Pasi e dekoroi Kandiqin, Haradinaj quhet vrasës nga Gjuriqi

  • 24 April 2018 - 15:30
Pasi e dekoroi Kandiqin, Haradinaj quhet vrasës nga Gjuriqi

Drejtor i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric, ka thënë se nuk sheh asgjë pozitive dhe të mirë në atë që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i dhuroi ‘Hartën e Artë të Kosovës’, themelueses së Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasa Kandiq

Me këtë rast ai nuk hezitoi t'i rikthehet propagandës serbe, që tenton të paraqesë UÇK-në si organizatë kriminale.

Haradinaj e nderoi Kandiqin si mirënjohje për angazhimin në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, por kjo duket se nuk i ka pëlqyer bashkëkombësit të tij në Qeverinë e Serbisë.

“Ajo hartë e artë është të ndryshohej dhe t'u dhurohej familjeve të të rrëmbyerve dhe të zhdukurve, fati i të cilëve nuk dihet ende dhe, që janë vrarë nga duart e atyre që sot i ndajnë ato çmime”, ka thënë Djuriq.

Me gjithë incidentin gjatë vizitës së tij të fundit, ai tha se do të shkojë gjithmonë në Kosovë, për të qenë së bashku me popullin e tij, në funksion të mbijetesës së tyre.
“Detyrimi i shtetit të Serbisë është të jetë me popullin e saj në Kosovë. Është obligim i shërbyesve dhe përfaqësuesve të saj të jenë në funksion të mbijetesës së njerëzve tanë”, tha Djuriq.

Duhet kujtuar se Natasa Kandiq është një aktiviste e të drejtave të njeriut e cila në vazhdimësi ka demaskuar krimet e luftës që shteti serb ka kryer në ish Jugosllavi, e sidomos në Kosovë. 

(Kosova Sot)