Si ia ndryshoi Barbara Bush jetën një mjeshtri sirian të picave?

  • 24 April 2018 - 18:25
Si ia ndryshoi Barbara Bush jetën një mjeshtri sirian të picave?

IMIGROI NË SHBA NGA SIRIA ME VETËM 50 DOLLARË NË XHEP, SOT KA RESTORANTIN E VET 

Ish-presidenti merrte me vete shokët e tij të famshëm në atë restorant 

Nëse e pyetni këdo në rrethinë të Hjustonit që t'ua thotë vendin e preferuar të picave, përgjigja ka të ngjarë që të jetë unanime: "Fuzzy's" në Hjustonin Perëndimor. Nëse e pyetni njeriun e quajtur Fuzzy se cili është (ishte) konsumatori i tij i preferuar, ai do t'ju përgjigjet: Barbara Bush, për shkak se, po të mos ishte ajo dhe burri i saj, George H.W. Bush, Fawaz "Fuzzy" Hajjar thotë se nuk do ta kishte arritur suksesin që e ka arritur tani. Hajjar imigroi në SHBA nga Siria me vetëm 50 dollarë në xhep dhe, pas katër vjetësh të punës së rëndë dhe kursimeve, hapi një restorant picash. Dhe, më pas, Barbara Bush - gjatë një paraqitjeje në emisionin e David Lettermanit - e përmendi atë restorant si vendin e saj të preferuar për të ngrënë pica në Hjuston. Dhe, pjesa tjetër i përket historisë: një histori e bukur e një ëndrre amerikane dhe një zonjë e parë e cila ndihmoi në realizimin e saj, transmeton "Kosova Sot Online".

ImageSi u takuan së pari?

Pasi presidenti George H.W. Bush kreu mandatin presidencial, ai dhe gruaja e tij u zhvendosën në Hjuston. Zyra e tij ishte afër shtëpisë së Fuzzyt. Dhe, një ditë, rreth 25 vjet më parë, ai hyri në restorantin e sirianit, për një rriskë picë. Me atë rast ish- presidenti mësoi sesi Hajjar kishte ardhur në Amerikë nga Damasku, me më pak se 100 dollarë. Sesi mësoi të bënte pica në Çikago. Sesi u zhvendos në Hjuston me një ëndërr për ta hapur një restorant. 

Presidenti u 'dashurua'

"Pasi çifti presidencial mësuan rreth storjes së tij, Sesi kishte ardhur në SHBA me 50 dollarë në xhep, me dëshirën për të studiuar dhe pasi që panë se çka kishte arritur ai, ata konstatuan se kishin të bënin me të vërtetë me një ëndërr amerikane", tregon gruaja e Hajjar-it, Rita. Ish-presidenti merrte me vete shokët e tij të famshëm në atë restorant, duke ua treguar atyre rrëfimin e ëndrrës amerikane të Fuzzy't. E, këtij të fundit punët i shkonin mirë, por dy vjet pasi që Barbara Bush e përmendi këtë restorant në emisionin e David Lettermanit, biznesi pati një zhvillim edhe më të hovshëm. Ky emision ishte emituar në vitin 1994 dhe, që nga atëherë, për këtë familje gjërat më nuk kanë qenë si më parë. 

Image

Si e mbajnë mend ish- Zonjën e Parë? 

Shikuar nga jashtë, lokali "Fuzzy's Pizza and Cafe" nuk duket kushedi sa i veçantë. Me një shkrim të kuq dhe të bardhë, thuhet se këtu bëhet "Pica më e mirë në qytet". Por, pasi që të hyni brenda, nuk do t'ju ikë pa parë ndikimi që kanë lënë çifti Bush. Një hapësirë në pjesën e pasme të restorantit quhet Dhoma e Bushit. Aty shihen foto të ish çiftit presidencial. Dhe, aty mund të hani pica që mbajnë emrin e ish-presidentit dhe ish- Zonjës së Parë, tani të ndjerë. Pica "Barbara Bush" ka angjinare, spinaq, kërpudha, mish pule dhe hudhër. Pica "President Bush" përmban zemra të angjinareve, speca djegës, proshutë kanadeze, suxhuk italian, speca të gjelbër, kërpudha, qepë dhe ullinj të zi. "Ne e bëmë picën, ia ofruam Barbara Bushit dhe, ajo ra në dashuri me të", thotë me krenari Fawaz Hajjar.Pronari i restorantit e kishte pyetur a mund ta vendoste këtë picë në meny, me emrin e saj, dhe Barbara Bush u përgjigj se kjo ishte ide e mirë. 

Si reagoi Hjustoni?

Rita Hajjar vlerëson se 70% të mysafirëve, që kanë ardhur në restorant që nga vdekja e ish- Zonjës së Parë, kanë porositur picën "Barbara Bush", qoftë një rriskë, apo picën e tërë. Kur pyetet pse çifti Bush preferonin aq shumë picat e tyre, Rita Hajjar thotë se atyre iu pëlqente përbërësi sekret që burri i saj vendoste në pica. Ajo thotë se, picat e burrit të saj janë bërë me dashuri dhe, thotë ajo, çifti Bush ishin në gjendje ta shijonin këtë. 

(Kosova Sot)