Falimentimi i PTK-së, i planifikuar qysh prej nënshkrimit me

  • 25 April 2018 - 08:00
Falimentimi i PTK-së, i planifikuar qysh prej nënshkrimit me

Këtë javë drejtues të Bordit të Telekomit të Kosovës kanë raportuar në Qeveri se PTK-ja është në krizë të thellë financiare dhe po rrezikon që të falimentojë pas 12 muajsh. Tre muajt e parë të këtij viti telekomi ka pasur humbje në vlerë prej 4 milionë euro, kurse vetëm borxh ka 60 milionë euro. Njohësit e kësaj fushe pyesin se si është e mundur që kompanisë së njëjtë në periudhën kohore 2009-2013 ia merr 410 milionë euro dividentë, kurse në prill të vitit 2018 po e njëjta kompani njofton se po falimenton. Njohësit e kësaj fushe pyesin se si pushtetarët e inkriminuar bashkë me nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve e shkatërruan PTK-në për ta kaluar tregun e tërë pasurinë e shtetit tërësisht në duart e Devollëve përmes kompanisë "ZMobile". Analistët habiten se si e zhvati PTK-në ky rrjet i paparë i krimit të organizuar, ndërkaq që Prokuroria Speciale fle për 10 vite të tëra. Eksperti i telekomunikacionit, Ismet Hamiti, kishte deklaruar se kontrata mes PTK-së dhe "Z-Mobile" është krijuar me qëllimin për të plaçkitur shtetin dhe PTK-ja me marrëveshjen e re obligohet t'i japë "Z-Mobile" edhe 100.000 klientë (në total 300.000); t'i japë "Z-Mobile" shërbimet 3G dhe 4G, për të 300 mijë klientë, të cilët më parë nuk i kishte. "Veç saj, për tetë vjet me radhë 'Z-Mobile' nuk do t'i paguajë asnjë cent PTK-së për të gjithë segmentin e klientëve që përdor, me shërbimet telefonike dhe internetin 3G dhe 4G. Përderisa me kontratën bazë 'Z-Mobile' të paktën paguante PTK-në 27 për qind të të hyrave qesharake nga numrat e 'Z-Mobile'; kontrata vazhdohet në edhe për gjashtë vjet tjerë, ndërkohë që duhej të rinegociohej në vitin 2019", kishte deklaruar Hamiti. Ai kishte paralajmëruar se pasojat financiare të zbatimit të kësaj marrëveshjeje për PTK-në do të jenë: Humbja e 100.000 klientëve shtesë, që i bie 300.000 klientë në total, përkatësisht rreth30 për qind e klientëve të vet."Sikur këta 300.000 klientë të shpenzonin vetëm nga 2 euro në muaj, për tetë vjet, kjo shumë arrin në shifrën e 57.6 milionë euro", ishte shprehur Hamiti.

Alarmi i bordit nuk e shqetëson qeverinë

Për krizën financiare të Telekomit, kryesuesja e Bordit të kësaj kompanie publike, Besa Shatri-Berisha, ka njoftuar kabinetin qeveritar. Ajo tha se humbjet për tre muajt e parë të këtij viti janë 4 milionë euro, si rezultat i rënies së të hyrave dhe rritjes së shpenzimeve. Derisa Telekomi tash për tash i ka mbi 60 milionë euro borxh. Kryesuesja e Bordit të Telekomit ka thënë se janë disa arsye që rrezikojnë falimentimin. Ndër to edhe shlyerja e borxhit prej 26 milionë eurove ndaj kompanisë 'Z-Mobile'. Pavarësisht shqetësimeve të ngritura për krizën e Telekomit, Haradinaj ka përjashtuar çdo mundësi që Qeveria t'i paguajë borxhet. Pasuria neto e ndërmarrjes publike, sipas kryesueses së Bordit të Telekomit është 34 milionë euro. Me gjithë pyetjet e redaksisë të drejtuara në adresë të Qeverisë së Kosovës, PTK-së, Sindikatës së PTK-së dhe Kompanisë "Z-Mobile", gazeta nuk ka marrë përgjigje. Analisti Lulzim Beqiri për "Kosova Sot" tha se falimentimi i PTK-së është akt kriminal. "Nuk duhet që Qeveria e Kosovës të japë as edhe një cent për të, për të shpëtuar nga falimentimi duhet një riorganizim i stafit dhe sigurisht largimi i mbi 40 për qind të punësuarve militantë të partive politike. Personalisht njoh njerëz që më shumë rrinë në shpi se në PTK, bile marrin pagë afër 1000 euro, thjesht riorganizim dhe ulje enorme të shpenzimeve të luksit që i kanë", potencoi ai. "Për tre muajt e parë të këtij viti ka pasur humbje në vlerë prej 4 milionë euro, kurse vetëm borxh ka 60 milionë euro, një mosmenaxhim i mirëduke krahasuar periudhën 2009-2013, kur shteti merr 410 milionë euro dividente në prill të vitit 2018 po e njëjta kompani njofton se po falimenton, krim ekonomik sipas mendimit tim", u shpreh Beqiri.

