Investitorët e huaj zgjedhin Serbinë, braktisin Kosovën

  • 27 April 2018 - 07:46
Investitorët e huaj zgjedhin Serbinë, braktisin Kosovën

Pasojat e rënda të regjimit korruptiv dhe mungesës së vizionit ekonomik

Miliardat i ikin vendit për shkak të dështimit qeveritar 

Për dallim nga Qeveria e Kosovës, që nuk po arrin të tërheqë investime të huaja, shifrat e së cilave kanë shënuar një rënie drastike, sidomos që nga Pavarësia e deri më sot, është Qeveria e Serbisë ajo që po tërheq kompanitë gjermane dhe vetëm në qytetin e Nishit është një kompani gjermane që do të punësojë mijëra punë- torë. Analistët dhe deputetët po pyesin se çfarë po ndodhë me Kosovën dhe investimet që nuk janë e nuk shihen askund. Ata janë të mendimit se është krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant, si dhe mungesa e sundimit të ligjit, që po i frenojnë investitorët e jashtëm, pasi që askush nuk dëshiron që të investojë në një vend ku kërkohet në kundërshtim me ligjin për çdo shërbim ryshfet e mitë dhe ku duhet 'lagur fytin' zyrtarëve të shtetit të kapur për të marrë monopole kriminale. Analistët pyesin se përse ambasadorët e Kosovës, përveç shpenzimeve dhe shëtitjeve që po bëjnë, nuk po arrijnë që të sjellin as edhe një investitor të madh dhe as të vogël në Kosovë për 10 vjet shtetësi. Sipas tyre, është për keqardhje përderisa rajoni rreth nesh po mbushet me fabrika, të rinjtë tanë po largohen çdo ditë nga vendi, në mungesë të perspektivës dhe papunësisë.

Diplomacia ekonomike, një dështim i madh

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma Demokrate), për "Kosova Sot" tha se është e vërtetë se Kosova tanimë gjendet para një refuzimi masiv të investimeve të huaja direkte, kurse rezultat i tërë kësaj gjendje jo të mirë është mosfunksionimi jo i mirë i sistemit të drejtësisë dhe në këtë klimë është shumë e vështirë që të tërhiqen investitorët e huaj."Kurse fqinjët tanë për fat të keq me politikat e tyre po i joshin investitorët e huaj, sikurse që është rasti i gjermanëve që po investojnë në Serbi", u shpreh ai."Jam i mendimit se qeveria jonë duhet që të ndërmarrë masa urgjente që të ndryshojë klimën për investime të huaja, duke e krijuar një klimë të relaksuar e të përshtatshme për investime të huaja në mënyrë që investitorët e huaj të kenë besim në organet tona, sepse këtu në Kosovë nuk ka besim në asnjë sferë, sepse problemi kryesor është në energjetikë dhe në legjislacionin nga mosefikasiteti i gjyqë- sorit dhe si rezultat i mosefikasitetit nuk mendoj se ka ryshfet direkt, por ka qasje joformale të mekanizmave të shtetit që janë pengesë e tyre", vijoi më tej Hoti. Ai ka kritikuar edhe zyrtarët tanë nëpër ambasadat tona që janë të ngarkuar për çështje ekonomike, duke theksuar se ata janë njerëz të dështuar, sepse kot po e shfrytëzojnë buxhetin e Kosovës, duke marrë paga të majme dhe duke mos e kryer detyrën si duhet."Asnjë diplomat i ngarkuar për çështje ekonomike i akredituar në diplomacinë tonë në ambasadat tona nuk kam ndonjë informacion se e kanë kryer detyrën si duhet, duke sjellë ndonjë investitor, kurse pagat e tyre janë marramendëse dhe ata më tepër po merren me çështje të tjera jashtë përgjegjësisë që i kanë me ligj dhe është një mëkat i madh që të paguhen nga taksapaguesit e Kosovës dhe nuk i kryejnë detyrat si duhet", vlerësoi ai. 

Pengesa serioze biznesore në Kosovë

Eksperti i fushës së integrimeve evropiane në fushën e ekonomisë, Nëntor Shaqiri, për "Kosova Sot" tha se institucionet e vendeve të rajonit po bëjnë më shumë për të pasur një zhvillim ekonomik, duke krijuar kushte shumë më të favorshme për investitorët e huaj. "Thithja e investimeve të huaja është një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit. Ambienti i të bërit biznes ende nuk është përmirësuar që të kemi investitorë seriozë siç kanë vendet e rajonit. Institucionet e nivelit qendror dhe ato lokale duhet të punojnë bashkërisht për krijimin e ambientit të favorshëm për të bërë biznes", theksoi ai. "Si pengesë për tërheqjen e investitorëve të huaj konsiderohet të jetë edhe mungesa e një platforme, ku do të mund të përfshiheshin: hapja e disa zyrave për investitorët e huaj në vende të ndryshme të Unionit Evropian, dhënia e tokës falas, ofrimi i infrastrukturës shtesë, deri te ndërmarrja prodhuese, tatimi në fitim të tatohet nën normën 10 për qind, mundësia që fitimi i krijuar nga investimet që ri-investohet të mos tatohet, shpallja e më shumë zonave të lira ekonomike në vend, si dhe të bëhet lehtësimi i procedurave për marrjen e lejeve dhe licencave", potencoi Shaqiri. Ndërsa analisti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot" tha se vendet e rajonit si duket e kanë kuptuar perspektiven evropiane dhe ekonominë e tregut dhe e kanë vendos në rënd të parë perspektivën ekonomike, duke ofruar kushte të favorshme për investitorët e huaj."Si rezultat edhe Raporti i Progresit e radhiti më se keqi Kosovën për shkak të korrupsionit të lartë dhe infrastrukturës jo të mirë për zhvilluar aktivitetin biznesor. Kështu që investitorët e huaj nuk merren me deklarimet e thata të politikanëve tanë, por vendosin në bazë të raporteve", ka vlerësuar ai.

