Gaxherri:Nuk është kurrfarë sekreti që vlera e PTK-së po ulet qëllimshëm

  • 26 April 2018 - 17:21
Gaxherri:Nuk është kurrfarë sekreti që vlera e PTK-së po ulet qëllimshëm

Dyshime të tilla kanë edhe deputetët e opozitës. Deputetja Besa Gaxherri nga LDK-ja thotë se tanimë nuk është kurrfarë sekreti që vlera e PTK-së po ulet qëllimshëm, nuk është privatizuar me kohë kur ishte në kulmin e zhvillimit të vet, për ta ruajtur dhe avancuar atë trend, por skenari është që tani t'i ulet vlera, të hapet fjalë për falimentim dhe dikush nga prapaskena e politikës ta blejë atë për pak para."Unë dhe secili prej nesh duhet ta dijë që PTK-ja i ka punët shumë keq, jo që nga sot, por që shumë vite më herët, ose prej kur këta kanë filluar me qëllimet e veta personale ta eksploatojnë PTKnë dhe jo për ta ndihmuar, zhvilluar dhe punuar ashtu qysh do të ishte dashur dhe qysh e kanë pasur për obligim", u shpreh ajo. "Edhe sot këto janë vetëm disa demagogji të tyre, që i kanë menduar këta për gjërat që kanë ndodhur aty me vite, sepse sa herë që e kanë futur në proces të privatizimit PTK-në, këta ia kanë dhënë një çmim zhvlerësues, pra ia kanë dhënë një çmim, i cili na bën të kuptojmë se janë vetë këta që pretendojnë ta blejnë ose ta marrin PTK-në. Prandaj, edhe sot besoj që kjo është nënvlerësuar, edhe pse me këto analiza jam marrë për disa kohë, por këto alarme që po i japin se është ashtu para falimentimit unë nuk besoj në një gjë të tillë, por qëllimi i tyre është i keq", vijoi më tej Gaxherri për "Kosova Sot". "Unë konsideroj se duhet angazhuar me prokurori dhe me një auditim, që të bëhet një hetim në këtë kompani dhe të shihet gjendja reale se si është dhe njerëzit, të cilët e kanë sjellë në këtë nivel, nëse ky nivel konstatohet, duhet të shkojnë në përgjegjësi", tha Besa Gaxherri për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)