Sundimi i frikshëm nxit eksod të ri në Kosovë

  • 26 April 2018 - 08:10
Sundimi i frikshëm nxit eksod të ri në Kosovë

Qytetarët nuk kanë më alternativa në vendin e vet

Të zhgënjyer me këtë klase politike të tejinkriminuar dhe të ngulfatur deri në fyt në korrupsion dhe krim të organizuar, qytetarët kosovarë kanë rënë në një depresion të madh, duket se e kanë humbur tërësisht besimin se do të ketë një jetë më të mirë. Analistët me të drejtë po pyesin se deri kur do të vuajnë qytetarët tanë për shkak se Kosovën e kanë vërshuar e zaptuar politikanët e inkriminuar, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, që fatkeqësish po mendojnë vetëm për xhepat dhe kontot e tyre të majme dhe asnjëherë e aspak ata nuk mendojnë fare për qytetarët e përvuajtur e të mashtruar kosovarë. Analistët dhe banorët e këtushëm tregojnë se si dhe përse qytetarët tanë po kërkojnë që të gjejnë sa më parë rrugë alternative për të ikur sa më larg Kosovës, pikërisht për shkakun se këtu sundon krimi i organizuar, që realisht po e udhëheq dhe po e sundon shtetin. Analisti politik, Naim Kelmendi tha për "Kosova Sot", se derisa në Kosovë nuk ka sundim të rendit e të ligjit dhe kjo për fajin e klasës politike dhe pashmangshmërisht të pushteteve të pasluftës deri më sot, atëherë Kosovën realisht po e sundon krimi i organizuar e që kështu ia ka humbur shpresën qytetarit të Kosovës për një jetë më të mirë e për zhvillim ekonomik e mirëqenie.

Shteti në shërbim të oligarkisë kriminale

Sipas Kelmendit, këtë degradim e ka bërë politika e inkriminuar dhe kjo klasë politike e korruptuar dhe e lidhur ngushtë me krimin duke ekapur shtetin në të gjithë segmentet e tij,duke e kthyer shtetin de fakto në shërbim të interesave të tyre e të oligarkisë kriminale. "Pikërisht është politika e inkriminuar, e cila e ka sjellë shoqërinë edhe në gjendje depresioni, dhe duke mos parë asnjë perspektivë për jetë dhe mirëqenie,qytetarët po kërkojnë rrugë alternative për të ikur nga Kosova, pikërisht për faktin se së pari këtu sundon krimi i organizuar dhe korrupsioni, i cili shtetin e Kosovës e ka kthyer në një shtet pa shtet, apo thënë ndryshe në një shtet të krimit, pa perspektivë jetë- sore, pa punësim e pa zhvillim ekonomik", u shpreh ai. Ndërsa analisti politik Arsim Haziri tha për " Kosova Sot", se Kosova shikuar nga dimensioni i përgjithshëm nuk ofron jetë të dinjitetshme. Këtë rrafsh ose situatë, fatkeqësisht, e ka krijuar papërgjegjshmëria dhe mosllogaridhënia institucionale. "Këto fenomene negative, përfshirë këtu edhe disa të tjera, janë rezultat i politikave të gabuara dhe mendësivepërvetësuese", theksoi ai. "Kosovës i nevojitet tjetër trajtim institucional, tjetër logjikë e mënyrë qeverisjeje, dhe bashkangjitur më këtë një dozë të caktuar moraliteti, dhe kur mund të kemi këtë rrafsh ose elitë mund të jenë të prekshme produktet, ku në to mund të marrin shërbime të gjithë", ka vlerësuar Haziri.

Qytetarët ndihen të pashpresë

Edhe qytetarët thonë se janë shumë të pakënaqur me spektrin politik vendor dhe shi për këtë ata po kërkojnë ndryshime të menjëhershme në skenën politike vendore duke kërkuar forca të reja dhe të pakorruptuara në skenën e brishtë kosovare të politikës. Qytetari Agim Bajrami tha për "Kosova Sot", se me këta politikanë vështirë se do të ketë perspektivë, se nuk i kanë rrugët e mbara dhe po punojnë më shumë për vete sesa për popullin. "E keqja është se edhe ata që po pretendojnë të vijnë në pushtet nuk i kanë shenjat më të mira si pushtetarë dhe qeverisës, por veç më të këqija. Si shembull po e marrë Komunën e Prishtinës që e drejton VV-ja. Pasi unë jam ndërtimtar me profesion ata janë të njëjtë sikurse pushtetarët para tyre, sepse edhe VV-ja vetëm sa e kanë rritur shkallën e tarifës së ndërtimeve dhe tash po luhet kënga e vjetër e pushteteve të mëhershme", vlerësoi ai. Kurse qytetari Liman Krasniqi, për " Kosova Sot", tha se vështirë se me këta politikanë të vjetërqë janë të involvuar në krim të organizuar dhe në korrupsion Kosova do të mund të përparojë. "Andaj, gjeneratën e vjetër të politikanëve duhet ndërruar, sepse është faji i këtyre politikanëve tanë që qytetarët e Kosovës po ikin jashtë vendit" , u shpreh ai. "Nuk duhet të çuditemi fare se përse qytetarët tanë kosovare kanë rënë në një depresion të madh dhe e kanë humbur tërësisht besimin në përfaqësuesit politikë se në Kosovë do të bëhet mirë", potencoi Bajrami. Ndërsa qytetari kurbetçi Mehdi Krasniqi, për " Kosova Sot", tha se në Kosovë nuk ka udhëheqës që mendon për popullin. "Këtu vetëm 5 për qind e pushtetarëve jetojnë si duhet, kurse 95 për qind e popullit jetojnë në mjerim e skamje", ka thënë ai. Sipas Krasniqit, nuk jetohet në një vend pa perspektivë. "Unë për veten time jetoj në Suedi, por sa herë vij këtu në Kosovë, për fatin e keq, më duket vetja se kam ardhur në xhungël", theksoi ai. 

(Kosova Sot)