Sfida të patejkalueshme nga institucionet

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për "Kosova Sot" tha se investimet e huaja direkte konsiderohen një nga mënyrat e zhvillimit ekonomik të Kosovës dhe hapjes së vendeve të punës. "Por, në këtë aspekt Kosova vazhdon të ketë bilance negative. Pra, interesimi i investitorëve të huaj vazhdon të bjerë nga viti në vit. Sipas ekonomistëve, ky është një lajm shumë i keq për zhvillimin ekonomik në përgjithësi, por edhe për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. E gjithë kjo po ndodh edhe pse Kosova konsiderohet me potenciale të mjaftueshme dhe atraktive për investitorët potencialë, por u mbetet institucioneve kompetente që të krijojnë një ambient të mirë për t'i tërhequr investitorët, e jo të bëjnë të kundërtën", theksoi ai."Një ndër detyrat e para të Qeverisë së ardhshme të Kosovës mbetet përmirësimi i reformave dhe kushteve, si dhe eliminimi i barrierave aktuale, me të cilat përballen investitorët potencialë. Shteti i Serbisë po përdorë çdo metodë për ta diskredituar ekonominë e Kosovës dhe se ka pasur shumë raste kur shteti serb ka ndërhyrë në sovranitetin e shtetit të Kosovës, duke dhënë mesazhe negative në mediat ndërkombëtare, kemi rastin e Brezovicës, Trepçës, pastaj mos anëtarësimi në UNESCO, propaganda serbe dhe ruse në OKB etj.", u shpreh më tej Beqiri. Sipas tij duhet pasur parasysh që Kuvendi i Kosovës është bërë arenë e "gladiatorëve", thuajse aty bëhet luftë, në njërën anë opozita dhe në anën tjetër kryeneçësia e qeverisë së vjetër, por pa anashkaluar edhe qeverinë e re."Kosovës i duhet një ndërrim i metodologjisë udhëheqëse, kjo garniturë aktuale nuk ka kapacitete të rritë interesimin e investitorëve të huaj, për këtë vendit i duhet një sistem tjetër i zhvillimit ekonomik. Aprovimi i ligjit për investime strategjike është një shpresë se do të kemi investitorë të rinj në Kosovë, mbetet sfidë zbatimi i këtij ligji dhe të shohim Kosova ka përmirë- suar dukshëm të bërit biznes sipas raporteve të fundit nga Banka Botërore", vlerësoi ai. "Janë disa probleme thelbësore që po i trembin investitorët e huaj të investojnë në Republikën e Kosovës. Lufta e pakompromis e Serbisë për krijimin e imazhit negativ e ka bërë të veten, siç dihet investitori në kompleksin 'Brezovica' u largua nga investimi i tij si shenjë e kërcënimit të Qeverisë serbe, pastaj kriza politike në vend, gazi lotsjellës në shtëpinë e demokracisë, korrupsioni, ryshfeti, mossundimi i ligjit, ngecja e gjykatave në trajtimin e lëndëve ekonomike, kamatat e larta, burokracia e tmerrshme shtetërore, politikat e pafavorshme fiskale, janë disa prej pengesave që kanë bërë që investitorët ose të largohen nga vendi, ose të mos vijnë fare", theksoi Beqiri.

Korrupsioni frenon investitorët potencialë

Analisti Ragip Guraziu tha për "Kosova Sot" se investitorët e jashtëm po i frenon krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant, si dhe mungesa e sundimit të ligjit. "Ndërsa e kundërta e kësaj është Qeveria e Serbisë, që po i tërheq kompanitë gjermane, ku vetëm në Nish një kompani gjermane do të punësojë me mijëra punëtorë", u shpreh ai. Guraziu thotë se nuk duhet të çuditemi me atë çka po ndodh me Kosovën dhe investimet që nuk po shihen askund."Indikatori kryesor që po i frenon investitorët e jashtëm janë krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant, si dhe mungesa e sundimit të ligjit", theksoi ai."Askush nuk dëshiron që të investojë në një vend ku kërkohet që në kundërshtim me ligjin për çdo shërbim nga investitorët e huaj potencialë po kërkohet ryshfet e mitë dhe duke kërkuar që t'ua 'lagin fytin' që po e bëjnë zyrtarët e shtetit të kapur, me synimin për të ruajtur monopolet kriminale", shpjegoi më tej Guraziu, duke kritikuar edhe diplomatët që nuk sjellin asnjë rezultat. Ndërkohë, eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për "Kosova Sot" se njëra nga arsyet se përse kompanitë gjermane, të cilat po investojnë në Serbi, është se politikanët tanë në vend se të lobojnë tek investitorët që të vijnë në Kosovë, ata jo vetëm që nuk e bëjnë këtë, por edhe kur vijnë në Kosovë atyre edhe po u kërkohet ndonjë përqindje edhe për veten e tyre. "Këto punë të pista të pushtetarëve tanë krejt po shkojnë në dëm të Kosovës, sepse këta qeveritarë dhe zyrtarë që po punojnë nëpër komunat e Kosovës, në vend se t'i falënderojnë investitorët që po vijnë në Kosovë për të investuar, pushtetarët tanë u kërkojnë ryshfet", u shpreh ai. Sipas tij, korrupsioni dhe personat e inkriminuar politikisht e kanë fajin që sot në Kosovë nuk ka investitorë, kurse edhe ata që po vijnë po investojnë në disa fusha, ku qytetarët nuk mund të përfitojnë, por vetëm investitori. 

(Kosova Sot)