Çifti Macron, i pari që pritet me kaq salltanet nga presidenti Trump

  • 25 April 2018 - 18:24
Çifti Macron, i pari që pritet me kaq salltanet nga presidenti Trump

PRESIDENTI FRANCEZ DHE GRUAJA E TIJ BRIGITTE ARRITËN NË SHTËPINË E BARDHË PËR NJË QËNDRIM TREDITOR

Presidentët Trump dhe Macron sikur janë shtyrë se cili prej tyre do t'ia shtrëngojë tjetrit më shumë dorën

Presidenti francez Emmanuel Macron bashkë me gruan, Brigitte, kanë hasur në një pranim madhështor në Shtëpinë e Bardhë nga presidenti amerikan Donald Trump dhe gruaja e tij, Melania. Çifti i parë francez arritën në selinë presidenciale në orën 9 të mëngjesit, ku u përshëndetën nga bendi muzikor ushtarak në "South Lawn" (Lëndinën jugore) të Shtëpisë së Bardhë. Në një ceremoni e rezervuar vetëm për festimet më formale, çifti Macron janë të parët që priten me kaq salltanet nga presidenti Trump. Kjo është vizita e parë shtetërore në Shtëpinë e Bardhë prej se Trump është bërë president. Trump përshëndeti Macronin me fjalët "aleati më i vjetër amerikan" dhe "dëshmi e miqë- sisë së gjatë që lidhë dy popujt tanë". "Tani është koha e të qenit i fuqishëm, prandaj le të jemi të fuqishëm dhe të bashkuar", tha presidenti Trump. 'Le të qëndrojnë SHBAja dhe Franca në solidaritet të përhershëm për kauzën fisnike të lirisë dhe paqes", transmeton "Kosova Sot Online".

Mbjellja e pemës

Macron, i trimëruar nga këto fjalë të presidentit Trump, tha se "miqësia jonë ka vazhduar që të bëhet gjithnjë e më solide". Në turmën e të pranishmëve ishin edhe zëvendëspresidenti Mike Pence dhe gruaja e tij, Karen. Në lëndinë ishin rreshtuar zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë, duke përfshirë edhe Ivanka Trumpin, Jared Kushnerin dhe John Kellyn, si dhe sekretarët e Kabinetit. Sekretari i Thesarit, Steve Mnuchin dhe ai i tregtisë, Wilbur Ross, ishin në mes, në vendin qendror. Të pranishëm në këtë event ishin edhe prindërit e Zonjës së parë. Në anën franceze, të pranishëm ishin ministri i mbrojtjes, ai ekonomik dhe i punëve të jashtme, si dhe i edukimit dhe ambasadori në OKB. Të pranishëm ishin edhe disa anëtarë të parlamentit. Presidentët Trump dhe Macron sikur janë shtyrë se cili prej tyre do t'ia shtrëngojë tjetrit më shumë dorën, por si duket, kësaj here ishte mysafiri ai që doli fitimtar në këtë mes, me përshëndetjen tradicionale galike. Melania Trump, e cila në të kaluarën, për një kohë të shkurtër, ka jetuar në Paris, dukej më e relaksuar me mysafiren e saj, Brigitte Macron. Më pas, çiftet presidenciale dolën jashtë për të hedhur dhe në vendin ku ishte mbjellë një pemë të cilën çifti Macron ia dhuroi SHBA-së. Çiftet presidenciale më pas shkuan për të drekuar në Mount Vernon, që nuk gjendet edhe aq larg Uashingtonit. Kjo pritje e ngrohtë e më të parëve të Francës në Shtëpinë e Bardhë, erdhi pasi që ata ishin pritur në Bazën e përbashkët Andrews, ku arritën të hënën. Ata ishin edhe në qendrën memoriale "Lincoln". 

Presidentët kanë formuar aleanca dhe partneritet për t'iu kundërvënë diktatorëve brutalë dhe grupeve terroriste

Por, kjo pritje e ngrohtë nuk dmth se presidentët kanë pikëpamje të njëjta, apo të ngjashme në të gjitha çështjet. Qasja e tyre ndaj çështjeve ndërkombëtare, sikur ngrohja globale dhe tarifat, por edhe çështja e marrëveshjes bërthamore me Iranin, janë disa prej çështjeve në të cilat pikëpamjet e dy presidentëve janë të ndryshme. Presidentët kanë formuar aleanca dhe partneritet për t'iu kundërvënë diktatorëve brutalë dhe grupeve terroriste, sikur që u reflektua në sulmet e tyre të përbashkëta (dhe britanike) kundër forcave të presidentit sirian Bashar al-Assad, pasi që ai përdori armët kimike kundër rebelëve. Në të kaluarën, SHBA-ja kishte 'raporte speciale' me Britaninë, por Trump ka anuluar vizitën e tij të pritur në Londër, duke caktuar një tjetër për këtë verë, ku data e saktë ende nuk është caktuar. Në anën tjetër, presidenti amerikan me të shoqen kaluan korrikun e vitit të kaluar dy ditë në Paris dhe ishin mysafirë të nderit të çiftit presidencial francez në Paradën tradicionale të Ditës së Bastijës, që organizohet për ta festuar pavarësinë e Francës. Këtë fakt e përmendi edhe Macron, gjatë vizitës në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se, ai dhe Trump kanë një raport të veçantë, meqë janë rebelë të sistemeve në të dyja anët e Atlantikut. "Fitorja e presidentit Trump ishte e papritur në SHBA, aq sa ishte edhe fitorja ime bindëse në Francë. Dhe, ne nuk jemi pjesë e sistemit klasik politik", tha ai. Të mos harrojmë se Macron dhe Trump kanë mendime kundërthënëse edhe rreth vazhdimit të pranisë amerikane në Siri. Derisa, para sulmeve kimike, Trump kishte folur për tërheqjen e forcave amerikane nga Siria, më pas Macron kishte dalë me deklarata se, pas sulmeve me armë kimike, të bëra nga regjimi i Assadit, ai, Macron pra, e ka bindur presidentin Trump që ta vazhdojë praninë amerikane në Siri, gjë që nuk u prit mirë në SHBA.

 

(Kosova Sot)