Shpërthen DioGuardi, Thaçi ka paguar 2.3 milionë euro vetëm për parathënien e librit (Video)

  • 27 April 2018 - 07:32
Shpërthen DioGuardi, Thaçi ka paguar 2.3 milionë euro vetëm për parathënien e librit (Video)

AKUZAT E RËNDA TË ISH-KONGRESISTIT AMERIKAN, XHO DIOGUARDI

Hertica: Zhgënjimi i ish-kongresmenit DioGuardi është turpi i lidershipit kosovar, të cilët ai i quan mafiozë dhe njerëz të pangopur 

Siç është raportuar ditë më parë, ish-kongresisti amerikan Joseph DioGuardi, në një deklaratë për medie, i ka quajtur "mafiozë" presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, të cilëve, sipas tij, u intereson vetëm pushteti dhe fuqia që u jep pushteti dhe kështu ata për shumë vjet po e dëmtojnë popullin e tyre. Ai ka folur edhe për arsyen e refuzimit të dekoratës që i është ofruar. "Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj janë mafiozë. Atyre nuk u intereson asgjë për popullin, por vetëm paratë, pushteti dhe fuqia qe u jep pushteti. Kosova e Shqipëria nuk janë në gjendje të mirë mu për shkak të elitës politike, e cila mendon që gjithçka mund të blihet me para. Ata u munduan të më blejnë edhe mua. Më ofruan para vetëm që të dilnin në fotografi me mua dhe të thoshin se kemi mbështetjen e DioGuardit…Unë nuk dua dekorata. Nuk dua medalje. Nuk marrë dekorata nga liderë të korruptuar", ka thënë i zhgënjyer ish- kongresisti amerikan, Joseph DioGuardi. Ai akuzon presidentin Hashim Thaçi se e ka paguar me para të taksapaguesve kosovarë 2 milionë e 300 mijë euro, ish-senatorin Robert Dole vetëm që t'i shkruajë parathënien e librit të tij: "Në State, Modern Stateman". 

Iniciohet hetim parlamentar

Analistët politikë i shohin shumë serioze këto akuza, derisa Prokuroria e Shtetit nuk ka kthyer përgjigje në pyetjen e shtruar rreth kësaj çështjeje. Ka qenë vetëm deputeti i LDK-së, Naser Rugova, i cili tha se Grupi parlamentar i këtij subjekti politik ka filluar përgatitet për krijimin e komisionit hetimor parlamentar, që do t'i hapte rrugë edhe Prokurorisë së Shtetit që të merret me këtë rast. "Unë vlerësoj që hapat e fundit që janë duke i bërë krerët institucionalë të shtetit të Kosovës në këta 5-6 muajt e fundit, konsideroj që e kanë dëmtuar dhe po vazhdojnë ta dëmtojnë rëndë imazhin e shtetit të Kosovës, identitetin e këtij shteti të ri, profilin, e në veçanti imazhin në përfaqësimin ndërkombëtar dhe në nevojën tonë për mbështetje të partnerëve strategjikë për anëtarësimin në organizatat internacionale. Deklarata e kryetarit të Ligës qytetare shqiptaroamerikane, ish- kongresmenit dhe mikut të madh të shqiptarëve, Jozeph DioGuardi, është në vazhdën e kësaj që e potencova më lartë, se këta krerë institucionalë janë duke e dëmtuar seriozisht perspektivën e shtetit të Kosovës dhe proceset integruese, edhe anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat relevantë ndërkombëtarë", u shpreh ai për "Kosova Sot". Ndërsa, sipas analistit Ragip Guraziut, duke parë peshën dhe mbështetjen që ka pasur në kohë në mbështetje të kauzës së Kosovës për liri nga ky ishkongresmen, atëherë këto akuza duhet të merren tepër seriozisht. "Ky është një lajm që flet për zhgënjimin ekstrem të miqve të Kosovës ndaj liderëve të shtetit të Kosovës që kanë devijuar nga interesat e shtetit dhe të qytetarëve, por që mendojnë vetëm për veten e tyre, madje duke mos përfillur as miqtë ndërkombëtarë. Sidomos është skandaloze ajo që e thotë se Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj janë mafiozë, se atyre nuk u intereson asgjë për popullin, por vetëm paratë, pushteti dhe fuqia që u jep pushteti. Është akuzë e rëndë kur e thotë se Kosova e Shqipëria nuk janë në gjendje të mirë mu për shkak të elitës politike, e cila mendon që gjithçka mund të blihet me para dhe se ata u munduan të më blejnë edhe mua. Akoma më skandaloze dhe alarmuese është deklarata që e thotë se nuk do dekorata, se nuk do medalje nga liderë të korruptuar. E, serioziteti i këtyre pohimeve merr kulmin edhe kur DioGuardi akuzon presidentin, Hashim Thaçi, se e ka paguar me para të taksapaguesve kosovarë 2 milionë e 300 mijë euro, ish-senatorin Robert Dole vetëm që t'i shkruajë parathënien e librit të tij: 'Në State, Modern Stateman'", potencoi Guraziu për "Kosova Sot". 

