Gjykata Speciale, mashtrim I DYSHES THAÇI-TAHIR

  • 24 April 2018 - 08:05
Gjykata Speciale, mashtrim I DYSHES THAÇI-TAHIR

MINISTRI I DREJTËSISË AKUZOHET NGA DEPUTETËT DHE ANALISTËT SE PO PUNON ME SKENAR TË URDHËRDHËNËSIT TË TIJ, PRESIDENTIT

Ditë më parë, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, është zotuar para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se kjo ministri gjatë procesit të reformave që janë në përgatitje e sipër për këtë sistem do të themelojnë edhe një gjykatë specialevendore, kësaj radhe për trajtimin e lëndëve të korrupsionit e krimit të organizuar. Deputetët nga radhët e opozitës, së bashku me analistët dhe njohësit e kësaj fushe, e shohin me shumë mosbesim dhe joseriozitet formimin e një mekanizmi të tillë, pasi që, sipas tyre, edhe deri më tani institucionet e kësaj fushe kanë ekzistuar, ka bazë të mjaftueshme ligjore për të luftuar e parandaluar të gjitha fenomenet e kësaj fushe, por nuk ka funksionuar sistemi, sepse është i ndikuar dhe i kapur thellësisht nga politika. Ata theksojnë se kjo ide mund të jetë lansuar nga presioni i vazhdueshëm i faktorit ndërkombëtar për ta luftuar më fuqishëm krimin e korrupsionin, që do të ishte në interes të përgjithshëm të ndodhë kjo, por deputetët paraprakisht i kërkojnë qeverisë që ta përgatisë dhe sjell në Kuvend Ligjin e VETTING-ut dhe vetëm pastaj të themelohet një gjykatë e tillë speciale nga gjykatës e prokurorë me moral e dinjitet, të pavarur nga politika e të vendosur për të zbatuar deri në fund ligjet dhe Kushtetutën e shtetit. Gazetari ka kërkuar përgjigje edhe nga ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri,mirëpo ai nuk ka kthyer përgjigje. Përgjigje nuk kanë kthyer as KPK-ja, KGJK-ja e as PSRK-ja.

"Ministri Tahiri është servil i Hashimit dhe si i tillë bën ato çfarë i thotë Hashimi, i cili tani, që ka bërë pasuri milionëshe, përpiqet të pastrojë figurën e tij. Është nonsens të besosh që mund të krijojnë drejtësi Hashimi me Abelardin, njerëz të zhytur deri në kokë në korrupsion dhe krim të organizuar. S'mund të prodhojë drejtësi klani 'Pronto', i cili është sinonim i së keqes, i krimit dhe të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur vendit tani e 20 vjet pas çlirimit", tha analisti Faton Mehmeti për "Kosova Sot" 

KAPITI:DUHET VETTING-U PËR DREJTËSINË, POLITIKËN DHE PËR PUSHTETIN!

Analisti politik Skënder Kapiti thotë se propozimi i ministrit të Drejtësisë së Kosovës për ngritjen e një gjykate speciale për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar është një manovër e politikës dhe e pushtetit në Kosovë për t'ia dhënë për konsumim mashtrues opinionit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. "Duhet VETTING-u për drejtësinë, politikën dhe për pushtetin. Gjithçka tjetër është përpjekje për anti- VETTING dhe për moshetim, mospastrim dhe mosndëshkim për krimin dhe korrupsionin institucional", theksoi Kapiti për "Kosova Sot". Sipas tij politika, pushteti dhe drejtësia aktuale është armikja më e madhe e VETTING-ut.

