Istogu:Telekomi i Kosovës për shumë vite është konsideruar si një parajsë

  • 25 April 2018 - 21:32
Istogu:Telekomi i Kosovës për shumë vite është konsideruar si një parajsë

Analisti Zekim Istogu tha për "Kosova Sot" se Telekomi i Kosovës për shumë vite është konsideruar si një parajsë, ku qasje kanë pasur vetëm njerëzit e politikës dhe varësit e tyre. "Ka qenë e vetmja kompani publike ku të gjitha partitë politike kanë pasur konsensus për veprimet e menaxhmentit drejtues, pasi aty të gjithë kanë rehabilituar familjarët e të afërmit, pa u penguar politikisht. Duke qenë kështu, menaxhmenti, që gjithashtu ka qenë në shumicë politik, kanë vepruar krejtësisht në shërbim të klaneve të caktuara, pa u kundërshtuar nga politika opozitare e as nga ekspertët", u shpreh ai."Kjo status-quo u shkatërrua me tendencën për të privatizim, të shtyrë nga ndërkombëtarët, ku u rrezikuan interesat dhe planet e klaneve të caktuara. Vetë zhvillimi në fushën e teknologjisë informative dhe të komunikimit ka obliguar të gjitha kompanitë botërore të bëjnë hapa të shpejtë për t'u adoptuar në teknikat e reja në ketë fushë. Menaxhmenti dhe ekspertët e telekomit megjithëse kanë shpenzuar shuma enorme parash për trajnime, nuk kanë bërë asnjë hap për përshtatje në rrethanat e reja të tregut. Kjo të bën të dyshosh se klane të caktuara kanë tendencë të heqin nga tregu këtë gjigant të ekonomisë kosovare, sigurisht jo ta shuajnë, sepse asetet duhet të jenë funksionale, për të qenë në shërbim të kompanisë "Z-Mobile", kontratën me të cilët e ka legjitimuar Gjykata dhe marrëveshja e menaxhmentit të Valës me "Z- Mobile", pas vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit. Kontrata me "Z-Mobile" ka qenë një fillim për futjen e të gjitha aseteve të vlefshme të 'Valës', nën kontrollin e njerëzve të caktuar, gjegjësisht privatizimin pa procedura e pa konkurrencë të mirë- filltë. Prokuroria e Shtetit në këtë rast ka shërbyer si instrument për legalizimin e këtyre marifeteve", potencoi Istogu. 

 

(Kosova Sot)