Kuvendi t'ua kthejë milionat E ZHVATURA QYTETARËVE

  • 25 April 2018 - 08:07
Kuvendi t'ua kthejë milionat E ZHVATURA QYTETARËVE

HAJNIA PËRMES FATURAVE TË ENERGJISË

Analistët politikë, deputetë të opozitës, si edhe qytetarët e vendit janë të zhgënjyer dhe me të drejtë po pyesin se përse nuk po iu kompensohen paratë që u janë marrë pa i njoftuar fare, për energjinë e harxhuar nga katër Komunat e Veriut. Ata po kërkojnë që Kuvendi i Kosovës të trajton dhe të debaton për këtë temë, sepse është i obliguar që të merr vendim lidhur me këtë çështje, pasi këtu bëhet fjalë për një vjedhje të planifikuar dhe sistematike që ju është bërë qytetarëve të vendit. Ndërsa nga njohësit e kësaj fushe thuhet se janë rreth 8 milionë euro që po llogaritet vlera e energjisë elektrike të pafaturuar vetëm për vitin 2016 në pjesën Veriore të Kosovës, shifër kjo që është paguar nga qytetarët e pjesëve të tjera të Kosovës. Me gjithë pyetjet e dërguara nga ana e gazetës për të mësuar se çka thonë në ZRRE, çka në qeveri, përkatësisht në MZHE dhe çka thotë Avokati i Populli, asnjëra nga këto institucione nuk kanë dhënë përgjigje për gazetën. Kurse zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, për gazetën "Kosova Sot" shkurtazi tha se për këtë çështje duhet të japë shpjegime Zyra e Rregullatorit të Energjisë, "pasi ne jemi vetëm organ ekzekutiv e jo edhe vendimmarrës".

Abuzimi në kurriz të konsumatorëve

Deputeti i Kuvendit të Kosovës ngatabori opozitar, Salih Salihu, tha për "Kosova Sot" se, sipas rregullave, në tërë botën energjinë e paguajnë ata konsumatorë që e shfrytëzojnë dhe harxhojnë atë. "Ndërsa nuk është fare e drejtë që serbët e katër komunave të Veriut të Kosovës ta shfrytë- zojnë energjinë që prodhohet në Kosovë, pra që në njërën anë t'i shfrytëzojnë resurset tona e në të njëjtën kohë ata mos ta paguajnë atë energji që po e shfrytëzojnë", theksoi ai."Këto çështje duhet që urgjentisht të diskutohen në Kuvendin e Kosovës dhe të merret urgjentisht edhe vendimi me të cilin duhet që sa më parë t'u kompensohen popullatës shqiptare paratë e harxhuara për serbët e Veriut të vendit, sepse këtu bëhet fjalë për një vjedhje të planifikuar e sistematike që u është bërë qytetarëve shqiptarë të vendit tonë nga ana e qeverisë së tyre", shtoi më tej Salihu. Ndërsa analisti politik, Naim Kelmendi, për gazetën "Kosova Sot" tha se vjedhja e energjisë elektrike që u është bërë qytetarëve të Kosovës nga KEDS-i, duke faturuar energjinë e papaguar të katër komunave të veriut për kaq vite, në të vërtetë është e kundërligjshme dhe po kështu edhe shkelje e të drejtave të njeriut."Detyrimisht KEDS-i duhet që tua kthejë paratë qytetareve të Kosovës për paratë që ua ka faturuar në emër të komunave të Veriut apo do tua zbriste këtë shumë pagese në faturat e rrymës. Derisa shuma e energjisë së pafaturuar vetëm për vitin 2016 arrinte deri në 8 milionë euro për pjesën veriore, shifër kjo që është paguar nga qytetarët e Kosovës (duke ua faturuar KEDS pa të drejtë), atëherë shifrat milionëshe për krejt 18 vjet pasluftës janë tejet të mëdha", shtoi më tej ai.

Qytetarët kërkojnë rimbursim

Qytetarët e anketuar nga ana e gazetës "Kosova Sot" janë shumë të pakënaqur me institucionet tona për veprimet e tyre tinëzare që i kanë quajtur se janë një plaçkë e popullatës shumicë shqiptare dhe asgjë tjetër dhe së këndejmi ata edhe po kërkojnë nga ana eKuvendit të Kosovës që të marrë vendim me të cilin do të obligohet Qeveria e Kosovës që të bënë kompensimin e parave të paguara për serbët e katër komunave të veriut. Bedri Duraku, për "Kosova Sot", tha se është shumë normale që duhet të kompensohen qytetarët shqiptarë. "Kuvendi dhe Qeveria duhet që të marrin një vendim urgjent me të cilin edhe serbët e Veriut të vendit do të detyroheshin që të paguajnë energjinë elektrike dhe ujin e jo që të bëhet padrejtësi ndaj popullatës shumicë shqiptare që të paguajnë vetëm shqiptarët, sepse kjo është një padrejtësi e madhe", theksoi ai. Ndërsa Adem Shala për "Kosova Sot" tha se arsyetimet e qeverisë sonë janë banale, sepse shqiptarëve si popullatë shumicë po u bëhet një e padrejtë, duke i detyruar që të paguajnë, ndërsa serbët e katër komunave të Veriut të Kosovës nuk po paguajnë as për energjinë dhe as për ujin."Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës duhet që të marrin një vendim që ato para t'u kompensohen shqiptarëve, sepse kjo pagesë për serbët e veriut është një absurditet i llojit të vet, sepse ato para janë tonat", potencoi ai. Kurse Milot Xhejmajli për gazetën "Kosova Sot" thotë se Kuvendi i Kosovës duhet që të marrë një vendim që shqiptarëve të Kosovës t'u kompensohen paratë për energjinë elektrike që ata kundër vullnetit të tyre kanë paguar për katër komunat e veriut të Kosovës."Nuk ka asnjë logjikë që të paguajnë shqiptarët energjinë, të cilën nuk e kanë shpenzuar vetë, por e shpenzuan serbët e veriut", u shpreh ai.

(Kosova Sot)