AKK-ja kërkon ndaljen e monopolit, Qeveveria 'Haradinaj' në shërbim të Devollëve

  • 16 May 2018 - 08:18
AKK-ja kërkon ndaljen e monopolit, Qeveveria 'Haradinaj' në shërbim të Devollëve

Ministria e Infrastrukturës refuzon hapur të zbatojë ligjin

"Nëse Ministria e Infrastrukturës nuk tërhiqet nga vendimi i saj, neve si autoritet i pavarur nuk na mbetet tjetër vetëm që të shfrytëzojnë të gjitha rrugët ligjore dhe të këmbëngulim që të anulohet urdhëresa e re administrative e kësaj ministrie. Por, për momentin jemi në pritje të takimit me ministrin Pal Lekaj", theksoi nënkryetari i Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, për "Kosova Sot" 

Ndonëse drejtuesit e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës deklaruan qartazi se Udhëzimi i ri Administrativ i Ministrisë së Infrastrukturës, që flet për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore, është në kundërshtim me Ligjin e Konkurrencës, deri me sot Qeveria nuk ka reaguar fare duke e lënë këtë Udhëzim Administrativ antikushtetues dhe antiligjor në fuqi. Si dihet, ka qenë vetë kryetari i Komisionit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, që ka deklaruar për gazetën "Kosova Sot" se ata kanë dërguar komente e propozime në draftin e këtij udhëzimi, duke konstatuar se ky udhëzim bie ndesh me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, por të cilat nuk janë marrë parasysh nga ministria e udhëhequr nga Pal Lekaj, një ministër i AAK-së. Analistët e ekonomisë po pyesin se përse Ministria e Infrastrukturës nuk i ka ndryshuar nenet, të cilat e betonojnë monopolin në fushën e Homologimit të Automjeteve për Shkëlqim Devollin. Ata pyesin gjithashtu se a kanë nisur hetimet nga ana e Prokurorisë Speciale dhe përse përmbi 9 vjet ata po lejojnë homologim antikushtetues e antiligjor, duke e betonuar tani edhe me shumë këtë homologim me Udhëzimin e ri Administrativ nga Ministria e Infrastrukturës. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka kërkuar nga Ministria e Infrastrukturës që urgjentisht ta marrë për bazë mendimin profesional të Autoritetit, duke e ndryshuar këtë Udhëzim Administrativ, sepse si i tillë ai shpie në sjellje anti-konkurruese dhe çrregullon dhe shtrembëron tregun përkatës. Gazeta përmes pyetjeve të drejtuara në adresën elektronike dhe vizitës së bërë në ambientet e tyre ka provuar për të mësuar se çka thonë për këtë çështje Prokuroria Speciale e Kosovës, por nuk kanë marrë përgjigje, me arsyetimin e tyre se kryeprokurori, Reshat Millaku, është në pushim vjetor, kurse zëvendësi i tij gjendet në një proces gjyqësor. Veç saj, gazeta nuk ka marrë përgjigje as nga afaristi Shkëlqim Devolli, si edhe Ministria e Infrastrukturës.

"Siç dihet, Urdhëresa e re Administrative e kësaj ministrie qartazi e pengon konkurrencën e lirë në tregun e lirë, që është i garantuar edhe me Kushtetutën dhe ligjet e vendit", theksoi Ahmet Krasniqi për "Kosova Sot" 

"Kërkesa kryesore është shfuqizimi i Urdhëresës Administrative 02/2018 dhe, meqë atestimit vetëm i është ndërruar emërtimi, dhënia e Autorizimit të ri FIM-së për homologim individual të mjeteve të riparuara, modifikuara pas prodhimit", tha Ahmet Shala për "Kosova Sot"

"Kompania 'Euro-lab' ka fituar miliona euro në vit dhe të hyrat për Devollët deri më tash janë më shumë se 20 milionë euro", tha Ardi Nokaj për "Kosova Sot" 