MIFTARI: EDHE PO T'I FORMOJNË EDHE 100 GJYKATA SPECIALE, ME KËTA KRIMINELË DHE MAFIOZË NUK DO TË KETË REZULTAT POZITIV

Njohësi i fushës së sigurisë, Naim Miftari, thotë se nuk është sekret se ministri i Drejtësisë punon me urdhra të Hashim Thaçit dhe tani margaritari i ri, apo ideja fikse se do ta formojë Kosova një gjykatë speciale kundër korrupsionit është shumë qesharake. "Jam shumë i sigurt se do të punësohen servilët e presidentit dhe këtu tani duhet të bëhet pyetja krejt e thjeshtë: kush e pengoi Ligjin dhe gjykatat të punojnë gjer më sot kundër korrupsionit?! Sipas mendimit tim, kjo është vetëm prolongim dhe humbje kohe...Unë mendoj se po t'i firmojnë edhe njëqind gjykata speciale dhe super-speciale me këta kriminelë dhe mafiozë në pushtet, si dhe në politikë, në parti politike, nuk do të ketë rezultat pozitiv", u shpreh Miftari për "Kosova Sot". "Nuk ka gjykatë speciale kundër korrupsionit nëse qeverinë dhe politikën e udhëheqin të korruptuarit dhe mafiozët e krimit të organizuar politikë dhe ekonomikë. Pa një Vetting serioz gjithëpërfshirës nuk mund të dalim nga kriza e mungesës së sundimit të ligjit dhe lirimi nga krimi dhe korrupsioni", potencoi Naim Miftari për "Kosova Sot".

ZEQA: PSRK-JA, KGJK-JA DHE KPK-JA JANË INSTRUMENTE NË DUART E MAFIO-POLITIKANËVE DHE OLIGARKISË KRIMINALE 

Sipas analistit Florim Zeqa, kjo ide e ministrit Tahiri vjen vetëm si reaksion pas dy raporteve të njëpasnjëshme negative (KE, DASH) në adresë të sistemit të drejtësisë."Iniciativa e 'këtij të fundit' për themelimin e një gjykate speciale vendore, gjoja për trajtimin e lëndëve të korrupsionit e krimit të organizuar, është një tentativë shtesë vetëm për ta mashtruar bashkësinë ndërkombëtare dhe popullin e Kosovës se gjoja po bën diçka për të luftuar korrupsionin dhe realisht kjo gjykatë, njëjtë do të përjetonte fatin e Prokurorisë Speciale (PSRK) inekzistente, e interferuar dhe e ndikuar, e bllokuar dhe jo vepruese, ku edhe pse dhanë edhe rrogat më të mëdha në drejtësi, deri më sot nuk kemi parë rezultate të kësaj prokurorie në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar", u shpreh ai."Sikurse ministri Abelard Tahiri ta kishte me gjithë mend angazhimin e tij për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk do të vepronte kot me iniciativa mashtruese, por do të kërkonte përgjegjësi dhe llogaridhënie ndaj PSRK-së për dështimin total në funksionin e saj, ani pse prokurorët e saj ishin nga njerëzit më të paguar në vend.Kjo nuk ndodhi dhe as që ka gjasa të ndodhë, pasi PSRK-ja, KGJK-ja dhe KPK-ja janë instrumente në duart e mafio-politikanëve dhe oligarkisë kriminale.Pushtetarët e nivelit qendror dhe pushtetarët e nivelit lokal, mafio-oligarkët e tejinkriminuar dhe nëntoka mafioze nuk i frikësohen ligjit e as Kushtetutës, përderisa vazhdojnë t'i kenë në dorë gjyqësorin e tërë dhe prokurorinë e tërë, hetuesinë policore dhe jo vetëm", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot".

MEHMETI:TENTATIVA E MINISTRIT TAHIRI ËSHTË PËRPJEKJE PËR TË LEGJITIMUAR KRIMIN DHE KORRUPSIONIN Edhe analisti Faton Mehmeti pohon se tentativa e ministrit Tahiri është përpjeke për të legjitimuar krimin dhe korrupsionin që e ka instaluar partia së cilës i përket."Janë të njohura përpjekjet,apo manipulimet që mundohen të krijojnë gjykata të tilla,pikërisht nga ata që e kanë kapur shtetin dhe janë bosët e krimit dhe korrupsioni.Ministri Tahiri është servil i Hashimit dhe si i tillë bën ato çfarë i thotë Hashimi,i cili tani që ka bërë pasuri milionëshe përpiqet për të pastruar figurën e tij.Është nonsens të besosh që mund të krijojë drejtësi Hashimi me Abelardin,njerëz të zhytur deri në kokë në korrupsion dhe krim të organizuar.S'mund të prodhojnë drejtësi klani 'Pronto',i cili është sinonim i së keqes,i krimit dhe të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur vendit tani e 20 vjet pas çlirimit",tha Faton Mehmeti për 'Kosova Sot'.Ai beson se vetëm një gjykatë ndërkombëtare për të luftuar krimin dhe korrupsionin mund të sjellë drejtësi, ndryshe çdo tentativë është e destinuar për të dështuar.

