QARRI: KRIMI I ORGANIZUAR DHE NËNTOKA KRIMINALE UDHËHEQIN ME TË GJITHA PARTITË POLITIKE

  • 25 April 2018 - 12:06
QARRI: KRIMI I ORGANIZUAR DHE NËNTOKA KRIMINALE UDHËHEQIN ME TË GJITHA PARTITË POLITIKE

Sipas analistit Gani Qarri, deklarata qejfbërëse e ishministrit dhe aktualisht deputeti Memli Krasniqi për medie, se PDK-ja është partia më e rëndësishme në vend dhe ata vendosin për zgjedhje, në fakt nuk qëndron, ngase asnjëra nga partitë politike, me gjithë zhurmën që bëjnë, tani për tani nuk janë të gatshme për zgjedhje të reja. Ai thotë se madje as vetë LDK-ja, si dhe partitë e tjera politike që gjenden në opozitë, në realitet jo se nuk kanë dëshirë për të ardhur në pushtet, por u mungon vullneti dhe guximi i duhur që ata të marrin përgjegjësinë për temat të mëdha, si arrestimet e mundshme të 'peshqve të mëdhenj' me kërkesë të Gjykatës Speciale, formimi i Asociacionit të Komunave Serbe dhe përmbyllja e dialogut me Serbinë.

"Ndaj, duke pasur parasysh këto dhe shumë fakte të tjera, nuk është më PDK-ja, ajo që vendos e vetme për kohën e mbajtjes së zgjedhjeve, e cila ende bën sikur edhe nuk po e kupton se nuk ka më asnjë shans që të jetë kurrë partia më e madhe në vend, sepse populli tanimë është ngopur me gënjeshtrat dhe mashtrimet e saj, por vetë partitë në opozitë presin me durim që Qeveria dhe koalicioni në pushtet, jo vetëm të përfundojnë detyrat më të rënda në vend, por duke pasur parasysh peshën e tyre, edhe të marrin goditje sa më të mëdha, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme opozita të dalë fituese dhe të vijë sa më lehtë në pushtet", theksoi ai.

"Populli dhe të gjithë qytetarët e Kosovës e kanë kuptuar tanimë, se jo politika e mirëfilltë, e cila në Kosovë pothuajse nuk ekziston, por krimi i organizuar dhe nëntoka kriminale udhëheq me të gjitha partitë politike, gjë që më së gjati ka ndodhur me PDK-në dhe jo vetëm", vijoi më tutje Qarri për "Kosova Sot". "Loja më e re, me ftesa për konsensus, e Kadri Veselit, i cili gjoja fton partitë politike të bashkohen për çështjet e integrimeve, Asociacionit, reforma zgjedhore, dialogu me Serbinë edhe thirrja në takim e Isa Mustafës,kinse për zgjedhje të parakohshme,janë edhe një loje shtesë; nga PDK-ja për vazhdimin e qëndrimit në pushtet", tha Gani Qarri për "Kosova Sot" .

(Kosova Sot)