Lekaj injoron Autoritetin e Konkurrencës Nënkryetari i Bordit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi, duke treguar për bisedat që i kanë pasur me zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës, ka deklaruar për gazetën "Kosova Sot" se me drejtuesit e Ministrisë së Infrastrukturës janë pajtuar që të kenë një takim pune me ministrin Pal Lekaj, në mënyrë që Autoriteti i Konkurrencës dhe Ministria e Infrastrukturës ta harmonizojnë Urdhëresën e re Administrative të kësaj ministrie konform me kërkesën. Por, nënkryetari Krasniqi tha se takimi nuk është mbajtur ende për shkak të agjendës së ngjeshur të ministrit Lekaj."Shpresojmë se kjo do të bëhet gjatë kësaj jave dhe me këtë rast edhe do të harmonizohen qëndrimet tona dhe Ministrisë së Infrastrukturës", u shpreh ai. "Nëse Ministria e Infrastrukturës nuk tërhiqet nga vendimi i tyre, ne si autoritet i pavarur nuk na mbetet tjetër vetëm që të shfrytëzojnë të gjitha rrugët ligjore dhe do të këmbëngulim që të anulohet Urdhëresa e re Administrative e kësaj ministrie. Por për momentin jemi në pritje të takimit me ministrin Pal Lekaj", theksoi ai. Ndërsa lidhur me çështjen ka folur edhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala, i cili për gazetën "Kosova Sot" tha se Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike ka bërë ankesë lidhur me paligjshmërinë e Urdhëresës Administrative 02/2018 të MI-së dhe njëherësh ka kërkuar shfuqizimin e saj. "Ankesa është dorëzuar në arkiv të MIsë më 02.05.2018 dhe deri më tani nuk ka ndonjë reagim. Me këtë ankesë janë njoftuar përmes protokollit rektori dhe Këshilli Drejtues i UP-së, Kryeministria, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe MASHT-i", u shpreh ai.

Korrupsioni, me pasoja të rënda për ekonominë

Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot" tha se me këtë lloj qeverisje nuk pritet diçka më mirë, sepse Udhëzimi Administrativ përveçqë ka rënë në kundërshtim me konkurrencën e lirë, njëherësh ështëedhe antiligjor, sepse nuk ka logjikë që Udhëzimi Administrativ të sfidojë ligjin, ngase ky është derivat i ligjit."Tanimë katrahura qeverisëse është bërë sistem i pashkruar qeverisës, por problemin e shoh te institucionet e drejtësisë, si nuk po reagojnë në asnjë rast kur janë 'peshqit e mëdhenj', pra me këtë drejtësi të kapur nga politika ditore ka pak shpresë për një shtet ligjor", theksoi ai. "Kjo dozë e lartë e korrupsionit po i kushton çdo ditë Kosovës, sepse aktorët kryesorë të Bashkimit Evropian e kanë bërë të qartë që me kontributin e taksapaguesve të tyre nuk mund të pasurohet politika kosovare, kështu që tani e tutje, derisa nuk do të ndiqen 'peshqit e mëdhenj' për korrupsion nuk do të kemi dritë të gjelbër nga Bashkimi Evropian", vijoi më tutje Kadriaj. Eksperti i integrimeve evropiane në fushën e ekonomisë, Ardi Nokaj, për "Kosova Sot" tha se përfaqësuesit e Autoritetit të Konkurrencës dhe ministri Pal Lekaj duhet që të japin dorëheqje të menjëhershme, sepse kjo është skandaloze. "Është e çuditshme se Ministria e Infrastrukturës ia ndërpret njëanshëm dhe padrejtësisht e pa kurrfarë baze ligjore Autorizimin nr. 44 dt. 14.11.2011 për atestime (homologim individual të mjeteve) Universitetit të Prishtinës - Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike - Institutit të Inxhinierisë Mekanike dhe të njëjtën ia dhuron në mënyrë joligjore subjektit privat të autorizuar për homologim, kompanisë 'Euro-lab'", theksoi ai.

Qeveri e tyxharëve, në shërbim të bandës 'Devolli'

