Zjarri që ia shkatërroi jetën familjes kosovare në Gjermani

  • 25 April 2018 - 12:55
Zjarri që ia shkatërroi jetën familjes kosovare në Gjermani

Një zjarr që kishte përfshirë dy katet e një rrokaqielli në Puchheim të Gjermanisë, ka lënë pa banesë një familje nga Kosova. Bashkëshortja 42-vjeçare Violeta L., me burrin e saj Johan dhe tre fëmijët nuk mund të hyjnë më në banesën e tyre, pasi është e pabanueshme.

Zjarri ishte shkaktuar pasi dikush e kishte lënë një karrocë fëmijësh të ndezur në afërsi dhe tani policia është duke hetuar për zjarrë-vënie të qëllimshme.
Në një rrëfim të saj për të përditshmen gjermane “Merkur”, Violeta ka shpjeguar se për herë të dytë është buzë greminës së ekzistencës.

Padyshim se mendja i shkoi në përjetimet e tmerrshme të luftës në Kosovë, kur ajo dhe bashkëshorti i saj u detyruan të largohen nga rrënojat e luftës dhe në Gjermani të fillojnë një jetë të re.

Ajo ka arritur ta shpëtojë makinën e kafes nga banesa dhe disa rrobe të nevojshme. Një fqinje e saj ia kishte shpëtuar katër macet, ndërsa për të gjithë të prekurit nga ky zjarr, komuna kishte organizuar strehim të përkohshëm. Violeta L. është mirënjohëse për ndihmën, ndërsa komuna i ka siguruar edhe një frigorifer.

Vlerësuesit tashmë janë duke i përcaktuar dëmet e banesave të djegura dhe supozojnë se pas dy javësh ato do të bëhen të banueshme. Nga ana tjetër, Violeta është pesimiste dhe mendon se një punë e tillë do të zgjasë me muaj.

Pasiguria e shqetëson kosovaren, pasi ka një fëmijë të sëmurë kronik, ndërsa ajo nuk mund ta përgatisë si zakonisht për ta dërguar në spital.
Familja e saj ishte mësuar në këtë banesë, e cila kishte vetëm dy dhoma e gjysmë dhe ku jetonin që nga viti 2009.

“Që kohë të gjatë jemi duke kërkuar banesë më të madhe, por ende nuk kemi gjetur asgjë”, deklaron Violeta L., e cila pohon se mund të paguaj deri një mijë euro ndonjë banesë.

Për momentin, familja kosovare ende nuk e di se sa është dëmi i shkaktuar në banesë dhe çka mund të shpëtohet nga gjësendet.

(Kosova Sot)