Ja fëmijët më të zotë në botë

  • 26 April 2018 - 18:27
Ja fëmijët më të zotë në botë

JANË BËRË TË PASUR FALË TË ARDHURAVE TË TYRE 

Maddie Ziegler ka shkruar memoaret e veta dhe fiton 5 milionë dollarë në vit 

Ne, të rriturit, mund të ndihemi goxha keq, kur të shohim se sa shumë fitojnë disa fëmijë. E, kur të krahasojmë të ardhurat tona me ato të tyret... Sikur kjo të mos mjaftonte, tani ekziston një ueb sajt i cili jo vetëm që ofron listat e fëmijëve të famshëm me rrogat më të mëdha, sikur që janë Maddie Ziegler dhe Millie Bobby Brown, por ua mundëson vizitorëve që të shkruajnë të ardhurat e veta, për të parë se ku qëndrojnë dhe sa vjet do t'iu duhej atyre për të fituar paratë të cilat këta fëmijë i marrin si për shaka., transmeton "Kosova Sot Online".

7- vjeçari ka fituar 11 milionë dollarë

Me emrin "The Rich Kids of Today", ky ueb sajt ofron të dhëna rreth të ardhurave të fëmijëve, duke filluar nga jutjubersat (që postojnë video në "YouTube"), aktorët, modelet, si dhe yjet e emisioneve 'reality', ku disa prej këtyre çamarrokëve fitojnë miliona dollarë, edhe pse ende janë në shkollën fillore. Në vendin e parë në listën e fëmijëve me të ardhurat më të larta, gjendet Ryan (pa mbiemër), i cili ka kanalin e vet të suksesshëm në "YouTube" me emrin "Ryan ToysReview". Nuk keni nevojë të jeni ekspertë të anglishtes, për ta marrë vesh se ai, në videot e tij, flet për lojërat dhe lodrat. Përkundër faktit se ka vetëm 7 vjet, ka tri vjet që Ryan analizon lodrat në këtë kanal, gjë që i ka siguruar të ardhura të majme nga sponsorët. Vetëm gjatë vitit 2017, të ardhurat e tij bruto ishin 11 milionë dollarë.

Para të majme fitojnë edhe fëmijët-aktorë

Një i rritur, i cili, p.sh., fiton 50,000 dollarë në vit (kjo është për Amerikën dhe Britaninë), mund të mbetet shumë keq, kur ta marrë vesh se Ryan e fiton këtë shumë të parave për vetëm 2,2 ditë. Pas tij gjendet vajza nga "Dance Moms", Maddie Ziegler, e cila deri më tani ka shkruar memoaret e veta dhe ka dalë në TV. Ka vetëm 15 vjet dhe fiton 5 milionë dollarë në vit. As motra e saj, Mackenzie Ziegler, nuk mbetet fort prapa. Kjo vajzë 13 vjeçe, e cila po ashtu është paraqitur në "Dance Moms", fiton 2 milionë dollarë në vit, apo thënë ndryshe, 5.500 dollarë në ditë. Para të majme fitojnë edhe fëmijëtaktorë në serinë e transmetuar në 'Netflix', "Stranger Things". Millie Bobby Brown, 14, Finn Wolfhard, 15 dhe Gaten Matarazzo, 15 vjeç, fitojnë para të majme (me miliona në vit), meqë paguhen sikur të ishin të rritur. Ka edhe të tjerë, por na vjen gjynah nga ju, të rriturit, që të vazhdojmë më tej. 

(Kosova Sot)