Politika kurrë nuk duhet të na çojë te një luftë tjetër në Lindjen e Mesme

  • 26 April 2018 - 18:17
Politika kurrë nuk duhet të na çojë te një luftë tjetër në Lindjen e Mesme

PRESIDENTI FRANCEZ MBAJTI FJALIM PARA KONGRESIT AMERIKAN 

"Le ta bëjmë planetin tonë të madh përsëri"

Presidenti francez Emanuel Macron në mënyrë të qartë mbrojti sistemin e bashkëpunimit global në fushën e tregtisë dhe të politikës së jashtme, në një kundërshtim direkt të agjendës Trump, vetëm një ditë pas pritjes së ngrohtë që i rezervoi atij dhe gruas së tij, presidenti amerikan Donald Trump. Pas një dite gjatë së cilës Macron dhe Trump këmbyen 'puthje në ajër', tundje të duarve dhe rrahje miqësore të supeve, Macron deklaroi se ka ardhur koha që 'planeti të bëhet përsëri madhështor', duke u shprehur në anglisht dhe duke marrë duartrokitje të shumta. Duke folur rreth Marrëveshjes klimatike të Parisit, nga e cila Trump dëshiron që ta tërheqë SHBA-në, Macron përmendi nipat dhe mbesat tona, duke apeluar që atyre t'ua lëmë një planet i cili edhe pas 25 vjetësh do të jetë i banueshëm, gjë që u përcoll nga duartrokitje të fuqishme nga pakica demokrate në Dhomën e përfaqësuesve, transmeton "Kosova Sot Online".

Iluzioni nacionalist

Ai po ashtu mbrojti sistemin e tregtisë globale dhe apeloi për zgjedhjen e problemeve me anë të Organizatës botërore të tregtisë - një institucion të cilin Trump e ka vlerë- suar si jo të drejtë. 'Ne i kemi shkruar ato rregulla dhe, ne duhet t'i respektojmë ato', deklaroi Macron në fjalimin e mbajtur para dy dhomave të Kongresit. Ai tërhoqi vërejtjen nga luftërat tjera në Lindjen e Mesme, duke thënë se Franca nuk do ta braktisë marrëveshjen bërthamore me Iranin, të cilën marrëveshje Trump e ka cilë- suar si marrëveshjen më të keqe në histori. 'Sa i përket Iranit, qëllimi ynë është i qartë', tha Macron. 'Irani kurrë nuk duhet të posedojë armë bërthamore. As tani, as pas 5 vitesh, as pas 10, kurrë", tha ai, duke i theksuar fjalët fuqishëm. Ai po ashtu tha se politika kurrë nuk duhet të na çojë te një luftë tjetër në Lindjen e Mesme. Por, përkundër kësaj, ai tha se nuk duhet braktisur ky regjion, pa arritur diçka substanciale. Macron përmendi edhe 'iluzionin' nacionalist dhe çështjen e 'lajmeve të rreme'. Edhe pse nuk e përmendi Rusinë në mënyrë direkte, ai foli rreth 'virusit gjithnjë në rritje të lajmeve të rreme, të cilat ekspozojnë popujt tonë ndaj frikës jo racionale dhe rrezikut të imagjinuar. Macron tha se Perëndimi duhet ta respektojë stabilitetin dhe sovranitetin e vendeve të Lindjes së Mesme, duke përfshirë edhe Iranin, duke mos përsëritur gabimet e së kaluarës. 

"Dy popujt tanë kanë rrënjë të përbashkëta"

Macron - vizita e të cilit në SHBA i parapriu asaj të Merkelit, që pritet të zhvillohet të premten, apeloi për një lloj të ri të multilateralizmit. Macron tha se kjo kërkon involvimin e SHBA-së më shumë se kurrë. Ai mori guximin që të parashikonte se, një ditë, SHBA-ja do të kthehej te Marrëveshja klimatike e Parisit, përkundër mosmarrëveshjeve aktuale. Ai nuk la pa përmendur as çështjet, si demokracia, të drejtat e njeriut dhe sakrificat e përbashkëta që, në të kaluarën, kishin bërë populli amerikan dhe ai francez. 'Zonja dhe zotërinj, unë besoj në demokraci. Shumë prej paraardhësve tanë kanë humbur jetën duke luftuar për kauzën e lirisë dhe të të drejtave të njeriut. Trashëgimia, të cilën ata na lanë neve, vjen e shoqëruar me një përgjegjësi për të vazhduar misionin e tyre në këtë shekull të ri. Dy popujt tanë kanë rrënjë të përbashkëta, janë ushqyer me ideale të njëjta të revolucionit amerikan dhe atij francez', tha Macron. Duke bërë shaka rreth 'përkëdheljeve' që ka këmbyer me presidentin amerikan, Macron përmendi raportin e afërt midis presidentit amerikan, atit themeltar, Ben Franklin dhe filozofit francez, Voltaire. "Ata dy vazhdimisht e puthnin njëri-tjetrin në faqe", tha Macron. Kongresi mirëpriti edhe Zonjën e Parë të Francës, të veshur në të zeza, duke e përshëndetur atë me duartrokitje, derisa ulej në vendin e rezervuar për të. Gjatë ditës, para mbajtjes së fjalimit të presidentit francez, Donald Trump kishte postuar në rrjetet sociale duke thënë se 'mezi priste' këtë fjalim, të mikut të madh të popullit amerikan. Por, pas mbajtjes së fjalimit, mbetet pyetja se sa i ka pëlqyer ai, në të vërtetë. 

(Kosova Sot)