Salihu:Përse u autorizua biznesi i Shkëlqim Devollit pa asnjë konkurs!

  • 26 April 2018 - 18:13
Salihu:Përse u autorizua biznesi i Shkëlqim Devollit pa asnjë konkurs!

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu (Grupi i Pavarur), tha për " Kosova Sot",se ministri aktual Pal Lekaj,derisa ishte deputet opozite në Kuvendin e Kosovës në punën e shumë komisioneve ku ishin edhe bashkë, disa herë gjithnjë e quante marrëveshjen e homologimit marrëveshje kriminale të klanit "Pronto", kurse tash si po duket pas "një pazari" që ka dyshime të mëdha se mund ta ketë bërë me Devollët po ua mundëson Devollëve që të rrisin të hyrat edhe më shumë, por në kurriz të qytetarëve, gjithnjë duke shkelur ligjet në fuqi dhe Kushtetutën, e cila nuk lejon monopolin në treg. "Veprimet e z. Lekaj na tregojnë se si ia ka mundësuar kjo Qeveri aktuale edhe një mundësi tjetër shtese klanit të madh 'Pronto' dhe Shkëlqim Devollit, duke ia rritur të hyrat e kompanisë së tyre "EuroLab", që operon me Qendrën e Automjeteve të Kosovës, pasi do të jetë sërish e vetmja kompani e autorizuar për të bërë këtë çështje, me monopol antikushtetues dhe antiligjor", potencoi ai. "Me këto vendime kontroverse, ministri Pal Lekaj ia ka trashur monopolin për homologim Shkëlqim Devollit, duke ia ndërprerë punën Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për atestimin e veturave. Është për t'u habitur se përse u autorizua biznesi i Shkëlqim Devollit pa asnjë konkurs nga Ministria e Infrastrukturës për të bërë edhe 'Atestimin e automjeteve', që tash me Ligjin e ri do të quhet 'Homologimi individual i mjeteve rrugore që importohen si dhe atyre të riparuara, të përpunuara dhe të përmirësuara", vijoi më tutje Salihu.

 

(Kosova Sot)