Analisti Reshat Badallaj-Zhuriani tha për "Kosova Sot" se kjo qeveri, me numër marramendës ministrash, si askund në botë, po e dëmton buxhetin e shtetit dhe nuk ka fare dert që shkel ligjet dhe Kushtetutën e vendit. "Natyrisht se as që e vret mendjen se procedura për homologimin e mjeteve rrugore që është në kundërshtim me Ligjin e Konkurrencës, sepse këta qeveritarë kuisling tamam e dinë se kush është i Zoti i kësaj kopeje mafio-oligarkësh. Është e kotë t'itrokitet në derë kësaj bande qeveritare dhe t'i shkruhet apo t'i dërgohet selam, se kjo bie ndesh kryekëput me Ligjin për mbrojtjen e Konkurrencës, sepse këta ushqehen dhe janë të zhytur në këtë batak", u shpreh ai. "Tellalli i Ramush Haradinajt, që quhet Pal Lekaj, e di me përpikëri këtë shkelje të ligjit, shkelje të Kushtetutës së vendit, ama banda më e rrezikshme në tërë Ballkanin e kanaleve të nëntokës kriminale që quhet 'Devolli' është mbi ligjin, mbi Kushtetutën dhe këtyre tyxharëve ua kanë zënë bishtin me derë. Ata që nuk e dinë kjo qeveri e marres së zezë ndryshe quhen edhe tyxharë", potencoi Badallaj. Ai tha se kush ka dy mend në kokë dhe sytë në ballë duhet parë se banda 'Devolli' e ka bërë zap shtetin, prokurorinë, e mos të flasim për bandat politike, duke i përfshirë që nga majat e shtetit, Presidencës e poshtë. "Gjërat po shihen ashiqare dhe dukshëm. Por, këta së pari blenë shtetin. Për të vërtetuar këtë po e zëmë sa e sa afera e skandale ka bërë bandat serbiane 'Devolli', saqë shkoi puna deri te Gjykata e Arbitrazhit dhe çka u bë me këta? Asgjë! Kjo bandë antishtetërore dhe hajdute nuk vepron që nga dje dhe ne të themi: "Mos u ngutni, t'i përcjellim, po presim...", por kjo bandë shkatërrimtare e ekonomisë së Kosovës, që është shpirti i shtetit, vepron në këtë shkatërrim dhe në këtë hajni jo më pak se 9 vjet", theksoi BadallajZhuriani.

"Për të marrë frymë lirisht vendi, duhet që të ndalet hovi i kësaj bande të rrezikshme të Devollëve, përndryshe sistemi gjyqësor mbron krimin dhe dëshmon se është i kapur në këtë valle bashkërisht, pra e mbrojnë krimin e organizuar. Ndërsa nga ministri Pal Lekaj dhe kjo qeveri e faqes së zezë mos pritni gjë, sepse këta tyxharë janë të lidhur me kohë me këtë bandë që ushqehen nga këta pa më të voglin dyshim", tha Reshat BadallajZhuriani

Udhëzimi Administrativ, skandaloz

Analisti Ragip Guraziu tha për gazetën "Kosova Sot" se pa asnjë dyshim ky Udhëzim Administrativ bie ndesh me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, por e tëra është e kotë, ngase këto vërejtje nuk janë marrë parasysh nga ministria e udhëhequr nga Pal Lekaj."Andaj edhe është për t'u habitur se si Ministria e Infrastrukturës nuk i ka ndryshuar nenet, të cilat e betonojnë edhe më shumë monopolin në fushën e Homologimit të Automjeteve, që është në pronësi të Shkëlqim Devollit", u shpreh ai. Sipas Guraziut, mosndryshimi i qëndrimit të Pal Lekajt është edhe më befasues për faktin se Autoriteti i Konkurrencës  deklaroi se Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Infrastrukturës, për përcaktimin e kushteve dhe procedurave për homologim të mjeteve rrugore, është në kundërshtim me Ligjin e Konkurrencës."Pal Lekaj e madje as edhe Qeveria e Kosovës nuk kanë reaguar fare, duke e lënë në fuqi këtë Udhëzim Administrativ që është antikushtetues dhe antiligjor", potencoi ai. Analisti Guraziu mbetet i befasuar dhe pyet se si nuk i ka nisur hetimet Prokuroria Speciale dhe përse përmbi 9 vjet po lejon homologim antikushtetues e antiligjor, duke e betonuar tani edhe më shumë këtë homologim me Udhëzimin e ri Administrativ nga Ministria e Infrastrukturës. "Andaj urgjentisht duhet ndryshuar këtë Udhëzim Administrativ, sepse si i tillë shpie në sjellje antikonkurruese dhe i njëjti po e çrregullon dhe shtrembëron tregun përkatës", u shpreh ai. Sipas tij, është më se e domosdoshme që Autoriteti i Konkurrencës të ndjekë të gjitha rrugët ligjore, në mënyrë që të parandalojë zbatimin e këtij udhëzimi kriminal.

(Kosova Sot)