhe jo për dije. Përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit, me theks të veçantë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk duhet shikuar vetëm si kritere sa për liberalizim vizash apo ecje tutje drejt BE-së, por një veprim nga suksesi i të cilit përfitojnë shteti i Kosovës dhe qytetarët e saj. Vetvetiu pastaj vijnë edhe përfitimet tjera të natyrës dytësore. Këtë gjë shumë herë e kanë potencuar edhe zyrtarët ndërkombëtar. Secili kriter që i është vënë Kosovës (përjashto ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi), qëllimi bazë i tyre ka qenë përmirësimi i cilësisë së standardeve dhe rritja e mirëqenies qytetare. Në këtë kohë, është rritur dukshëm presioni ndërkombëtar ndaj institucioneve të Kosovës në funksion të sundimit të rendit dhe ligjit, megjithatë dilemat ngelin. Nuk ka logjikë të shëndoshë të mendosh se luftohet vetvetja. Individët që vendosin nëpër institucionet e drejtësisë janë kukulla të politikanëve të fuqishëm të cilët sot i kemi në pushtet. E keqja nuk përfundon me kaq. Tani kemi ministra, një kryetar komune dhe deputetë me aktakuza apo me procese të hapura të hetimeve për keqpërdorim, të cilët vazhdojnë edhe më tej t'i mbajnë pozitat e tyre. Duke u bazuar në këto problematika, atëherë duhet domosdoshmërish të kërkohet çelësi i zgjidhjes së tyre. Deri më tani pareshtur është akuzuar për kapje të shtetit, pothuajse si e vetmja PDK-ja. Këto akuza kanë ardhur nga LDK, LVV, AAK, Nisma dhe AKR. Duke e shikuar përbërjen aktuale të zyrtarëve udhëheqës të Qeverisë, duke qenë se tani PDK ka numër të vogël të deputetëve në Kuvend në krahasim me partitë tjera, atëherë qytetarët presin nga këto parti politike të mobilizohen bashkërisht dhe të fitojnë betejën e shumëpritur në largimin e ndikimit politik nga institucionet e drejtësisë dhe nga të gjitha kompanitë publike. Nëse vërtet kjo nuk do të ndodhë, përkundrazi do të veprohet se si të bjerë kjo qeveri e të pretendohet marrja e pushtetit, atëherë i bie se fajtor i kësaj situate janë edhe partitë e tjera, menjëherë në renditje pas PDK-së. Megjithatë, ditët e fundit janë vërejtur disa iniciativa shpresëdhënëse nga grupet parlamentare të opozitës rreth luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Mirëpo mbetet të shihet se sa do të jenë serioze dhe këmbëngulëse në arritjen e qëllimit", tha Osmani për "Kosova Sot". Gazeta u ka dërguar pyetje edhe KGJK-së dhe KPK-së për të komentuar të gjeturat kritike të të dyja raporteve, por nuk ka marrë përgjigje as nga KGJK-ja dhe as nga KPK-ja. S. AHMETI

(Kosova Sot)