Degradimi i ndërmarrjes, i qëllimshëm Analisti Mustafë Kadriaj për "Kosova Sot" tha se ky falimentim i Telekomit të Kosovës është artificial, i pakuptimtë dhe i qëllimshëm për të privatizuar si një biznes të dështuar që në fakt nuk qëndron, sepse që nga paslufta ka qenë ndërmarrja publike më profitabile."Kjo është një orkestrim i njerëzve të pushtetit në bashkëpunim, me sponzorizuesit e tyre që të falimentojnë me letra PTK-në që më pas ta privatizojnë me çmim të lirë", u shpreh ai."Është e pakuptimtë që për 15 vjet pas luftës PTK-ja ishte kontribuuese në buxhetin e Kosovës, ndërsa brenda katër viteve të falimentojë këtu duhet investigim profesional se si është ardhur deri në këtë pikë para falimentimit dhe organet e drejtësisë të thonë fjalën e vet, sepse këtu ka vend për dyshime abuzuese dhe korruptive, por në realitet nuk qëndron një falimentim. E them këtë sepse është e pakuptimtë që një biznes të ketë numrin më të madh të konsumatorëve e të flitet për falimentim, kjo për logjikën ekonomike është qesharake", potencoi më tutje Kadriaj."Pushtetarët me këtë po dëshmojnë që nuk i njohin parimet e demokracisë dhe ekonomisë së tregut, sepse në demokraci ekziston sektori privat, por jo shteti privat, e këta pushtetarë dhe kjo elitë politike e kanë privatizuar shtetin e Kosovës dhe kjo tregon më së miri që sot biznes është të jesh në pushtet e jo të veprosh si biznes, sepse me këtë lloj qeverisje bizneset shumica punojnë për të mbijetuar, sepse nuk flitet për zhvillim dhe rritje e bilancit financiar", theksoi ai.

Tentativa jotransparente për privatizim

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës ,Xhevdet Neziraj, për "Kosova Sot" tha se procesi i privatizimit të PTK-së është zhvilluar në rrethana jo të favorshme për Kosovën, të cilët kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi vlerën që po jepet PTK-së nga investitorët potencialë. PTKja për vite me radhë ishte aseti publik me profitin më të madh që nga paslufta deri në vitin 2007, sepse deri në këtë vit kishte fuqi monopoli në sektorin e telekomunikimit në Kosovë. "Dhe që nga fillimi i vitit 2008 kjo korporatë ka operuar në kushte të konkurrencës së lirë, pasi qeveria e vendit licencoi operatorin e dytë mobil, "IPKO", u shpreh ai. "Qeveria e vendit në tetor 2008, në bazë të një vendimi, vendosi për të privatizuar PTK-në. Por kaloi një vit dhe një komision ndërministror filloi të përgatisë një strategji për privatizimin e PTK-së dhe një raport i përgatitur nga konsorciumi 'Telko AG' dhe 'Eolf Theis Gmbh' ka analizuar dhe vlerësuar tregun e PTK-së dhe opsionet e privatizimit. Pas kësaj analize, qeveria merr vendim më 2010, që të privatizohen 75 për qind të aksioneve të PTK-së, duke i lënë Qeverisë në dispozicion 25 për qind të aksioneve", vijoi më tej Neziraj kronologjinë e ndërmarrjes."Strategjia e pamenduar mirë si dhe rritja e numrit të madh të punëtorëve për vite të tëra, pa asnjë kriter përveç atij partiak, edhe përkundër rënies së qarkullimit tregon për mosefikasitet në menaxhimin ekësaj korporate", vlerëson ai.