BURJANI: ME NJË RROGË TË PRESIDENTIT DHE TË KRYEMINISTRIT NUK MUND TË BËHEN PARA AQ TË MËDHA, SAQË TË NDËRTOJNË SHTËPI, TË BLEJË AUTOMJETE LUKSOZE, TË BLEJNË BANESA E TROJE DHE ME HEKTARË TOKË

Edhe sipas Blerim Burjanit, ishin befasuese fjalët e DioGuardit, i cili ka ardhur në Kosovë dhe ka mbështetur politikisht herë Hashimin e herë Ramushin, sidomos në vitet 2000-2006 dhe më tutje, kur ai ka kontribuar shumë për përkrahjen e shtetit të Kosovës."Një fakt, dihet se lufta në Kosovë i bëri politikanë e jo që ata kanë ditur çka është shteti e politika, e vërteta është kjo, përderisa Isa dhe LDK-ja kaherë i takojnë vetëm historisë së zhvillimit të pluralizimit politik dhe ky subjekt politik po shkon kah regjenerimi partiak me një klasë të re njerëzish, që tenton të mbetet më serioze në skenën e Kosovës për momentin... Kosova ka nevojë për një gjeneratë plotësisht të re politike me njerëz të edukuar mirë, të zellshëm e jo zhvatës dhe jo të pasur", u shpreh ai. "Është për të ardhur keq atë që e thotë DioGuardi, sepse këta njerëz janë zhvatës dhe janë pasuruar nga politika,e të gjithë e dinë që me një rrogë të presidentit dhe kryeministrit nuk mund të bëhen para aq të mëdha, saqë të ndërtojnë shtëpi,të blejë automjete luksoze, blejnë banesa e troje dhe me hektar, por kjo është vërteta e tyre. Këta njerëz të gjithë e dinë se kanë bërë para nga politika dhe forma të tjera dhe deri më tash fshihen prapa politikës, përderisa sillen në mënyrë injoruese ndaj klasës intelektuale", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot".

KELMENDI: LIBRI ME PAÇAVURET E HASHIM THAÇIT KA KUSHTUAR DISA MILIONË

Ndërsa, sipas prof. Muhamet Kelmendit, buxheti i Kosovës ka dhënë nëpërmjet z. Thaçi para të shumta për librin tij. "Por, këtu nuk është fjala vetëm për keqpërdorime të buxhetit në botimin e librit,por edhe të parave të tjera, sikundër është veshmbathja, makinat, shëtitjet e tij dhe të familjes nëpër vende të shtrenjta, pasuria e patundshme e shumë e shumë prona që i ka ai dhe familja e tij. Thuhet, unë nuk kam fakte, se libri me paçavuret e Hashim Thaçit ka kushtuar disa milionë. Sa, nuk e di. Por, një fakt është domethënë se ai si ish-senatori Dole, avokatët dhe shkruesit e librit, duke i dhënë të dhënat sipas qejfit të Hashim Thaçit, nuk veprojnë dhe as që punojnë falas. Në anën tjetër, ky nuk është personalitet botëror, që nga botimi të fitohen miliona. Jam i bindur se as 100 kopje nuk i shiten", tha prof. Kelmendi.

Turp i madh për politikanët kosovarë

Nga ana tjetër, analisti Faton Abdullahu tha për "Kosova Sot" se këto ditë kemi dy iniciativa, atë të LDK-së për një tryezë dhe të kryeparlamentarit për një Platformë. "Pavarësisht se ato kanë dallime, e kanë një emërues të përbashkët, brengën mbase edhe bindjen se, institucionet aktuale, pra edhe Qeveria, nuk po funksionojnë si duhet, prandaj duhet gjetur një rrugë jashtë tyre për t'ua kthyer atyre funksionimin normal në një të ardhme", u shpreh ai. "Ajo çfarë ka deklaruar miku tashmë i dëshmuar i shqiptarëve DioGuardi, është ilustrim më i mirë i gjendjes aktuale, e cila kërkon ndryshime urgjente, por edhe përmbajtjesore. Ajo çfarë ka deklaruar miku ynë DioGuardi, gjithashtu, është ilustrim i mirë i 'Raportit të Progresit', i cili flet gjerë e gjatë për regresin në Kosovë. E keqja më brengosëse e kësaj amullie shkaktuar nga pushtetarët aktualë është se, Kosova po rrëshqet pariparueshëm nga agjenda evropiane, të cilën do ta paguajnë më së keqi qytetarët e Kosovës. Mjafton të përmendet rasti i gylenistëve në Kosovë, për të kuptuar se si pushtetarët aktualë nuk qajnë kokën për të respektuar institucionet, hierarkinë, por as edhe Kushtetutën dhe të drejtat e njeriut", potencoi Abdullahu për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Ali Hertica konsideron se këto akuza e mbulojnë me turp të madh lidershipin politik që po e qeveris Kosovën. "Zhgënjimi i ish- kongresmenit amerikan, Joseph DioGuardi, është turpi i lidershipit kosovar, të cilët ai i quan mafiozë dhe njerëz të pangopur dhe pushtetarë që për shumë vjet po e dëmtojnë shtetin dhe qytetarin e Republikës së Kosovës, duke mos qenë kurrë të ngopur nga taksapaguesit e qytetarët e përvuajtur", theksoi ai."Konsideroj se nuk do të duhej të ishte ndjenjë krenarie e as madhështore, për një ndjenjë për të ulur kokën para këtyre akuzave, sidomos nga ana e presidentit Hashim Thaçi, kur një kongresmen del dhe deklarohet se nuk merr dekorata nga një njeriu, i cili është i zhytur në krim dhe korrupsion", tha Hertica për "Kosova Sot". 