Gaxherri: Tash për tash ne jemi dëshmitarë që gjykatat i menaxhon PDK-ja

Deputetja Besa Gaxherri, nga LDK-ja, beson që ideja për ta krijuar një gjykatë për korrupsion është shumë e mirëseardhur, sepse është shumë e vërtetë që në Kosovë ka korrupsion dhe ka lëndë që aty flenë, por nuk beson që kjo qeveri do ta bëjë atë si duhet. "Është e kotë të bëhet gjykata nëse aty nuk janë njerëzit profesionistë e që janë të pavarur dhe që punojnë me të vetmin qëllim për t'i zbardhur rastet. Tash për tash ne jemi dëshmitarë që gjykatat i menaxhon PDK-ja dhe është shumë problem. Unë mendoj që ne paraprakisht duhet ta kemi Ligjin e VETTINGut. Duhet ta bëjmë një VETTING për politikanë dhe për gjykatës, prokurorë e për policë dhe udhëheqës në polici e kështu me radhë, për të pasur institucione që vërtet janë kredibile dhe japin përgjegjësi para ligjit, sepse ne tani e kemi një rrjet të krimit të organizuar në të cilin dyshojmë të gjithë dhe për ta futë në binar të shëndosh këtë sistem, mendoj që duhet ta bëjmë paraprakisht një gjë të tillë, për të pasur më pastaj edhe besim më të madh në institucione", tha Gaxherri nga LDK-ja për "Kosova Sot". 

Një opinion të ngjashëm ndan edhe deputeti Ali Lajqi nga 'VETËVENDOSJE'. "Në procesin e reformave dhe të avancimit të sistemit të drejtësisë do të ishte e dobishme edhe një gjykatë e tillë, sikur të zbatohej ligji me përpikëri dhe në mënyrë krejtësisht të pavarur, por kur nuk funksionon ligji, kur është i kapur sistemi i drejtë- sisë, nevoja për të shpikur edhe diçka të re nuk duket diçka shumë e mbarë, sepse nuk pritet që këto struktura të tanishme të bëjnë sistem të ri dheefikas, sepse jo që do ta shmangin korrupsionin, por ka rrezik që do ta shtojnë edhe më tepër, prandaj krejt këto unë mendoj që janë do lojëra", u shpreh ai."Sido qoftë konsideroj që Kosova nuk e ka më luksin që të toleron aso strukturash kriminale që e denigrojnë shtetin, por duhet urgjent një strukturë e re qeveritare, për një VETTING që do të vijë pas ndryshimit të kësaj strukture të tanishme qeveritare", tha Lajqi për "Kosova Sot".

Ahmeti: "Shkolla e PDK-së e ka ngulfatur çdo institucion publik me njerëz super të dëgjueshëm" Njohësi i fushës së drejtësisë, Hidajet Ahmeti, po ashtu konsideron se themelimi i mekanizmave të "instrumentalizuar" të drejtësisë sa për ta shpërlarë trurin e qytetarëve dhe njëkohësisht për krijuar percepcionin pozitiv në raport ndërkombëtar, kinse po luftohen krimi e korrupsioni është një lojë që jemi mësuar ta shohim në vazhdimësi."Është absurde dhe e palogjikshme të besohet se mekanizmat që do të themelohen në kuadër të sistemit të drejtësisë të Republikës së Kosovës do të luftojnë krimin e korrupsionin, pasi që shkolla e PDK-së e ka ngulfatur çdo institucion publik me njerëz super të dëgjueshëm dhe ka përdorur strategji afatgjate në pushtetin gjyqësor, duke instrumentalizuar këtë pushtet me qëllimin për ta amnistuar veten për krimet ekonomike të pasluftës", u shpreh ai. S. AHMETI

(Kosova Sot)