Tirana e ndotur, qytetarët: Nuk thithim ajër, por sëmundje

  • 26 April 2018 - 17:22
Tirana e ndotur, qytetarët: Nuk thithim ajër, por sëmundje

Tirana renditet ndër qytetet me ndotje të lartë të ajrit, sipas një raporti të asistuar edhe nga ekspertë të universitetit British Kolumbia.

Ndotja që konsiderohet e rrezikshme nga eskpertët, pohohet edhe nga vetë qytetarët që shprehen, se nuk thithin ajër por sëmundje. Sipas tyre, situata përkeqësohet nga viti në vit.

Niveli i pluhurit dhe tymrave në kryeqytet e rendit Tiranën ndër qytetet me ndotje të lartë, ku vit pas viti sëmundjet e shkaktuara tek popullata vijnë në rritje.

Ky është edhe konkluzioni i një raporti të bërë publik nga instituti  i Pasojave për Shëndetin e Vlerësimin dhe Matjen e Shëndetit me ekspertë të Universitetit të British Columbia, sipas të cilit, përqindja më e madhe e njerëzve jetojnë në zonat ku përqendrimet e grimcave të imëta të ambientit tejkalojnë Udhëzimin e Cilësisë së Ajrit, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Këtë ndotje, që nga ekspertët konsiderohet e lartë dhe e rrezikshme, e ndjejnë edhe vetë qytetarët, të cilët thonë, se nga viti në vit situata vjen duke u përkeqësuar.

Për ta, me rëndësi është shtimi i sipërfaqeve të gjelbëruara, të cilat mund të shfrytëzohen nga të gjitha grupmoshat.

Shqipëria ndodhet në zonën e dytë të ‘rrezikut’, me 10-15 mikrogram/m3 të ndotjes së ajrit, më e lartë se sa norma e vendosur nga OBSH.

Shqipëria renditet e 11-a në grupin e vendeve që kanë pasoja relativisht të rënda në lidhje me cilësinë e ajrit.

 

(Kosova Sot)