Akuza të rënda

Të sakta i sheh këto konstatime edhe analisti Reshat Badallaj. "Deklarata e ish- kongresistit amerikan Jozeph DioGuardi, për Hashim Thaçin dhe Ramush Haradinajn, se janë mafiozë jo vetëm që është plotësisht me vend,por nuk e luan as topi, bile unë do të shtoja se jo vetëm mafiozë, por mafiozë shkuar mafiozëve, që nuk i kanë interesat e vendit dhe qytetarëve të saj, por këta kanë interesat e veta mafioze të kanaleve të nëntokës kriminale", theksoi ai. "Pra, kush e kupton zëri i këtyre kryemafiozëve u ka dalë, edhe emri përtej oqeaneve, natyrisht për të keq, duke e dëmtuar shtetin", shtoi Badallaj për "Kosova Sot", duke kërkuar që sidomos rreth aferës së botimit të librit personal të Hashim Thaçit, të fillojnë hetimet nga Prokuroria e Shtetit. Kurse, analisti Bislim Aliu thotë se këto pohime apo akuza nga një mik aq i madh i Kosovës duhet të trajtohen edhe nga politika, edhe nga institucionet e drejtësisë. "Akoma më e rëndë bëhet kjo akuzë derisa ai thotë se nuk dua medalje dhe nuk marrë dekorata nga liderë të korruptuar, që e thotë tejet i zhgënjyer ish- kongresisti amerikan Joseph DioGuardi nga Amerika, mike e madhe e Kosovës", tha Aliu për "Kosova Sot".

Qytetarët, të zhgënjyer

Edhe qytetarët e anketuar shprehen në favor të kritikave të arsyeshme të mikut amerikan DioGuardi dhe gjykojnë veprimet joserioze të krerëve të shtetit, të cilat po e dëmtojnë imazhin e Kosovës në Evropë dhe në botë, sidomos karshi miqve ndërkombëtarë. Qytetari Rrahman Rrahmani thotë se kur njerëz me ndikim si është DioGuardi sillen në këtë mënyrë, atëherë urgjentisht krerët e shtetit duhet të kthehen dhe t'i shikojnë se ku janë gabimet e tyre. "Akuzat edhe refuzimet nuk janë të mira, mirëpo gjithherë drejtuesit e shteti tonë, që iu kemi besuar edhe ne, edhe shtetet e huaja, duhet të jenë të kujdesshëm ndaj faktorit ndërkombëtar, sidomos ndaj shteteve mike, veçanërisht karshi Amerikës. Ne fare mirë e dimë që kur ishte Kosova në një situatë të mjerueshme e gjeti përkrahjen më të pakursyeshme nga SHBA-ja. Jo vetëm atëherë, por edhe deri më tani kemi përkrahje dhe e kemi mikun më të fuqishëm që është SHBA-ja", tha Rrahmani. E, kur një mik i quan kriminelë krerët e shteti që e ka ndihmuar, ai thotë se është kulmi i zhgënjimit. Gjykim të tillë ka edhe Fitim Tahiri."Unë mendoj që çdo refuzim i ndonjë diplomati, apo në këtë rast i ndonjë kongresisti amerikan, mendoj që nuk është pa arsye, sidomos mospranimi i mirënjohjes. Arsyeja kryesore mendoj që është për faktin se edhe vetë populli është i pakënaqur me këtë udhëheqjen e vet, prandaj kjo reflekton që edhe të tjerët të jenë të pakënaqur, kështu që kjo reflekton që edhe të refuzohen mirënjohjet e personave, të cilët vetë populli i tyre nuk i konsideron se janë të mirë dhe të denjë për përfaqësimin e vendit", u shpreh ai. Sipas tij, liderët duhet të japin llogari për pasojat e keqqeverisjeve të tyre.

(Kosova Sot)