Konsensusi politik për punësimet partiake

Analisti Zekim Istogu tha për "Kosova Sot" se Telekomi i Kosovës për shumë vite është konsideruar si një parajsë, ku qasje kanë pasur vetëm njerëzit e politikës dhe varësit e tyre. "Ka qenë e vetmja kompani publike ku të gjitha partitë politike kanë pasur konsensus për veprimet e menaxhmentit drejtues, pasi aty të gjithë kanë rehabilituar familjarët e të afërmit, pa u penguar politikisht. Duke qenë kështu, menaxhmenti, që gjithashtu ka qenë në shumicë politik, kanë vepruar krejtësisht në shërbim të klaneve të caktuara, pa u kundërshtuar nga politika opozitare e as nga ekspertët", u shpreh ai."Kjo status-quo u shkatërrua me tendencën për të privatizim, të shtyrë nga ndërkombëtarët, ku u rrezikuan interesat dhe planet e klaneve të caktuara. Vetë zhvillimi në fushën e teknologjisë informative dhe të komunikimit ka obliguar të gjitha kompanitë botërore të bëjnë hapa të shpejtë për t'u adoptuar në teknikat e reja në ketë fushë. Menaxhmenti dhe ekspertët e telekomit megjithëse kanë shpenzuar shuma enorme parash për trajnime, nuk kanë bërë asnjë happër përshtatje në rrethanat e reja të tregut. Kjo të bën të dyshosh se klane të caktuara kanë tendencë të heqin nga tregu këtë gjigant të ekonomisë kosovare, sigurisht jo ta shuajnë, sepse asetet duhet të jenë funksionale, për të qenë në shërbim të kompanisë "Z-Mobile", kontratën me të cilët e ka legjitimuar Gjykata dhe marrëveshja e menaxhmentit të Valës me "Z- Mobile", pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit. Kontrata me "Z-Mobile" ka qenë një fillim për futjen e të gjitha aseteve të vlefshme të 'Valës', nën kontrollin e njerëzve të caktuar, gjegjësisht privatizimin pa procedura e pa konkurrencë të mirë- filltë. Prokuroria e Shtetit në këtë rast ka shërbyer si instrument për legalizimin e këtyre marifeteve", potencoi Istogu. Ndërsa analisti Dardan Grapci tha për "Kosova Sot" se kompania "ZMobile" ka përfituar me dinakëri, në fillim e ka futur në kurth PTK-në, pastaj shkon e akuzon që po e thyen rregulloren e kontratës, duke i marrë 300 mijë klientë, si dhe e padit PTKnë për mashtrim në gjykatë, ku përmes arbitrazhit të korruptuar dhe në mënyrë joligjore e fiton betejën kundër PTK-së. "E kam një pyetje për drejtorin e PTK-së, Agron Mustafa, se përse ka pranuar që të bashkëpunojnë me "Z-Mobile" përkatësisht se çfarë i kanë ofruar atij personalisht Devollët, që ti të pranosh. Është ditur shumë qartë se që nga momenti i nënshkrimit të këtij bashkëpunimi në mes PTK-së dhe "Z-Mobile" që diçka prapa kësaj po zihet, pra shkatërrimi i PTK-së ka qenë vetëm i planifikuar, ngase Devollët nuk shkelin në dërrasë të kalbët, ata e kanë ditur se që kur të nënshkruhet kjo marrëveshje, në mes PTK-së dhe "ZMobile", që një ditë PTK-së do t'i vjen fundi", u shpreh Grapci. Sipas tij, Prokuroria ka gabuar që nuk e ka marrë me seriozitet këtë çështje. 

(Kosova Sot)